Aziz Kelmendi dhe enigma e vrasjeve pa luftë në kohë robërie (1)

15 janar 2021 | 11:57

Shkruan: Lulzim Sahiti

No description available.

Njerëzit e mëdhenj veç ditëlindje kanë. Sot është ditëlindja e dëshmorit të kombit, Aziz Kelmendi. Po të ishte gjallë, sot do t’i bënte 54 vjet. Andaj, në shenjë kujtimi dhe nderimi të veprimtarisë së tij atdhetare po publikojmë këtë fejton, përmes të cilit do të zbardhen për herë të parë shumë ngjarje interesante për publikun, të ndodhura para 34 vjetëve në qytetin e Paraqinit, gjegjësisht në Republikën e Serbisë.

Për të mos mbajtur me vite nën ombrellën e teorisë së konspiracionit të vërtetën për rastin e Paraqinit jemi munduar ta zbërthejmë atë me protagonistët kryesorë të ngjarjes duke u bazuar gjithnjë në fakte dhe të vërtetën e logjikshme.

Në këtë fejton do t’i lexoni rrëfimet e llahtarshme të të dënuarve të pafajshëm shqiptarë të cilat kanë kaluar edhe më keq se të nëntë rrathët e “Ferri”-t të Dante Aligerit. Është fat i madh që sot kemi të gjallë dëshmitarët të cilët kanë mundësuar zbardhjen e së vërtetës duke treguar vetëm atë që kanë parë e përjetuar në natën ndërmjet 2 e 3 shtatorit 1987 në Paraqin dhe zhvillimet e mëtutjeshme përtej asaj që kemi dëgjuar e lexuar nëpër media të shkruara dhe elektronike.

No description available.

Foto: Aziz Kelmendi në moshën katërmbëdhjetëvjeçare së bashku me vëllanë e vogël, Besimin, në Arbanë

Jetëshkrim për dëshmorin e kombit Aziz Kelmendi

Ligjit të harresës nuk i shpëtojnë vetëm ata që vdesin për liri dhe atdhe. Njëri prej këtyre atdhetarëve që nuk harrohet përjetë është dëshmori Aziz Kelmendi që me vetëmohim ia dhuroi jetën Kosovës. Aziz Kelmendi lindi më 15 janar të vitit 1967 në fshatin Karaçicë të Komunës së Shtimes. Rrjedh nga një familje me tradita të larta atdhetare. Prindërit e tij, Sadik Hajriz Kelmendi dhe Salë Rrahman Krapi nga Nekoci i Drenasit, patën shtatë fëmijë (5 djem dhe 2 vajza): Hajrizin, Havën, Idrizin, Isakun, Azizin, Melihaten dhe Besimin. Babai i Azizit, Sadiku, sikurse shumë bashkëkombës të tij, për shkak të kushteve të rënda ekonomike, në vitin 1970 u detyrua të marrë rrugën e kurbetit. Ai filloi të punojë në Republikën Federale të Gjermanisë. Sadiku, në vitin 1971, nga fshati i lindjes Karaçicë shpërngulet në fshatin Medvec të Lipjanit.

Këtu Azizi regjistrohet në shkollën fillore (paralele e ndarë) e fshatit Medvec, ku kryen me sukses katër klasë dhe mandej vazhdon klasën e pestë dhe gjashtë në shkollën amë “Stanko Buriç” të fshatit Magurë. Nëntë vjet më vonë, në vitin 1980, familja e Azizit përsëri shpërngulet në Komunën e Prizrenit, gjegjësisht në fshatin Dushanovë, që tash njihet si Arbanë. Në këtë vendbanim familja Kelmendi kishte krijuar kushte më të mira për jetë. Edhe këtu Azizi me sukses shembullor mbaroi klasën e shtatë dhe të tetë në shkollën “Aradha e Sharrit”. Ndërsa tri klasë të shkollës së mesme i kreu në Qendrën e Shkollimit të Mesëm “Dimitrie Tucoviq” në Prizren, ku dallohet si një ndër nxënësit shembullor të kësaj shkolle. Po në vitin e tretë e arreston milicia e atëhershme jugosllave në fshatin Vërmicë të Prizrenit dhe e dënon për veprimtari armiqësore dhe tentim për kalimin e kufirit Kosovë – Shqipëri.

Pas vuajtjes së dënimit për kundërvajtje nga 2-17 prilli 1984 në Burgun e Prizrenit, drejtoria e shkollës e përjashtoi nga Qendra e Shkollimit të Mesëm “Jovanka Radivojeviq -Kica” në Prizren. Me të përfunduar të burgut ai në vitin 1984 shkoi në Lipjan dhe u regjistrua në vitin e katërt në Qendrën e Arsimit të Mesëm të Orientuar, në Degën Juridiko-Byroteknike. Meqë e kishte larg shtëpinë për të udhëtuar, Azizi atë vit kishte banuar te djali i tezës së tij, Ibrahim Tahir Bungu, në Shtime.

No description available.

Foto: Aziz Kelmendi, maturant në vitin 1985

Gjatë kohës sa banonte Azizi në Shtime, tregon Ibrahimi se si ai e mësonte të ekzekutonte me çifteli, kurse vetë ishte adhurues i këngës folklorike dhe ekzekutonte me sharki si dhe me instrumente të tjera muzikore. Gjithashtu, Ibrahimit i kujtohet si sot kur i thoshte: “Njerëzit e mençur duhet të jenë gjithnjë të kujdesshëm në veprimet e tyre ngase një sjellje e pamatur, atyre u bëhet e madhe menjëherë”. Ai pa masë e adhuronte shtetin amë, Shqipërinë, saqë më 11 prill 1985 kur mori lajmin për vdekjen e Sekretarit të Parë të PPSh-së, Enver Hoxha, ishte nisur nga Shtimja për në Dushanovë për ta përcjellë ceremoninë e varrimit përmes valëve të TVSh-së që depërtonin në atë zonë. Kur ishte kthyer Azizi nga Dushanova, i tregon se një gjë i kishte bërë përshtypje të veçantë gjatë ceremonisë së varrimit të Enver Hoxhës, në Tiranë më 12 prill 1985, kur gruaja e tij (Nexhmije Hoxha) i drejtohet të ndjerit me këto fjalë: “Enver, po të vë këtë flamur në zemër nga ana e kosovarëve sepse ashtu siç i kishe ata në zemër gjithë kosovarët e shqiptarët atje ashtu dhe ata të kanë Ty.

Kam marrë me qindra telegrame dhe prandaj besoj se plotësoj një dëshirë të tyre. Merre edhe këtë me vete”. Kështu fjalë për fjalë, Ibrahimit i kishte treguar tezaku atë që kishte parë dhe dëgjuar në televizionin shqiptar.

Si nxënës i shkollës së mesme, Azizi e kishte blerë një makinë shkrimi dhe motrës së vet, Melihates, i kishte thënë: “Me këtë do të shkruaj poezi dhe vepra të tjera. Kam me u ba i madh, bota ka me marrë vesh kur të vdes unë!” Ai e donte shumë arsimimin e femrës dhe në një rast kishte thënë: “Dëgjo motër, shko e regjistrohu në bibliotekën e qytetit dhe lexo vepra të ndryshme letrare e romane sepse njeriu pa shkollë është si me qenë pa sy”.
Azizi, pos që ishte nxënës i shkëlqyeshëm, ishte i pasionuar pas leximit. Për t’ia plotësuar dëshirën Azizit, babë Sadiku ia kishte mundësuar krijimin e një biblioteke të veçantë në shtëpi. Krahas shumë romaneve, ai kishte ëndje të lexonte për historinë e popullit shqiptar, filozofi, art e kulturë. Si i ri kishte përvetësuar njohuri të përgjithshme dhe ishte brymosur me ide përparimtare. Ai kishte talent edhe për poezi dhe tri vargje të tij që ende kujtohen nga familja e tij ishin: “Në më gjetshi të vrarë për liri, në ndonjë sokak, mos të më qani, oj nënë aspak…!” Në vitin 1981 shpërthyen demonstratat studentore në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës, në të cilat ishte kërkuar që Kosova të bëhej Republikë e shtatë e ish-Jugosllavisë. Në vend se të bëhej edhe Kosova subjekt i barabartë i federatës jugosllave, demonstratat asokohe u shtypën me dhunë nga policia dhe ushtria jugosllave.

Në këtë kohë Azizi kishte mbushur 14 vjet dhe si fëmijë i ishte ngulitur në kokë padrejtësia e regjimit jugosllav që bënte kundër interesave të popullit shqiptar në ish-Jugosllavi. Për të ishte krijuar bindja se të gjithë popujt sllavë në Jugosllavi ishin kundër lirisë dhe të drejtave të shqiptarëve ngase ishin mbushur burgjet me shqiptarë anekënd Jugosllavisë. Zaten deri në vitet ’90 politika jugosllave ishte udhëhequr nga Serbia, e cila ushtronte dhunë e terror ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në republikat e tjera jugosllave. Krahas shtypjes e dhunës permanente, Serbia përdorte edhe propagandën kundër shqiptarëve për ta mashtruar opinionin publik brenda dhe jashtë vendit.

Me gjithë kushtet e pavolitshme politike dhe ekonomike, Azizi arriti ta përfundojë gjimnazin me sukses të shkëlqyeshëm. Në afatin e parë të regjistrimit, në qershor të vitit 1985, Aziz Kelmendi u regjistrua në vitin e parë student i rregullt në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku kishte ndjekur dy semestra duke dhënë provime në gjashtë lëndë mësimore me nota të larta. Pra, kishte përfunduar me sukses vitin e parë akademik si dhe kishte regjistruar semestrin e tretë. Gjatë kësaj kohe, prej 17. 10. 1985 e deri më 23. 6. 1986 ka banuar në Prishtinë, në konviktin e dytë (në baraka) të studentëve, në dhomën nr. 19.

No description available.

(Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka prezantuar sot…