Avokati Artan Qerkini ligjëron për avokatët e Ukrainës

30 korrik 2025 | 12:38

Me kërkesë të Misionit të OSBE-së në Varshavë dhe të Ministrisë së Drejtësisë të Ukrainës, avokati Artan Qerkini, më 31 korrik mbanë një ligjëratë për avokatët nga Ukraina me temën: “Gjykimi i rasteve për krime lufte në mungesë”. Lajmin e ka bërë me dije Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

KMDLNj ka njoftuar se institucionet e Ukrainës gjatë tërë kohës së luftës kanë krijuar grupe të veçanta faktmbledhëse për krimet e luftës nga Rusia, për të krijuar një kontekst juridik për gjykime për krime lufte.

“Grupet faktmbledhëse përbëhen nga hetues, prokurorë, avokatë për të drejtat e njeriut dhe aktivistë për të drejtat e njeriut. Për shkak se Ukraina gjendet në gjendje lufte dhe se të dyshuarit nuk janë të qasshëm për organet e drejtësisë, Ukraina ka vendosur që gjykimet të mbahen në mungesë në rast kur plotësohen kushtet ligjore dhe kur nuk janë në kundërshtim me parimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Avokati Artan Qerkini është avokat i njohur kosovar, me të drejtë përfaqësimi dhe mbrojtje të të akuzuarve para Gjykatës Speciale në Hagë. Është avokat i vetëm që e ka fituar një rast para Gjykatës Kushtetuese të Gjykatës Speciale në Hagë. Si njohës i mirë i Ligjit për të Drejtën Humanitare dhe zakoneve të luftës, si dhe i të drejtave të njeriut, avokati Artan Qerkini është ftuar në shumë tryeza, debate dhe konferenca, vendore dhe ndërkombëtare ku trajtohen gjykimi i rasteve për krime lufte”, ka njoftuar KMDLNj.

Sipas KMDLNj-së, angazhimi i avokatit Artan Qerkini nga OSBE dhe Ministria e Drejtësisë për t’u ligjëruar avokatëve të Ukrainës për rastet e krimeve të luftës është një vlerësim i jashtëzakonshëm për një grup të avokatëve kosovarë që kanë krijuar një integritet të lartë profesional, si kusht i domosdoshëm për të qenë pjesë e barabartë e mbrojtjes të rasteve edhe më të rënda të krimeve të luftës, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

“Gjykimi i rasteve për krime lufte në përgjithësi dhe i atyre në mungesë në veçanti ishte një sfidë e re për institucionet e drejtësisë në Kosovë si edhe të avokatëve mbrojtës shkaku i mungesës së përvojës në këtë fushë. Avokati Artan Qerkini është bashkëpunëtor i KMDLNj-së dhe ligjërues në këtë fushë, në të cilën ka treguar dhe dëshmuar kapacitet profesional që kërkohet për këto raste. KMDLNj shpreson se përvoja dhe përgatitja profesionale e avokatit Artan Qerkini do të jetë ndihmë e madhe për avokatët e Ukrainës që janë duke i bërë hapat e parë në gjykimin e krimeve të luftës në mungesë në Ukrainë. Është edhe një rast i mirë dhe mundësi të nxitet dhe forcohet bashkëpunimi midis Odës së Avokatëve të Kosovës dhe Odës së Avokatëve të Ukrainës”, ka theksuar KMDLNj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Deçanit ka nderuar gazetarin dhe hulumtuesin e shquar…