BACA SHABAN DHE DJEMTË

16 qershor 2020 | 11:25

Bedri Islami

Lavdia u takon atyre që flijohen për vizione të mëdha (7)

Trungu i Familjes është Shaban Jashari. Nëpër këtë trung kanë hapur degët e tyre djemtë, nipat e mbesat. Asnjëherë nuk kanë qenë më të shumtë. Asnjëherë nëpër shkallët e kullave nuk kanë lëvizur më shumë njerëz.

Shaban Jasharit i gëzohet zemra për njerëzit që lëvizin, për jetët që bulojnë, zemra që ka qenë e qetë për gjithçka, nuk ngihet nga zërat e nipërve e mbesave.

Meraku i vetëm i Shaban Jasharit është të rrosh si duhet.

Të rrosh si duhet për Shaban Jasharin do të thotë të jesh i ndershëm deri në skaj, të provosh gjithçka, edhe të mirën, edhe të keqen dhe që të dyja në shfaqjen e tyre më të thekshme.

Dhe ai i ka provuar të dyja deri në plotësi. E keqja ka qenë e skajshme, por nuk e ka thyer. Të mirat kanë ardhur të bollshme, por nuk e kanë ndërruar. E keqja i ka ardhur prej larg, të mirën e ka ndërtuar vetë. Të keqes i ka thënë plaç, të mirën e ka ndarë me shokë e dashamirë. Edhe kur ka qenë i untuem, zemrën e ka pasur plot. Edhe kur e ka parë veten një hap larg vdekjes, ka ditë të dallojë jetën. Ka ndjekur Shaban Polluzhën në rininë e tij, sepse e ka ditur se kjo rruga e nderit. Ka pranuar të vuajë më mirë ai vetë dhe robërit e shtëpisë së tij, se sa të vuajë dikush tjetër për fajin e tij. I njeh urat e bashkimit të njerëzve, ndoshta më mirë se askush tjetër, por kurrë nuk është bërë urë për ta shkelur të tjerët. E do Prekazin e Poshtëm më shumë se sa lagjen e Jasharëve, por mbi Prekazin ka Drenicën, dhe mbi Drenicën ka Kosovën. Djemtë e vajzat i mëson ta duan Shqipërinë, nipërit e mbesat i nis për atje.

Shaban Jashari është një njeri që nuk ngutet. Ka fituar në këtë jetë përvojë të bollshme, ajo rrjedh në venat e tij, i di punët më mirë se të tjerët, e di se vjen dita e ndeshemi me serbin, por pa u ngut, jo për ta filluar sot e për ta lënë nesër.

Më 30 janar 1991 baca Shaban qëndron tërë kohën në kullë me njerëzit e shtëpisë. Policia vjen e përforcuar me mjete të tjera luftarake:helikopterë, tanke, qen të ushtrisë dhe futen turrshëm në oborrin e shtëpisë.

Njëri prej kryeoficerëve të policisë serbe e pyet bacën Shaban:

– Të kujt janë këto shtëpi dhe pasuri?”

– Të miat dhe të djemve dhe të nipave të mi, ia kthen Shaban Jashari.

– A kanë mend këto djemtë e tu që po luftojnë, kur i kanë të gjitha këto të mira”?

– Po, i kanë të gjitha, veç liri nuk kanë – ia kthen baca Shaban.

Në të vërtetë kjo është edhe deviza e tij. Për këtë u hap rrugë djemve, megjithëse e di se është një rrugë e vështirë. Shkon edhe më tej se kaq, u ndihmon në këtë rrugë. Me të gjitha. Dhe kur duket se e gjithë ajo që kishte bërë nuk do të ishte e mjaftueshme, lufton krah tyre. Do të jetë njëri ndër pjesëtarët e familjes që u bën ballë tri rrethimeve të kullave të tyre.

Jasharët, të gjithë, e adhuronin babën e gjyshin e tyre. Do të ishte deri në fund njëri nga vendet e shenjta, të cilit i faleshin dhe e kishin të vyer fjalën e tij. Do të merrnin me vete qetësinë e tij të jashtëzakonshme, qëndrimin stoik, fjalën e mençur dhe në kohën e duhur, respektin për mikun dhe për kalimtarin e zakonshëm, do të dinin të dallonin se përmbi pamjen e tij të jashtme, në dukje të ftohtë, ishte një zemër që i miklonte edhe kur ishin bërë vetë prindër.

Shaban Jashari i ka të fuqishme pasionet që kanë lidhje me kombin e tij, ata janë pjesë e vlerave dhe e virtyteve të tij, deri sa bëhen pjesë e të gjithëve.

NËNA E SHTËPISË, REJAT DHE BIJAT

Nëna e shtëpisë quhej Zahide, por nipërit e mbesat, në shenjë dashurie dhe shkurt, i thoshin gjyshja Zade. Djemtë e thërrisnin loke, nuset e shtëpisë e thërrisnin nanë. Ishte njëra nga mbesat e Shaban Polluzhës, dhe kur e kishin fejuar me Jasharët kishin pasur parasysh, të dyja palët, të bënin një miqësi të mirë. Jasharët thoshin asaj kohe, thonë edhe tani, “Mos merrni çfarëdo miku, sepse po more ndonjë mik që nuk është bimë e shëndoshë, të tillë do të jenë edhe nipat e mbesat”.

Nëna Zadja, le ta quajmë kështu, nuk ishte nga bimët e zakonshme, ajo ishte nga trungjet e lista të familjeve të Kosovës dhe me vete solli blerimin e këtij lisi.

E shkurtër në trup, me shikimin e butë, dashamirës, ajo rrezatonte vetëm mirësi. E gjithë qenia e saj ishte e tillë, e ngritur mbi një strukturë të fuqishme njerëzore, të cilat, vitet që shkojnë, sado të dhimbshme të jenë, nuk do të mund t’i shpërfytyrojnë. Ajo lëviz ngadalë nëpër shtëpi, është e para që ngrihet dhe shkon të flejë kur gjithçka është në vendin e saj. Nuk i ndan rejat nga bijat, nuk i ndan nipërit nga mbesat, e shikon e ngazëlluar se më të rinjtë po lidhen fort me zakonet e fisit dhe me burrin e saj, e ndjen se kjo është për mirë dhe nuk ka asnjë lloj derti për të ardhmen e tyre.

Nuk ka bërë kurrë hesape në jetën e saj me të ardhmen e familjes. E dëgjon të shoqin kah u thotë njerëzve të shtëpisë që dy gjëra e mbajnë njeriun e fortë, morali dhe moslakmia, dhe ndjehet edhe më e sigurt për ata që do të lerë pas; kanë moral të lartë e nuk kanë lakmi.

E ndjen mallin për djemtë, kur nuk i ka në shtëpi, dhe i mbushet e gjithë vatra, kur ata e kanë vënë në mesin e tyre. Nëpër duar ndjen shtrëngimin e duarve të tyre, në ballë ndjen puthjen e tyre, ua dëgjon fjalët dhe përsëri ndjehet mirë. Nganjëherë zemrën ia shtrëngon meraku i nanës, kraharori sikur nuk e mban mallin, por gjithçka është në rrugën e duhur dhe asaj i duhet të mbaje brenda vetes edhe merakun, edhe mallin, edhe trazimin që ia përkund era e natës.

Në jetën e saj ka parë mjaft, e ka filluar jetën duke ndjerë një peshë të madhe mbi të gjithë. Ka parë halle të mëdha e halle të vogla, halle që të plakin dhe halle që e kanë mërzinë deri sa të bjerë muzgu i parë i natës, por asnjëherë , edhe kur kanë qenë halle të mëdha sa bota, kurrë nuk ka përkulur kurrizin dhe të fshajë mërzitshëm.

E di mirëfilli jetën e kësaj familje që para se të vinte nuse. E dinte se filli i saj kishte qenë disa herë rrezik të këputej, dhe është e lumtur kur i fal tetë fëmijë, tre djem e pesë vajza. Ndihet e qetë, sepse më shumë se kurrë , e ardhmja e Familjes është e sigurt.

I sheh punët e djemve të saj, ata e kanë nisur herët rrugën për të bërë diçka të mbarë, nuk u thotë kurrë “jo”, mirëpo gjithmonë e ka me vete merakun e nanës, por një merak që e mban për vete deri në çastin e fundit.

Nisin demonstratat e mëdha të vitit 1989, është kohë e ftohtë, mot i rënduar nga erërat dhe bornat dhe klimë e ashpër politike nga regjimi i Millosheviqit. Viti 1989 do të jetë viti i parë i sprovës me pushtimin e ri. Në ballë të provës do të vihen disa djem të rinj, shumë nga të cilët do të jenë të lëvizjeve ilegale çlirimtare. Turmat e njerëzve, disa mijëshe, nisen drejt Prishtinës. Njerëzit nisen nga Skenderaj drejt Prishtinës, mijëra vetë njëherësh, ajo e dëgjon të vërtetën se atyre u prin i biri, Ademi, ndjen lehtësimin, por edhe merakun e nanës. Ky do të ishte shfaqja e parë publike e të birit si lider i ngjarjeve të mëdha, ndjehet përsëri e qetë, megjithëse gjithçka përreth ndillte frikën.

Në tri rrethimet e kullave të saj, ajo ka qenë aty. Rreth saj janë mbledhur rejat dhe nipërit e mbesat e vegjël, ndërsa të tjerët luftonin. Do të jetë deri në fund në mesin e tyre, e rrethuar prej tyre, qetësisht e bindur se ishte e vetmja rrugë dhe se, për besë, nuk kishte rrugë tjetër. Është e vetëdijshme se mund të jetë fundi i rrugës së saj, por e qetë, se ka bërë një rrugë të denjë për t’u jetuar.

Është stoike në të gjitha çastet e jetës së saj, edhe kur ata janë tepër të rënda, në secilën rrudhë të saj ka qenë një hall a një dert, ndërsa në çdo fjalë të saj ishte një shpresë. E di se i duhet të qëndrojë si nana e Jasharëve, nuk i ul as kapakët e syve para dhimbjes, e përball dhunën e pushtuesve serbë me atë ndjenjën e njeriut që i kishte përbuzur gjithnjë dhe tani erdhi çasti t’ua thotë syve, ose, si i thonë në Drenicë, t’ua thotë në gojë.

Një ngjarje:

Në fundin e rrethimit të parë të Jasharëve, kur tre djemtë e Familjes tërhiqen dhe zënë vend në Kodrat përballë, të gatshëm për t’i shkuar luftës deri në fund, policët serbë marrin peng 27 anëtarë të Familjes, së bashku me tre nipa, të cilët kishin qëlluar atë natë në shtëpi, ndërsa të gjithë meshkujt, prej Fitimit e lart, pra, të gjithë ata që i kishin mbi 13 vjet i lidhin dhe i nxjerrin me duar të lidhura përjashta në borë, para tankeve.

Policët serbë e qesin po ashtu nanën e djemve si mburojë para tyre, duke dashur të hyjnë në shtëpi, sepse kishin menduar se Ademi ishte brenda. Strukeshin prapa shpinës së saj dhe në duar mbanin automatikët.

Nana po i thotë njërit prej policëve:

-Hiqmu qafe more qen, çka po fshehësh pas meje?”.

-Kam frikë se njëri prej djemve është brenda e po më vret..

-Kur frikësohesh dhe nuk ta mban, pse ke ardhur në Prekaz?- thotë nana policit serb.

Sa herë që më bien rasti ta rishikoj në mesin e djemve të saj, në filmimet e kohës që janë bërë, me mbesin sytë në shkëlqimin e syve të saj, në atë dritëzim të veçantë që marrin ata kur është aty, pranë tyre, e lumtur dhe e trazuar njëkohësisht, por, gjithsesi, nga ajo e ndjen që buron ndjenja e së mirës, e së drejtës dhe e mbështetjes.

Dhe kur djemtë marrin nga nana e tyre të mirën, të drejtën dhe mbështetjen, atëherë…

Asgjë në rrëfimin për Jasharët nuk do të ishte e plotë në se nuk do të ishte pjesë edhe ajo që ka lidhje me rejat dhe bijat e kësaj familje. Megjithëse në

pamjen a parë do të mund të dukej se nën strehën e këtyre kullave gjendej një familje e madhe patriarkale, e vërteta do të jetë krejt ndryshe.

Do të jetonin mrekullisht me njëra tjetrën e drejta zakonore dhe koncepti i një jete të ngritur mbi realitetin e një jete të re, do të ishin të pranishëm forca e fjalës së burrit dhe fisnikëria e fjalës së gruas, dhe kufiri mes njërës dhe tjetrës do të ishte krejt i padukshëm. Nën atë strehë të madhe nuk kanë jetuar asnjëherë qenie të ndrydhura apo të shtypura, në të kundërtën, pas pamjes së jashtme, që nuk ishte edhe aq e vërejtur, ka jetuar një familje e madhe, e zakonshme për traditën drenicase, në të cilën gjithkush kishte vendin e tij, por njëkohësisht kishte edhe të përbashkëtën e tij me të tjerët. Tradicionalja ishte e ndërthurur mrekullisht me perceptimin real të jetës, dhe mes gjithë kësaj, do të jetë përherë tejet i nderuar, një kult i heshtur, figura e nënës, e rejave dhe e bijave. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klinika Infektive e QKUK-së ka bërë me dije se ka…