Avokati i Popullit: Institucionet shkelën Kushtetutën me deportimin e gjashtë shtetasve turq

27 prill 2018 | 20:34

Avokati i Popullit ka dalë të premten me raport sipas detyrës zyrtare, me rekomandime për institucionet e Kosovës “largimin me forcë” apo ekstradimin nga territori i Republikës së Kosovës të gjashtë shtetasve turq.

Pas grumbullimit të informatave dhe analizës së rastit, Avokati i Popullit ka konstatuar se në rastin në fjalë autoritetet e Republikës së Kosovës, duke i dëbuar shtetasit turq, ata i ekspozuan në rrezik real për t’iu nënshtruar torturës, keqtrajtimit fizik dhe rrezikut real për shkelje serioze të të drejtave të njeriut të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të cilat janë pjesë e sistemit juridik të Republikës së Kosovës.

“Avokati i Popullit është i mendimit se autoritetet e Republikës së Kosovës, të cilat dëbuan të huajt në fjalë, nuk kanë bërë një vlerësim se cilat janë garancitë kundër keqtrajtimit fizik dhe torturës në shtetin e tyre të origjinës dhe pa e marrë parasysh situatën e të drejtave të njeriut në atë vend”, thuhet në njoftimin për media të dërguar nga zyra e Avokatit të Popullit.

Sipas Avokatit të Popullit, me rastin e deportimit të shtetasve turq janë shkelur neni 29, paragrafët 2, 3 dhe 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës që flasin për të drejtën e lirisë dhe sigurisë; neni 31 apo të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm; neni 32 për të drejtën për mjete juridike; neni 14, paragrafi 1, neni 15, neni 16, paragrafët 1 dhe 2, neni 17, paragrafët 2 dhe 6.

Po ashtu, Avokati i Popullit, vlerëson se autoritet e Republikës së Kosovës nuk kanë vepruan në pajtim me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut e cila në vendimet e saj për raste të tilla shprehimisht ka theksuar se shtetet në asnjë rrethanë nuk mund të dëbojnë një të huajë në territorin e një shteti ku ai mund t’i ekspozohet rrezikut për t’u torturuar dhe keqtrajtuar fizikisht.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë të…