Avokati: Nëse vërtetohen akuzat për keqpërdorim të buxhetit në rastin e rezervave shtetërore, dënimi mund të jetë deri në 10 vjet burg

12 nëntor 2025 | 21:19

Avokati Arbër Jashari ka komentuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj ministres në detyrë së Industrisë, Rozeta Hajdari për rastin e rezervave shtetërore, duke theksuar se nëse vërtetohen dyshimet për keqpërdorim të buxhetit të shtetit, zyrtarët e përfshirë mund të dënohen me deri në 10 vjet burg, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ai shtoi se, përveç dënimit me burg, mund të shqiptohet edhe dënim plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike për disa vite.

“Në rast se vërtetohen dyshimet për keqpërdorim të buxhetit të shtetit në rastin e rezervave shtetërore, zyrtarët e përfshirë, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, mund të dënohen deri në 10 vjet burgim. Po ashtu, atyre mund t’u shqiptohet dënim plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksionit publik për disa vite”, tha Jashari për GazetaBlic.

Kujtojmë se, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës kundër katër personave, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare.

Të akuzuarit R.H., I.L. dhe H.G. ngarkohen se gjatë muajve shkurt dhe mars të vitit 2022 kanë vepruar në bashkëkryerje, duke keqpërdorur detyrat e tyre me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimit të dëmit ndaj buxhetit të shtetit, i cili arrin shumën prej 2,912,134.78 euro.

Sipas Prokurorisë, të njëjtit kanë zbuluar pa autorizim informacione që përbëjnë fshehtësi zyrtare, duke e bërë të ditur vendndodhjen e rezervave shtetërore – informacion që, sipas ligjit, klasifikohet si sekret shtetëror.

Ndërkohë, i akuzuari R.M. ngarkohet me veprën penale të ndihmës në keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, pasi dyshohet se ka ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt në përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë për rezervat shtetërore, duke krijuar kushte për kryerjen e veprës penale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrahman Rama, ka…