Aziz Kelmendi dhe enigma e vrasjeve pa luftë në kohë robërie (2)

16 janar 2021 | 14:44

Shkruan: Lulzim Sahiti

Për periudhën e studimeve evokon këto kujtime për Azizin, Lulzim Muharremi nga fshati Zborc i Shtimes, si student i vitit të parë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës: “Në vitin e parë kishte shumë studentë që i ndiqnim ligjëratat, por në barakën pranë Qendrës së Studentëve ku banonim, njiheshim më shumë ndërmjet vete. Në këtë barakë banonte edhe Aziz Kelmendi. Unë nuk e njihja shumë, por shokët e dhomës më thanë se ishte student shumë inteligjent. Po afrohej afati i janarit dhe ne po përgatiteshim për provime. Në afatin e janarit si lëndë më e vështirë konsiderohej lënda Filozofi marksiste, të cilën e ligjëronte profesor Irfan Pashoja. Kurse në barakën nr. 2, ku banonim, dhoma e Aziz Kelmendit mbushej përplot me studentë. Për ti dëgjuar shpjegimet e tij për veprat e Marksit, Engelsit dhe Leninit, që për shumicën e studentëve ishin të pakuptueshme, Aziz Kelmendi arrinte ti zbërthente. Si një njeri i afërt me të gjithë, me një shëndet të dobët, nuk përtonte, por çdo natë kishte debate në dhomën e tij për ti ndihmuar rreth këtij provimi. Aziz Kelmendi u notua me notën 10 (dhjetë) nga profesori i Filozofisë marksiste, Irfan Pashoja. Provimin e kanë përcjellë shumë studentë, të cilët kishin filluar ta njihnin Aziz Kelmendin dhe me kureshtje e shihnin se si përgjigjej në atë provim. Të gjithë kishin mbetur të mahnitur dhe flitnin me një admirim për të. Unë nuk shkova për ta përcjell provimin e Aziz Kelmendit, sepse po më afrohej dita e provimit. Përkundër dëshirës dhe kureshtjes nuk guxoja të humbisja kohë. Dy-tri ditë më pas më erdhi radha edhe mua të hyjë në këtë provim. Pas përgjigjeve që i dhashë, profesori mbeti shumë i kënaqur dhe më notoi me notën 10. Për këtë provim isha përgatitur shumë gjatë, por ishin kryesisht shpjegimet e Aziz Kelmendit, që unë mora një notë të lartë në provimin tim të parë. Përndryshe, të gjithë studentët e asaj gjenerate, Azizin e thërrisnin Hegel duke e krahasuar atë me filozofin e njohur gjerman.

Foto: Nga e djathta në të majtë: Aziz Kelmendi, bashkë me shokun e shkollës së mesme dhe studimeve Nazim Vllaqo nga Prizreni, më 10. 05. 1984
Nga gjenerata e studentëve të vitit akademik 1985/86, Ylber Topalli nga Gremja e Ferizajt, përndryshe i burgosur politik, Aziz Kelmendin e përshkruan me këto fjalë: Me Azizin u njoha në vitin 1985, kur edhe filluam studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Ai ishte një djalë që në dukje të parë ta linte përshtypjen e një njeriu të përvuajtur dhe sikur mbi supe mbante një brengë të madhe. Si i heshtur dhe fjalëpakë që ishte, vështirë hyje në komunikim me të. Azizi rrallë fliste, por godiste fuqishëm ashtu që në ndërdijen e secilit student zgjonte imagjinatën se ky përveç qëllimit për të studiuar ka edhe ndonjë mision tjetër jashtë studimeve. Azizi nuk kishte shkuar në Shërbimin Ushtarak menjëherë pas shkollës së mesme siç ishte e zakonshme te shumica e maturantëve. Ai nga shkolla e mesme kishte ardhur drejtpërdrejt në studime. Nga kujtesa ime e mirë, e di që Aziz Kelmendi brenda një viti ka arritur që të dallohej prej studentëve të tjerë si për nga kapaciteti intelektual ashtu edhe për nga guximi i tij për ti kundërshtuar tendencat e disa profesorëve për ta prezantuar Jugosllavinë si oazë paqeje.

Foto: Nga e majta në të djathtë: Aziz Kelmendi dhe shoku i studimeve Shahin Haziri nga Kumanova

E kam shumë të freskët debatin e Aziz Kelmendit me profesorin Hajredin Hoxha lidhur me të ashtuquajturën vetëqeverisje dhe pozitën e shqiptarëve në Jugosllavi. Një kundërshtim aq të guximshëm dhe aq të argumentuar mund ta bënte vetëm një intelektual, i cili, përveç profilit të lartë të arsimimit, kishte edhe një bazament të fuqishëm kombëtar. Ne studentët e tjerë, debatin e tij të zhvilluar me profesorë e shikonim me admirim e, besa, edhe me xhelozi për guximin e tij dhe për kapacitetin intelektual debatues, i cili ishte larg, madje shumë larg nga kapaciteti i studentëve të tjerë.
Si student i vitit të parë ai arriti ti përfundojë pothuaj të gjitha provimet përveç në Fillet e së drejtës, provim të cilit nuk iu kishte nënshtruar. Azizi, pa dyshim që në mesin e studentëve më të mirë të gjeneratës 1985/86, ishte më i miri dhe jo vetëm kaq. Ai ishte më vizionar, madje edhe më vizionar se vetë disa profesorë me të cilët debatonte, ishte më i guximshmi e profesional edhe në tema që e preknin aspektin kushtetues të statusit të Kosovës. Për mendimin tim, ai kishte lindur jo në kohën e tij, mbase ky mund të jetë një gjykim nga distanca kohore 35-vjeçare, por që Aziz Kelmendi, guximin, vendosmërinë dhe kapacitetet e tij, duhej ti shpërfaqte pasi të kthehej nga shërbimi ushtarak. Ai në shërbimin ushtarak shkoi si njeri shumë i pjekur, me vizione shumë para bashkëmoshatarëve të tij por që, fatkeqësisht, të gjithë këta margaritarë për pushtetin okupues ishin një sinjal, se elanin e këtij njeriu duhet ndërprerë.
Duke e njohur karakterin e pathyeshëm të Azizit, mendoj se ai, si protagonist në ngjarjet e më pastajme të historisë tonë plot beteja, do të përfundonte me po të njëjtin shkëlqim që historisë i japin vetëm dëshmorët e kombit. Ai ishte i lindur për të përfunduar dëshmor dhe, si të tillë, duhet trajtuar. Krisma e tij ishte paralajmërim i krismave të luftëtarëve të lirisë që do të vinin më pas.
Mandej nga Sekretariati i Mbrojtjes Popullore në Prizren, Aziz Kelmendi, është rekrutuar për shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ) dhe pikërisht më 14 shtator të vitit 1986 lajmërohet në Garnizonin Ushtarak 5300 në Leskovc të Serbisë, ku për tre muaj iu nënshtrua trajnimit bazë për tankistë dhe pas kësaj në fund të dhjetorit e transferojnë një javë në Dollovac afër Nishit. Mandej e dërgojnë në Kazermën Ushtarake Branko Krsmanoviq në Paraqin, qytet në jug të Beogradit. Ky garnizon përbëhej nga rekrutë prej gjithë Jugosllavisë, siç ishte praktika e përgjithshme në ish-armatën jugosllave. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hisen Berisha Pas aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese që rrëzuan dy…