Bajrami reagon ashpër ndaj Hekuran Muratit: ‘Mashtrues keni qenë dhe të tillë mbeteni’
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, duke e akuzuar atë për mashtrime dhe për keqinformim të opinionit publik lidhur me çështjen e votimit të buxhetit.
Bajrami ka theksuar se situata aktuale nuk mund të krahasohet me rastet e kaluara, duke kujtuar se “në atë kohë z. Hoti ka qenë kryeministër në detyrë, jo deputet i betuar, ndërsa unë kam qenë ministre e financave në detyrë, jo deputete e Kuvendit.”
Ajo ka shtuar se interesi i shtetit është që “qeveria të largohet sa më parë, jo t’i zgjatet jeta me veprime në kundërshtim me Kushtetutën.”
“Mashtrues keni qenë, të tillë jeni dhe s’ka asnjë tregues që do të ndryshoni ndonjëherë”, ka shkruar Bajrami në “Facebook”, duke kërkuar shkuarjen në zgjedhje si zgjidhje të vetme nga kriza politike.
“Zgjedhje sepse s’ka zgjidhje – kthehemi te qytetarët, atyre u tregoni pse me 42% të votave nuk ishit në gjendje të bënit koalicion qeverisës”, ka shkruar ajo.
Postimi i plotë:
Mashtrues,
Situata nuk është e njëjtë sepse z. Hoti në atë kohë ka qenë Kryeministër në detyrë, jo deputet i betuar në Kuvendin e Kosovës, unë kam qenë ministre e financave në detyrë jo deputete e betuar e Kuvendit.
Interesi i shtetit është që ju sa më parë të shkoni në shtëpi e jo të ju zgjasim jetën duke e votuar buxhetin në kundërshtim me Kushtetutën.
Mashtrues keni qenë, të tillë jeni dhe s’ka asnjë tregues që do të ndryshoni ndonjëherë.
Zgjedhje sepse s’ka zgjidhje – kthehemi te qytetarët, atyre u tregoni se pse me 42% që nëntë muaj nuk ishit në gjendje të bënit koalicion qeverisës.



