Bajronizmi i një atdheu të dytë

30 tetor 2025 | 08:26

ABDULLAH KARJAGDIU

Ndikim të madh ushtroi Bajroni në letërsinë italiane. Lidhur me këtë ndikim kanë shkruar Muoni[1], Farinelli[2], Simharti[3], Da Porta[4], Bosko[5] etj. Në Itali prania e famës së Bajronit është e dyfishtë. Një pjesë të mirë të jetës së tij Bajroni e kaloi në Itali. Gjatë qëndrimit në Itali i dha kontribut lëvizjes së karbonarëve italianë, të cilët, ndonëse nuk e kishin turmën pas vetes, bënë përpjekje sporadike për t’i shporrur zgjedhësit e hasburgëve. Sa i përket Italisë si vend, Bajronit i pëlqente të fliste, se ai e donte Italinë më tepër se asnjë vend tjetër, madje edhe më tepër se Anglinë. Në të njëjtën kohë Bajroni u bë i popullarizuar në Itali edhe në saje të motiveve dhe tematikave të reja poetike, si dhe në saje të heronjve autentikë si dhe porosive liridashëse, kurse disa nga poemat dhe dramat e tij poetike si, fjala vjen, “Bepo”, “Marino Faliero”, “Mazepa”, “Ankesa e Tasos”, “Profecia e Dantes”, “Vizioni i Kiametit”, “Qielli e toka”, “Ishulli” etj., Bajroni i shkroi gjatë qëndrimit në Itali. Disa nga këto vepra flisnin për të kaluarën e Italisë, ndërsa disa të tjera heronjtë kryesorë ose motivet më të rëndësishme i kishin nga Italia. Veprat e Bajronit në Itali dolën në dritë më parë se në disa vende të tjera të Evropës. Kështu ai pati mundësi të ishte sa i popullarizuar si poet liridashës i cili e kishte përkrahur dhe përqafuar kauzën e luftës për çlirimin e popullit italian nga sundimi i huaj, aq edhe i njohur edhe në saje të përkthimeve që bëheshin nga krijimtaria e tij poetike. Revistat dhe të përkoh­shmet më të njohura të Italisë të asaj kohe, si “Konçiliatore”, “Antologjia”, “Biblioteka italiane”, “Muzeo di letere e filo­zofia” botonin jo vetëm përkthime të ndryshme në italishte nga vepra poetike e Bajronit por, njëkohësisht, botonin edhe artikuj, shënime, recensione dhe vështrime rreth Bajronit dhe bajroni­zmit. Leopardi vetëm për një kohë të shkurtër e deshi Bajronin, por së shpejti u ftoh nga bajronizmi. Selvia Peliko u bë admi­rues i bajronizmit për një periudhë më të gjatë të formimit e të pjekurisë së individualitetit të tij artistik. Cacini, përfa­qësuesi më i denjë i Përlindjes Italiane, e quajti me një rast Bajronin Napoleon të letërsisë. Mirëpo edhe në Itali, si në Francë dhe Gjermani, Bajroni dhe poezia e tij hasën në rezistencën e për­faqësuesve të shkollës neoklasike. Klasikët në Itali nuk mund ta merrnin me mend bajronizmin meqë shëmbëlltyrat dhe modelet e tyre, Virgjili e Danteja, nuk mund të viheshin në një kallëp me temat bajroniane, me formën dhe stilin e poezive bajroniane. Vetëm me mposhtjen e klasikëve, Bajroni nuk hasi në rezistencë serioze, kurse bajronizimi, varësisht nga lloji i romantizmit italian, prandaj depërton si në radhët e romantikëve milanezë, ashtu edhe në radhët e romantikëve lombardezë, napoletanë dhe kalabrezë. Sipas të gjitha gjasave, italianët janë të parët në Evropë të cilët u interesuan për veprat e Bajronit. Fragmente nga poezia e tij u botuan që në vitin 1810, kurse më 1817 në italishte doli “Gjauri” i Bajronit. Po në atë vit Silvia Peliko e përktheu “Manfredin” e Bajronit. Më 1852 dalin në dritë veprat komplete të Bajronit në italishte, në tri vëllime, në Torino. Edhe në Itali vdekja e Bajronit u bë nxitje për një sërë poetësh që t’i dedikojnë atij elegji dhe ditirambe. Në këtë vend, përveç mbi Pelikon, Bajroni ushtroi ndikim të dukshëm në Foskolon, Manconin, Berketin i cili u quajt “Bajroni italian”. Berketi konsiderohet si bajronisti më i flaktë italian. Imitues, dashamirë dhe bajronistë në Itali ishin edhe Gueraci, Bini, Fores, Pulle, Bencone, Kareri, baldakini, Mauro, Prati, Padula dhe De Virgjilis. Kësodore, në Itali, Bajroni ndikoi si me per­sonalitetin e tij, ashtu edhe me veprën e tij. Në Itali gëzoi një famë të posaçme edhe për shkak të dashurisë së tij të madhe për këtë vend, ndërsa angazhimi i tij për kauzën e lirisë së kombit italian, disa vepra të tij me tematikë italiane, njohja e gjerë e tij e kulturës dhe e gjuhës italiane, qenë si shkas që një numër i konsiderueshëm i romantikëve italianë ta konsiderojnë Bajronin si poetin e tyre.[6] Ndikimi dhe fama e Bajronit në Itali zgjati pothuajse deri në fundin e shekullit të kaluar dhe u para­qit në radhë të romantikëve italianë të veriut, të Italisë së mesme dhe të jugut. Në fund të shekullit tetëmbëdhjetë Italia ishte e ndarë në një sërë shtetesh të vogla feudale, me industri të dobët, me bujqësi të prapambetur dhe me një borgjezi të re.[7]

Revolucioni Borgjez Francez me parullat e tij të fuqishme, vëllazëri­min, barazinë dhe lirinë, gjeti jehonë të konsiderue­shme në Itali. Mirëpo, pavarësisht prej jehonës së këtyre ideve progresive dhe revolucionare, Italia ishte e copëtuar në disa principata feudale dhe gjysmëfeudale, prandaj borgjezisë ita­liane i ra hisja të vihej në krye të lëvizjes për çlirimin e vendit. Ndërkohë, luftërat e Napoleonit ndryshuan hartën politike të Italisë dhe sollën një sërë transformimesh ekonomike dhe poli­tike me karakter borgjez.[8] Mirëpo, pushtimi i Napoleonit, në një mënyrë të tërthortë, shpejtoi procesin e shthurjes së feuda­lizmit e të zhvillimit borgjez dhe i ndihmoi përforcimit të vetëdijes kombëtare në masat popullore të Italisë. Ndërkaq, me rënien e Perandorisë së Napoleonit, në Itali u restaurua një robëri e re feudale, u përtëri copëtimi politik, çoi krye reaksioni dhe një pjesë e vendit ra nën zgjedhën austriake.

Në dhjetëvjetëshin e dytë të shekullit nëntëmbëdhjetë në Itali filloi rezistenca e popullit italian kundër sundimit të huaj. Me atë rast zu fill lëvizja çlirimtare e drejtuar nga organizata e fshehtë e karbonarëve.[9] Pasues dhe nxitës i kësaj lëvizje çlirimtare, siç dihet, qe edhe Bajroni.

Lufta e popullit italian mori një hov të ri pas vitit 1830, kur doli në skenë organizata revolucionare e Macinit, “Italia e Re”. Por, si karbo­narët ashtu edhe pjesëtarët e organizatës revolu­cionare “Italia e Re” u orvatën ta marrin pushtetin me anë aten­tatesh, komplotesh, aksionesh të përkufizuara, pa u mbështetur në turmat e gjëra. Kjo luftë mori përpjesëtime më të gjëra në periudhën revolucionare të vitit 1848, ndërsa kulminacionin do ta arrijë pas njëzet vjetësh.

Në këtë luftë të popullit italian për liri dhe pavarësi, kalabre­zët dhe sicilianët u shquan për pjesëmarrjen e konsiderueshme të tyre. Trojet e Italisë së jugut qenë shesh i shumë lëvizjeve kryengritëse meqë kushtet e jetës ishin shumë të vështira.

Ferdinandi i dytë, i cili kishte hipur në fron më 1830, meqë ishte sundimtar ambicioz dhe reaksionar, vendosi një regjim të shtypjes, të abuzimeve, të dhunës dhe të robërisë.[10] Në këtë mënyrë Ferdinandi i dytë i habsburgëve po i çrrënjoste idetë e ithtarëve të kushtetutës të vitit 1795, të Republikës Parteno­peike, që për do kohë i kishte dëbuar burbonët nga Kalabria dhe Sicilia, ia kishte anuluar bujarisë dhe klerit privilegjet dhe kishte bërë të mundur përhapjen e ideve progresive të Revo­lucionit të madh Borgjez të Francës. Kryengritjet që shpërthyen gjatë sundimit të këtij tirani u mbytën në gjak. Kështu ngjau edhe me kryengritjen e Sikullës më 1837. “Populli im s’ka nevojë të vrasë mendjen e të mendojë. Unë mendoj për punët e tij. Unë përkujdesem për mirëvajtjen dhe dinjitetin e tij”[11] pohonte ky tiran dhe ndiqte çdo lëvizje përparimtare tok me bartësit e saj.

Kalabria në vitet tridhjetë dhe dyzetë të shekullit nëntëmbë­dhjetë ziente nga komplotet dhe aksionet kryengritëse, të cilat, si ato të Sicilisë, duke mos qenë të organizuara mirë, shtypen mizorisht. Pas ngjarjeve të vitit 1848, shtypjet, persekutimet dhe ndjekjet e regjimit të Ferdinandit të dytë, bëhen më perfide dhe i mbushin me gjak edhe një herë viset e përvuajtura të Italisë së jugut.[12]

Është interesante se arbëreshët, të shumtën e herës, qenë në ballë të ngjarjeve revolucionare të gjysmës së parë të shekullit të kaluar në Italinë e jugut. Shtypja e rëndë politike, depërtimi i ideve të reja, i bënë ata luftëtarë të paepur kundër absoluti­zimit burbon.[13] Kështu, fjala vjen, në lëvizjet e viteve tridhjetë dhe dyzet mori pjesë si udhëheqës arbëreshi Domeniko Mauri, shoku i ngushtë i De Radës. Da Rada vetë mori pjesë në njërin prej këtyre aksioneve të dështuara më 1837. Arbëreshët janë shumë aktivë në ngjarjet revolucionare të vitit 1848.

Pas triumfit të reaksionit, Ferdinandi i Dytë mohoi kushtetu­tën që kishte qenë i detyruar ta shpallte më parë, e ndaloi kon­vokimin e parlamentit në Napoli, filloi burgosjet, persekutimet dhe shtypjen e re. Me këtë rast, ky sundimtar absolut i likuidoi patriotët italianë, hodhi në pranga njerëz të pafajshëm, vuri nën censurën e rreptë artin dhe diturinë e kohës, imponoi një sklla­vëri të re.[14] Mirëpo, aspiratat dhe përpjekja për liri nuk pushuan, madje u rritën më tepër. Ligjet dhe vendimet e rrepta të sundim­tarit arrinin efekte të kundërta. Në popull shtohej dhe rritej edhe urrejtja ndaj tiranisë.

Si të arratisurit ashtu edhe të burgosurit ngrehnin zërin e tyre të protestës. Liria po shtypej, shkollarët dhe dijetarët, të mbetur në atdhe, por të syrgjynosur në qytete të largëta provinciale, me qëllim izolimi dhe kontrolli, si Tari, De Virgjili, Nikolla Çole, Il Kapoçi, punonin në heshtje dhe përgatiteshin për kryengritje. Kjo gjeneratë e shkrimtarëve, shkollarëve, dijetarëve dhe krye­ngritësve italianë, në jug të Italisë, në mesin e popullit të robë­ruar, nuk humbet besimin në fatin e vet, në ardhmërinë, në çlirimin, prandaj vepron pareshtur për të rilindur.[15]

Një dëshmitar i gjendjes së realitetit shoqëror të Italisë së jugut të kësaj periudhe ka shënuar: “Përkundër dhunës, shpirti i lirisë s’ka vdekur në Napoli. Ata që i njohin napoletanët, i duan… Ata s’po jepen, por po qëndrojnë në rezistencën e tyre të guximshme, në luftën e tyre për kauzën e Italisë e të lirisë”.[16] Letërsia dhe shkenca e kësaj periudhe në Napoli ishin bërë mjete bashkimi dhe përgatitje për luftën e lirisë. Arti ishte për­shkruar nga ideja e patriotizmit, gjakimit për liri dhe pavarësi. Këto ide ishin bërë preokupimi dhe aspirata e shumicës së letrarëve të kësaj periudhe.

Arbëreshët morën pjesë si në vuajtjet ashtu edhe në luftën për liri e pavarësi të Italisë së jugut. Ata qenë aq të pranishëm në jetën politike të Italisë së jugut në përgjithësi dhe në luftën kundër tiranisë në veçanti, saqë Ferdinandi i Dytë, kolegjin arbëresh të Shënmitër Koornës, vatrën e patriotëve revolucio­narë, e cilësoi “strofull nepërkash dhe fole djajsh” dhe deshi ta mbyllë.[17]

Një kolegj tjetër në Kalabri ishte bërë, po ashtu, qendër e kryengritësve arbëreshë. “Në kohën e tiranisë, kolegji i Shën Adrianos shndriste si pishtari i ndritshëm i lirisë, – shkruan Oresto Dito. – Këtu u edukuan të rinjtë e shumtë e të guxim­shëm me entuziazmin e një ideje, që i gjenin idetë magjike në veprat e mëdha të shkrimtarëve grekë, të cilat ide i dëgjonin të përsëriteshin nga buzët e arsimtarëve të tyre. Institucion emi­nent dhe popullor, ky kolegj ishte shndërruar në qendrën e partisë së Kalabrisë: këtu u hartuan planet, këtu u organizuan kryengritjet e viteve dyzet e katër dhe dyzet e tetë, këtu u bë popullore dhe u përhap ideja e revolucionit mes të gjithë arbë­reshëve të cilët, si njeri i vetëm, morën pjesë në kryengritjet tona”.[18] S’është pra çudi se pse, djaloshi i ri arbëresh, Agjesilao Milano, e bëri atentatin kundër mbretit.[19]

Arbëreshët do të marrin pjesë edhe në kryengritjen e Sicilisë që shpërtheu më 1860. Ata bëhen luftëtarë të Garibaldit duke marrë pjesë në çlirimin e Italisë së jugut dhe duke i merituar përgëzimet e Garibaldit, i cili tha se “shqiptarët janë heronj që janë dalluar në të gjitha përpjekjet me armikun”.[20]

Rilindësit dhe romantikët italianë ndienin një mirënjohje të thellë ndaj Bajronit ndërsa, në të njëjtën kohë, ishin të prirë ta shprehnin edhe admirimin e tyre për të gjitha ato përpjekje që kishte bërë Bajroni si për popullarizimin e vendit të tyre, ashtu edhe për angazhimin e tij në luftën e italianëve për liri.

Në Itali krijohet një legjendë e tërë bajroniane. Në krijimin e kësaj legjende marrin pjesë si Berketi, ashtu edhe Gueraci, si Bini ashtu edhe Baldakini, si Prati ashtu edhe De Virgjilisi, si Pelliko ashtu edhe Leopardi, si Kantu ashtu edhe Nikolini dhe si Padula ashtu edhe Mauro.

Në romantizmin italian Bajroni jo vetëm që u bë poet i njohur por, në të njëjtën kohë, u konsiderua mjeshtëri dhe artisti më i lartë i poezisë. Ai jetoi në imagjinatën e romantikëve italianë, në një mënyrë më të vërtetë intensive, si kasnec i lirisë dhe pri­jës i patrembur në luftërat kundër çdo lloj despotizmi. Mreku­llia e famës së tij duhet kërkuar në këtë cilësi të tij.

Vargjet bajroniane, të përkthyera në italishte, shndërroheshin në shigjeta vdekjeprurëse kundër tiranisë dhe shtypjes. Ai ishte udhëheqësi moral dhe ideologjik i poetëve, intelektualëve dhe kryengritësve italianë. Prandaj, për Silvio Pelikon, Bajroni s’kishte “buzëqeshje të pahijshme”, por ishte “një mendje e lartë dhe e ndritur”, një njeri i tillë të cilit “i vinte turp sa s’thuhet” pse ishte njeri dhe pse “ishte i shtrënguar të shër­bente”.[21]

I madh është numri i pasuesve, simpatizuesve, dishepujve dhe admiruesve të Bajronit në romantizmin italian. Të gjithë patriotët italianë, në një mënyrë apo në një tjetër, shfaqnin entuziazmin e tyre ndaj Bajronit. Jehona e tij arrin të shfaqet edhe në tragjeditë e Nikolinit, në romanet e Gueracit, në lirikat e Poerios, Rosetit, Mamelit, Padulës, Leopardit etj.

Arti romantik ideal në poezi, për disa poetë italianë, ishte bërë vetëm ai art që i shprehte aspiratat e popullit, që i zgjonte robërit, që predikonte çlirimin e atdheut dhe të popullit. Cacini pohonte: “Ne s’dimë për ndonjë simbol më të bukur të artit të kohës sonë se vdekjen e Bajronit në Greqi”. De Virgjilie e quante “çliruesi i Greqisë dhe poet sublim” autorin e “Çajld Haroldit”. Foresi adhuronte te Bajroni “antitezën”, atë që ishte “sublime”, atë cilësi të Bajronit që e bënte atë “piktor të deli­kteve të mnershme e misterioze dhe të gëzimeve të shenjta të virtytit”. Gueracit, nga një anë, Bajroni i dukej Lakont i cili vullnetarisht ka humbur rrugën në kthesa të ndërlikuara, kurse nga ana tjetër ai i dukej Gueracit “prijës i dashur i mendimeve të tij”.[22]

Një numër i konsiderueshëm i këngëve dhe kushtrimeve hele­nike të atyre kohëve të revoltës e kryengritjes e kanë zanafillën në këngët dhe veprat bajroniane. Këngët e Berketit, sidomos “Të mërguarit e Pargës” dhe “Fantazitë”, ushtojnë nga jehona bajroniane.[23]

Në veprat e romantikëve të tjerë italianë gjejnë jehonë tronditjet, motivet bajroniane, cilësitë e heronjve të tij, temat e tij, tipat e konspiratorëve, kusarëve, komplotistëve, hakmarrësve dhe të kryengritësve.

Jeta e Bajronit në këtë periudhë të letërsisë italiane u bë subjekt dramash. Pas vdekjes së tij adhuruesit dhe dishepujt italianë të Bajronit shkruajnë një mori odash, strofash, elegjish e vajtimesh. Këndohet dhe shkruhet rreth betimit të lordit Bajron, rreth Bajronit dhe dashnores së tij italiane Tereza Guiçolit, rreth Bajronit në Venedik, rreth Bajronit në Ravenë, rreth rrethimit të Mesolongut, rreth “zonjushës së panjohur greke mbi varrin e Bajronit”. Biografia e Bajronit ishte bërë romani më fascinues i atyre kohëve në Italinë e robëruar.[24]

Popullariteti i Bajronit dhe përhapja e bajronizmit këso kohe në Itali ishte në pajtim me veçoritë romantike të letërsisë ita­liane në përgjithësi dhe aftësinë e poezisë bajroniane që të kën­donte mbi atë që strukej në frikën dhe vetëdijen e të robëruarve në veçanti. Idetë bajroniane i pushtuan zemrat më fisnike dhe më të përvuajtura e më të zjarrta të poetëve romantikë. Ato u korrespondonin dëshirave, pikëllimeve, shqetësimeve të tyre. Kështu, trazimi i shpirtit të tyre ishte trazim i tij.

Atij i drejtoheshin për udhëzim dhe mësim, për të pasur në zemër një pasion të madh dhe të rrëmbyeshëm, një dhembje, dëshirën e një bezdie të pareshtur, maninë për t’u paraqitur të pikëlluar, për t’i treguar botës me klithje fatin e zi e të lig ndaj të cilit asnjeri s’ka mëshirë.

Gjeneratës së re, rinisë, që më pak ka nge të kridhet në për­siatje të thella, Bajroni i fliste me një autoritet të lartë dhe, për çudi, ia doli mbanë ta ekzaltonte, ta trondiste atë drejt veprave fisnike, drejt sendërtimit të idealeve.[25] Rininë e mbushte me entuziazëm vuajtja dhe durimi i Baj­ronit, guximi i tij, zotësia e tij që të mos dërrmohet e të mos zmbrapset as para rrezikut më të madh. Feliqe Bizaca me një rast e quan Bajronin “apostull i dyshimit”, por menjëherë shton se Bajroni është “shqiponjë e stërmave, rrufe, zanë, që lëshon shkretëtira lemeritëse…” Edhe heronjtë të cilët lindin me frymëzim bajronian, në poezinë ital­iane, fjala vjen “Eriku” i Padullës, i përngjajnë në gjeste e poza Bajronit.[26]

Ndonëse pikëllimi i thellë, pakënaqësia me realitetin dhe mërzia, si motive dhe disponime, janë veçori edhe të disa poetëve të tjerë pararo­mantikë dhe romantikë si, p. sh., të Jangut, Rusoit, Stalit, Shilerit, Shatobrijanit e të tjerëve, bajronistët italianë janë ekskluzivë. Ata kër­kojnë origjinalitet vetëm në poetin e tyre, në Bajronin prandaj, sipas tyre, nëse do të duhet të mësohet mënyra e shfaqjes në jetë e poezi, e brengës, e brejtjes së ndër­gjegjes, e mërzisë, e pakënaqësisë, e vuajtjes ose e qën­dresës, atëherë të gjitha këto duhet të mësohen vetëm nga një kryemje­shtër: Bajroni. “Vdekja e zemrës është përvoja – përsëriste Karlo Bini, bajronisti italian i cili e adhuronte Bajronin. Ishte ky një varg i Bajronit. Prati, nga ana e tij, e konsideronte Bajro­nin prijësin që e udhëhiqte atë “shkretëtirën njerëzore”.[27]

Edhe numri i bredhësve, i shtegtarëve dhe i Haroldëve, në poezinë romantike italiane, shtohet përherë. Haroldët e letër­sisë italiane i gjejmë duke bredhur me pakënaqësi të thellë në zemër, në shumë vise, treva dhe troje. Udhëtimet e Bajronit shënojnë etapat vendimtare për poetët e shekullit, prandaj edhe për një sërë poetësh italianë ato janë itinerare të obligueshme dhe parashikojnë emocione, ankime, dëshpërime dhe vrulle zemre.[28]

Nuk ka peizazhe më të mira e më të pëlqyera se ato të për­shkruara në tablotë dhe kuadrot fragmentare bajroniane, nga “Çajld Haroldi” e deri në këngët e fundit të “Don Zhuanit”.[29] Shtegtarët dhe poetët mërziten dhe damkosen në vendin e tyre, prandaj marrin arratinë, i dorëzohen gjirit të natyrës, si i dorë­zohej kryemjeshtri i tyre, kërkojnë vetminë, shërimin dhe ngu­shëllimin e shpirtit të plagosur dhe, në rast nevoje, vihen në ballë të të pakënaqurve, cubave e të taborëve të kryengritësve.

Në këtë mënyrë pasuesit italianë të Bajronit, bajronsitët italianë, shkojnë pas gjurmëve të shëmbëlltyrës së Bajronit, bëjnë përpjekje të identifikohen e të asimilohen me shpirtin e zhuritur e të çuar peshë të heronjve të tyre të rinj, të cilët, në të njëjtën kohë, janë engjëj dhe djaj, trima dhe mbinjerëz, dhe janë hakmarrës të tmerrshëm të mëkateve, të padrejtësisë e të mashtrimit, janë të pajisur me fuqi dhe zotësi misterioze, impo­zante, janë transformuar në kryecuba dhe komitë. Megjithatë, kanë mbetur madhështorë, bujarë, altruistë dhe të gatshëm t’u dalin në ndihmë të shkelurve, të shtypurve, të mjerëve e të robë­ruarve, duke i dërrmuar prangat e robërisë, duke i përmbysur keqbërësit dhe duke i dënuar despotët.[30]

Letërsia romantike italiane i kishte përfaqësuesit e saj bajro­nianë në pothuajse mbarë letërsinë italiane të romantizmit në veri, në Italinë e Mesme dhe në Italinë e Jugut. S’është pra çudi se pse disa poetë italianë pëlqenin të hiqeshin ose “Bajrona italianë” ose “dishepuj” të Bajronit. Pos Pelikos, Foskolos, Manconit, Padulës, Binit e disa të tjerëve, Gjovani Berket, i cili si Bajroni e urrente pushtetin robërues, kishte qejf të figuronte si “Bajroni italian”, ndërsa De Virgjilis, në jugun italian, ishte vetë “Bajroni italian i jugut”. Me të drejtë pohohet se në përgjithësi, në tërë letërsinë italiane romantike dhe politike që nga viti 1820, e tutje ku më pak e ku më shumë, por pareshtur është i pranishëm ndikimi i Bajronit.[31]

Sa i përket romantizmit të Italisë së veriut, siç pohon Da Porta, ai qe një romantizëm i veçantë që dallohej nga roman­tizmi italian në viset e tjera të Italisë. Romantizmi italian i veriut s’qe tjetër pos një përhapje dhe aplikim më i fuqishëm dhe një interpretim më konsekuent i teorive klasike të artit. Ndjenja romantike në të pati rol të përkufizuar.[32]

Da Porta pohon se gjurma e Bajronit në romantizmin lom­bardez është më e dukshme dhe e konsiderueshme, por jo aq e madhe. “Duhej të studiohej, – shkruan Da Porta, – letërsia e Toskanës, me Gueracin, Binin dhe Nikolinin, sidomos duhet të studiohen shkrimtarët e Napolit të periudhës tragjike të viteve 1848-1860, për ta vlerësuar ndikimin e rrëmbyeshëm të poetit anglez në shpirtrat e poetëve italianë të kësaj periudhe”.[33]

Përse bajronizmi gjeti një jehonë aq të madhe në Italinë e Jugut?

Vështirë do të mund të përgjigjeshim pa ndihmën e studiu­esve të romantizmit italian. Një ndër ta, Da Porta, i përgjigjet pjesërisht kësaj pyetje. “Duhet që me përkushtim, durim dhe dashuri t’i shfletosh veprat e harruara, ku kumbon vaji i tërë një populli të shtypur, që rënkonte për drejtësi dhe hakmarrje, e ta kesh të qartë sugjerimin e stërfuqishëm të Bajronit i cili nxiti një vrull të thellë imitimi gati-gati të paparë deri atëherë…”.[34]

Sipas këtij studiuesi të letërsisë krahasuese, në krijimtarinë napolitane, më mirë se në çdo krijimtari tjetër në Itali, ka mundësi të vërehen e të studiohen karakteristikat e bajronizmit, me të gjitha aspektet e tij, si fakt dhe si manifestim shpirtëror dhe politik.[35]

Edhe Shuteriqi, për një dukuri të këtillë të romantizimit italian, e sheh të udhës të shënojë se letërsia italiane duhej vështruar jo vetëm “si një e tërë”, por edhe në shfaqjet e saj origjinale nga njëra provincë në tjetrën, prej Milanos së romantizmit të madh, te Firenca në fillim aq refraktare ndaj romantizmit dhe që klasicizmin e pat zakonisht për zemër apo te Kalabria ku, sipas de Sanktisit, kemi një romantizëm të cilin ai e quan “të natyrshëm” e me “një fizionomi ‘strum und drang’”.[36] Sipas të gjitha gjasave, pikërisht në romantizmin napoletan dhe kalabrez, që nga një anë ishin të afërt dhe, nga ana tjetër, edhe të ngjashëm, bajronizmi italian u shpreh dhe u shfaq si një dukuri e gjerë, me të gjitha cilësitë e tij të mira e të këqija, të dobishme dhe efemere, me të metat dhe epërsitë e tij.

Në romantizmin napolitan gjendeshin, në të vërtetë, dy tendenca. Ishte një rrymë e fortë klasike, formale, që mbësh­tetej në argumente dhe në kanune klasike dhe tradicionale. Pasues të këtyre rrymave ishin Puoti, Kampanja, Gjuzepina Guaçi dhe Saveria Baldakini, e cila, ndonëse qe kundër formave të reja, njëkohësisht ishte mjaft e prirë ndaj imitimit të idesë së re. Ky klasicizëm i çuditshëm kishte aspiratat e një klasicizmi të vërtetë. Në të vërtetë, kjo ishte një rrymë transitore nga klasicizmi i përshtatur drejt shkallës tjetër, drejt rrymës së romantikëve të rinj. Në grupin e romantikëve të rinj, me cilësi evidente bajroniane, gjendeshin Miralia, Mauri, Lauziersi, Malpika e, më në fund, edhe Paskuale de Virgjili, Bajroni i Italisë së jugut.[37] Dhe ndërsa rryma klasike e romantizmit napolitan, duke rënë në kontakt me rrymat filozofike të Gjermanisë, shndërrohej fare lehtë në filozofi ose, si thotë De Sanktisi, në “sentimentalizëm”[38], romantikët e rinj pëlqejnë ta begatojnë poezinë me ndjenjat dhe pasionet e tyre të zjarrta. Pikërisht këta të fundit i ka ndërmend Setembrini kur shkruante se: “Në Napoli po konsiderohej, kurse arti ishte bërë mjet i konspiracionit”.[39]

Në anën tjetër, derisa rryma kauziklasike e romantizmit napolitan orvatej t’i impononte kanunet e veta të demoduara, romantikët e rinj napoletanë shpalleshin misionarë dhe gjurmues të së vërtetës, të realitetit, të drejtësisë dhe pëlqenin ta shprehnin dashurinë e tyre të madhe ndaj natyrës, në vend se të thurnin sentenca të vjetruara. Pikërisht nga kjo gjeneratë e re e romantikëve Bajroni u mirëprit, u glorifikua dhe u imitua me respekt dhe kujdes. Galleti s’është fort larg të vërtetës kur shkruan se “Bajroni u dukej imagjinatave të jugut Jupiter dhe gjurmues i një poezie titanike dhe jashtëzakonisht indivi­duale”.[40]

Meqë në poezinë bajroniane pasqyroheshin edhe pasionet e rrëmbye­shme njerëzore, hakmarrjet, flaka e dashurisë, qoftë edhe nga gremina e ferrit, në poezinë e tij heroi, herë-herë, nga errësira dilte në dritë, nga luftërat më të rrepta arrinte në idil, në paqe e qetësi dhe, më në fund, meqë heronjtë bajronianë bredhin dhe kërkojnë vetminë, ngushëllimin, hakmarrjen ose lirinë në pyje të tmerrshme, lugina e bjeshkëve të thepisura, romantikët kalabrezë s’patën fare vështirësi që pasionet e heronjve bajronianë t’i identifikojnë me pasionet e bashkë­vendësve të tyre, kurse peizazhet bajroniane t’i gjejnë në Kalabrinë e tyre kre­shnike.[41]

Kështu, me ballë të vërejtur i kalonte “netët e gjata, mbi letrat e zhubravitura Korrado del Gati, sepse pikëllimin dhe vuajtjen e tij asnjeri s’e kuptonte, sepse ai s’e kishte zbërthyer misterin e madh të jetës, s’ia kishte dalë mbanë të marrë vesh sfingën e madhe të kësaj jete, kurse pyetja dhe këlthitja e tij shpirtërore kishin mbetur pa përgjigje. Po kështu, vuajnë, por s’jepen dot në burgje, heronjtë e poemave bajroniane të Kareros, si të ishin vëllezërit e “Të burgosurit të Shilonit”. Në një mënyrë të ngjashme, më në fund, protestojnë, shajnë dhe e mallkojnë dhunën e perëndinë disa heronj të poemave të Paskuale de Virgjilit.

Në romantizmin napolitan Bajroni si personalitet dhe poezia e tij janë objekte përkthimesh, ndikimesh dhe polemikash së shpeshta. Sidoqoftë, bajronizmi i jugut italian shndrit me hovin dhe fisnikërinë e tij dhe është më i fuqishëm se klasicizmi romantik toskan dhe romantizmi lombard.

Në Napoli më parë mbretëron ideali i malconit, i Gjobertit, i Grosit, i Berketit, i Karkanos. Është ky ideal i krishterë, idilik e sentimental. Mirëpo, pas do kohe, neoklasicizmi napolitan ose tendenca klasike e romantizmit napolitan, shkolla e Gjordanos dhe e Puotit, e humbet truallin dhe zë të evoluohet. Romantizmi triumfon.[42]

De Virgjili e përhap dhe e imponon romantizmin revolucionar francez dhe bajronizmin ekstrem. Afiniteti i De Virgjilit ishte aq i madh ndaj Bajronit, modelit të preferuar të tij, saqë De Vigjili në çdo pikëpamje orvatet ta imitojë modelin e tij.

Bajronistët napoletanë, sikundër bajronistët e tjerë të roman­tizmit italian, ndiejnë një admirim të madh ndaj modelit dhe idilit të tyre. Ky admirim i tyre spikatet sidomos në poezinë e tyre. Motivet, disponimet, temat, heronjtë dhe idetë e Bajronit ringjallen, përtërihen dhe rikëndohen në veprat e pjesës më të madhe të bajronistëve napolitanë.[43]

Ndërkaq, pothuajse të gjithë bajronistët e jugut italian kanë një admirim të madh ndaj pasionit politik të Bajronit. Baldakini, fjala vjen, vëren më 1856 se “Bajroni, prej se mori pjesë në kryengritje, interesimi për veprën letrare të tij ra në planin e dytë sepse, sipas tij (dhe Bajronit), kryengritja e një populli e errëson çdo vlerë tjetër”.[44]

Gati ka një qëndrim autentik ndaj Bajronit. Ai shpreh mendimin se përshkrimi i dhimbjes dhe i dyshimit nga Bajroni ka një fuqi dhe magji aq të madhe saqë asnjeri tjetër s’mund të matej me Bajronin në këtë. Sipas Gatit, heronjtë e veprave të Bajronit vërtet janë kryengritës të rreptë, por të mirë. Gati shkruan: “Thuhet se poezia e Bajronit e vështron botën në një mënyrë të zhgënjyer dhe ateiste dhe se në veprën e tij s’ka tjetër pos heroizmit të fatkeqësisë”. Mirëpo Gati s’mund të pajtohet tërësisht me një interpretim të këtillë. Ai thotë: “Në të jeton një dashuri e ngrohtë dhe entuziaste, një besim shumë i madh në të mirën, të vërtetën, të bukurën, në çdo gjë që është fisnike dhe gjeneroze. Ai dyshim i tij i lëmekur, s’është dyshim i mohimit, por dyshim i forcës dhe i aspirimit”.[45]

Pas kësaj, bajronistët e jugut italian, në saje të famës së modelit të tyre, sigurojnë për veten e tyre ndihmën e nevojshme kundër tiranisë së huaj. Prandaj, për ta Bajroni është “poeti më i madh i cili aq e rriti lavdinë italiane”.[46] Së këndejmi, pas disa polemikave mes rrymës neoklasike dhe rrymës romantike të poezisë napolitane, Bajroni u mirëprit nga të dyja shkollat e romantizmit napolitan. Dhe sapo u përkthye dhe u lexua sa duhet në italishte, ai u shndërrua në një forcë aktive dhe u bë shëmbëlltyrë e poetëve të gjeneratës së re. Kjo gjeneratë e re polemizoi më pak rreth Bajronit, por s’përtoi të frymëzohej, të udhëzohej e të mësonte nga veprat bajroniane.

Bajronistëve italianë të jugut u pëlqente pasqyrimi në poezi i mistereve dhe enigmave të jetës. Atyre u pëlqente edhe mënyra e glorifikimit poetik dhe human të dashurisë në poezinë bajro­niane. Ata e kuptuan se dashu­ria e heronjve bajronianë është unike, e mrekullueshme, e shenjtë dhe e pamposhtur. Kjo flakë dashurie, nga heronjtë bajronianë, kaloi edhe në heronjtë e poemave të romantikëve italianë të jugut. Kështu, në veprat që i shkruajnë bajronistët italianë të jugut, shihet qartazi se dashuria e ka vendin kryesor në shumicën e poemave dhe dramave. Është pikërisht ajo dashuri bajroniane, sipas së cilës, jeta s’vlen asgjë pa dashuri, meqë ajo është ngushëllim, arrati, shpresë, faj, mëkat dhe mirësi.[47] Prandaj, si e tillë, ka fuqinë dhe pushtetin t’i gjunjëzojë edhe heronjtë më të pamë­shirshëm të poemës. Sepse dashuria bajroniane, si profetizonte Bajroni dhe si e kuptonin mirëfilli bajronistët napoletanë dhe kalabrezë, është një mistere e hyjnueshme, një dëlirje e shpëtim. Është, si thuhet te “Gjauri”, “dritë e qiellit”, “një rreze drite e amshueshme që na bashkon me engjëj”.[48]

Rëndomë edhe në poemat e pasuesve napoletanë të Bajronit, femra e dashuruar ndahet ose rrëmbehet me dhunë nga i dashuri. Perfiditeti njerëzor dhe robëria janë pengesat dhe barrierat e sendërtimit të lirisë dhe të lumturisë, por dashuria, si te vepra bajroniane, është e zjarrtë, unike.

Të marrim edhe disa shembuj të mëtejmë të veçorive të baj­ronizmit napolitanë dhe kalabrezë. “Cubi” i Gatit, fjala vjen, është një hero të cilin e ka damkosur dhe mallkuar shoqëria. Ai kalon një jetë kusari, në natyrë, në det, mes shokëve. Poshtërsisë njerëzore i përgjigjet me hakmarrje si Kusari i Bajronit. Dash­norja e tij quhet Lejla, si dashnorja e “Gjaurit”, mirëpo i ka edhe cilësitë e Medorës dhe të heroinave të tjera të Bajronit.

Heroi i Gatit lufton kundër turqve. I shpëton me arrati tira­nisë turke, por këtë tirani ai e urren dhe lufton me mllefin e një kusari bajronian. Ndërkaq, ai është bërë cub e kusar për hir të atdheut dhe lirisë. Cubi i Gatit, i gatshëm për hakmarrje, bro­horit:

Rrokni armët,

Ju bij të popullit që flen

Nëpër shekuj e harresë,

Rrokni armët,

Kujtoni stërgjyshat e juaj,

Ndoshta fati do të jetë me ju![49]

Aty kah viti 1848 kushtrime të këtilla shkruhen dhe këndohen bukur shpesh në Italinë e jugut. Ky kushtrim bajronian jehonë në poema, kushtuar trimërisë greke, por është dashuria për kau­zën e lirisë që shprehet kështu në veprat e poetëve italianë, pasuesve të Bajronit, të cilët, kësodore, të paktën, ndonëse në robërinë austriake, ishin në gjendje të flisnin për liri, t’i stigma­tizonin e t’i mallkonin tiranët, të cilët s’quheshin vetëm turq.[50]

Gati në këtë vepër të tij s’ngurron ta adaptojë edhe këngën bajroniane me motive shqiptare të “Çajld Haroldit”, “Tamburxhi! Tamburxhi!” Mjeshtëria dhe shëmbëlltyra duhej të respektohe­shin, meqë ai dinte si e bënin kushtrimin ata që donin të luf­tonin e të vdisnin me armë në dorë.

Poema “Kryqtari” i Gatit është ndarë në këngë të shkurtra, fragmentare si poemat bajroniane. Në të dominojnë përshkrime të gjata, trishtimi që s’gjen ngushëllim dhe dëshira për kënde­lljen e aventurave të harruara; i deziluzionuar në dashuri, i shndërruar në armik të shoqërisë, në vend që të bëhet cub ose kusar, heroi bëhet kryqtar, shndërrohet në një Harold kryqtar. Kështu, heroi bajronian i Gatit, kësaj radhe, pos karakteri­stikave të dalluara bajroniane, merr edhe disa karakteristika të misionarit të krishterimit.[51]

Edhe “I burgosuri” i De Gjovanos është nxitur nga “I bur­gosuri i Shilonit” të Bajronit. Mirëpo, imitimi, si thotë Da Porta, është i sipër­faqshëm dhe i paqëlluar.[52] Shpirti bajronian kësaj here s’është kuptuar nga autori napoletan i të “Burgosurit”. Këtu, në veprën e napolitanit, heroi vret një jetim të vetmuar. Pas hakmarrjes ka shpresë se shoqëria do ta kuptojë hakma­rrjen e tij meqë shoqëria e ka katandisur në burg. Mjerisht, në këtë poemë, çdo efekt poetik është i kotë[53], meqë kur të na kujtohet se edhe delikti i heroit bajronian s’është një hakmarrje barbare, por një vepër kreshnikërie, një ndërmarrje simbolike, një metaforë e triumfit të së drejtës mbi të padrejtën, atëherë shihet qartazi se sa meskin është heroi i De Gjovanos.[54]

Bajroni është ndër poetët e parë filohelen. Helenizimi i tij dallohet nga helenizimi i Landorit, i Shelit, i Kitsit. Bajroni, kur e lypte nevoja, s’interesohej vetëm për artin dhe bukurinë e Greqisë antike, ai s’mahnitej vetëm me peizazhin e bukur grek, por shqetësohej për çështje praktike, për kauzën e pavarësisë greke.

Bajroni ishte i pari poet i cili ia filloi një helenizimi të këtillë. Ky pasion fisnik i tij, kjo dashuri e tij për këtë popull të shtypur, përshkruan pothuajse çdo vepër të Bajronit. Një ndjenjë e këtillë bajroniane, në Italinë e Jugut, të robëruar, nxit një sërë imitatorësh që t’i këndonin himne dhe t’i thurnin lavde dhe kushtrime popullit të shtypur grek. Në këtë mënyrë italianët e shtypur e shprehnin dëshirën e tyre për një kryengritje.[55] Kështu, në të përkohshmen “Iride” të romantikëve të jugut të Italisë, botohet “Kënga e Polikarit” e Imbrianit. Në të njëjtën të përkohshme botohet “Kënga mbi vdekjen e Marko Boçarisit”, të prijësit të njohur suljot nga Brajada. Këtu i boton poemat e tij helenike dhe kushtrimet edhe Lauziersi.[56]

Procedura e këtyre romantikëve pothuajse ngaherë është e njëjtë; vajohet e tanishmja e mjerë, rënkohet me plot adhurime për epokat e të së kaluarës së lavdishme e tronditëse, përkujto­hen ngjarjet dhe episodet lavdiplote, fitoret madhështore, me ç’rast jehonë përpjekja dhe tendenca për ndezjen e zemrave kreshnike, në të njëjtën kohë, gjysmëhëna i kundërvihet kryqit, kështu që shpeshherë lufta për liri është edhe luftë religjioze ose luftë mes gjysmëhënës dhe kryqit.

Ndjenja sekrete e poetit italian të jugut, këso kohe, manifes­tohet tërthorazi: duke e qarë robërinë e kombit grek, ai vajton robërinë e popullit të vet; duke u dhënë zemër luftëtarëve për pavarësinë e Greqisë, ai u jep zemër kryengritësve italianë sepse, si këndon Imbriani në “Këngën e Plaikarit”:

Greqia dhe Italia janë motra

Një qiell i mbulon, një det i lanë,

I lidh dashuria për gjërat më të bukura

Lavdia e armët, mendimi i zjarrtë.[57]

Me fjalë të tjera, Italia e jugut, e robëruar nga Austria, si Greqia nga turku, “me bukurinë, me fatin e tyre, janë motra”, janë dy kombe që vuajnë, të ndara nga deti Jon. Në këso rastesh emri i Bajronit përmendet me respekt të denjë si emri i luftëtarit dhe i prijësit të madh të lirisë.

Poeti romantik i Italisë së jugut, Malpika, me ciklin e poezive të tij helenike, konsiderohet pasues tjetër i Bajronit. Vetë titujt e disa poemave të tij na i përkujtojnë disa tema të poemave të Bajronit, fjala vjen, “Trimëria dhe qëndresa”, “Dita e mramë e Pargës”, “Robëresha e krishterë”, “Marko Boçari” etj. Malpika u ndikua nga “Don Zhuani” i Bajronit, nga “Korsari” e “Gjauri”, mirëpo ai mbeti vetëm një kopjues i disa situatave dhe dispo­nimeve të veprës bajroniane.[58]

Nikola Sole është një imitues tjetër i Bajronit në romantizmin napolitan. Në fillim të karrierës së tij ai qe nën ndikimin e Montit dhe të Manconit, më vonë ra nën ndikimin e Bajronit. Ndikimi i Bajronit në veprën poetike të Soles vihet re më së miri në poemën e tij të titulluar “Selimi”. Heroi i poemës në fjalë ka ngjashmëri të madhe me Alpin e Bajronit të “Rrethimit të Korinthit”. Ngjarja e poemës ndodh në Orientin e vërtetë në Arabi. Ajo fillon papritmazi dhe përfundon papritmazi. Heroi i tij, një kalorës fatlig, gjurmon të dashurën që ia kanë rrëmbyer armiqtë. Ai vuan, tretet, bredh, mallkon dhe vendos të harrojë gjithçka në vetmi, tokën, qiellin, shoqërinë, prandaj heq dorë nga feja dhe atdheu, nga ndjenjat dhe miqtë.[59]

Kështu, Selimi i “Soles”, si Alpi i “Rrethimit të Korinthit” të Bajronit, i transformuar dhe i kamufluar, për shkak të fyerjeve, poshtërimeve dhe njollosjes së padrejtë në vendlindje, shndë­rrohet në një mysliman, e luftën, atdheun dhe fenë e dikurshme i mbron me shpatë në dorë, për shkaqe gjysmë të kuptueshme e gjysmëmisterioze. Ndonëse Sole orvatet në shumë aspekte ta imitojë Bajronin, Selimi i tij, megjithatë, bredh si ndonjë fantazmë dhe, pos përmallimit për dashurinë e parë, s’di të tregojë ndonjë gjallëri më të madhe ose ndonjë vetëdije më të lartë të jetës se të një heroi të një poeme bajroniane.

Disa karakteristika të “Valentinos” së Padulës (i dalë në dritë në Palermo më 1845), nxjerrin në dritë ndikimin e Bajronit. De Sanktisi shkruan: “Valentino është ideali i idealit të Bajronit. Poeti ia vesh Valentinos çdo gjë të ndershme e të llahtarshme, çdo gjë që do të mund t’ia rrëqethte shtatin njeriut. Valentinoja bën incest dhe krim ndaj prindërve. Ky është një kombinim me zanafillë nga Bajroni, por i tepruar, i zmadhuar. Na lë përshty­pjen se është diçka jo e natyrshme”.[60]

Cilësitë e ekzagjeruar të Valentinos i kanë heronjtë e Bajronit, por duhet thënë se edhe heroi i Padulës kërkon lirinë, të për­kryerën, ndonëse drejt qëllimeve të këtilla shkon nëpërmjet një lufte të paepur kundër çdo gjëje e kundër të gjithëve. Ai ushqen:

Një urrejtje kundër Zotit, kundër vetes

Një urrejtje kundër njeriut, kundër të mirës,

Kundër virtytit të të tjerëve, një merak

Të madh që të bëjë gabime të reja e

Të marrë ndëshkime të reja…[61]

Më në fund, të themi edhe disa fjalë për bajronizmin e Paskvale de Virgjilit, Bajronit të Italisë së jugut, i cili ishte poet romantik revolucionar dhe përparimtar. Për De Virgjilin thuhet se me Bajronin pat një ngjashmëri temperamenti: qe me temperament të gjallë, i vrullshëm, i rrëmbyeshëm, i pasionuar, udhëtoi në Orient dhe në Evropë, u njoh me njerëz të dijshëm, e përdori poezinë si armën e tij, u krodhë në politikë, u përpoq për evo­lucionin intelektual të Italisë, u mor me pasion për lirinë e ven­dit të tij, kurse për të mirën e atdheut dhe të njerëzimit, i sakri­fikoi të gjitha aftësitë dhe energjitë e tij.[62]

Pothuajse në çdo vepër të De Virgjilit, ndikimi i veprës së Bajronit është i konsiderueshëm. Është interesant se veprat e De Virgjilit, si poezitë lirike ashtu edhe poemat, si novelat ashtu edhe tragjeditë e tij, në një mënyrë ose në një tjetër janë frymëzime ose tema bajroniane. Vepra e tij “Orienti” është kryesisht nën ndikimin e “Çajld Haroldit” të Bajronit. Heroi i do viset e largëta, bredh, përsiat, shfaq mendime sentencioze, dashurohet në vashat e Orientit, kujton me trishtim ata që e bënë fatkeq, ankohet nga fati i lig, vuan dhe pyet: “Përse linda? Që të vdes!”, pastaj këlthet: “Qoftë mallkuar ai që e trilloi jetën që të shpije në vdekje!”[63]

“Agonia e një patrioti” është një vepër tjetër e De Virgjilit që na përkujton “Meloditë Ebreje” të Bajronit. Në këtë përmbledhje tingëllon një poezi pikëlluese me pezmatime. Në të këndohet jo për lirinë e gëzimet e jetës, por për dhembjen, vuajtjen në errësirë, lotët e hidhura të të robëruarit, dëshpërimin. Galeti, duke i krahasuar “Meloditë Ebreje” të Bajronit me “Agoninë e një patrioti” të De Virgjilit, thekson: Këto poema në prozë t’i përkujtojnë ‘Meloditë Ebreje’. Mirëpo, kjo vepër e Bajronit është shkruar në vargje dhe i celebron episodet nga Dhiata e Vjetër. Në të gjallon një lirikë e dendur që s’ka fije pesimizmi ose skep­ticizmi. Në ‘Agoninë’ e De Virgjilit vlon lufta e mendimeve dhe kushtrimi për kryengritje: besimi dhe mallkimi gërshetohen. Autori e mbështet betejën e shpejtë për jetë a vdekje…”[64]

Në një poemë tjetër lirike të De Virgjilit, “Amerikani”, duket sheshazi ndikimi i temës së “Rrethimit të Korinthit”. Një prind plak e pengon sendërtimin e pasionit të të birit. Ky i fundit, për t’u hakmarrë, bashkohet me anglezët të cilët e kanë rrethuar qytetin e tij. Pavarësia e pasionit fitohet me shpatë në dorë. Xhinsi, renegat si Alpin në “Rrethimin e Korinthit” të Bajronit, përjeton situata të ngjashme si Ygu ndaj të atit në “Parisioanën” e Bajronit, Virgjinia, e dashura e xhinsit, vdes nga dashuria si Medora. Ajo ta përkujton Françeskën e “Rrethimit të Korinthit”, e cila deri në fund shpreson se i dashuri i saj është shpirtbardhë prandaj, herët a vonë, do të pendohet. Qyteti pushtohet, Xhonsi dënohet, kurse Virgjinia zhduket.[65]

Poema e Virgjilit “Suljotët” fillon me përkthimin e “Këngës së famshme greke” të Bajronit. Kjo vepër e tij është shkruar nën ndikimin e disa veprave të tjera, por ndikimi i Bajronit është evident. Në të ndeshim edhe Ali Pashën e Tepelenës i cili:

Qe tiran zulmëkeq

I madhështisë së vet

Dhe rreptësia e tij

I ndihmoi vetvetes.[66]

Dhe i cili e ka burgosur Xhavellën, udhëheqësin e rezistencës kundër Ali Pashës në Pragë, që është një tip heroi i pampo­shtur. Ali Pasha, në “Suljotët” e De Virgjilit, i çon fjalë Xhavellës që ose ta dorëzojë Sulin ose të jetë i gatshëm ta pësojë mllefin dhe hakmarrjen e tij. Suljoti shpreh gatishmërinë për hir të lirisë të përbuzë dënimin, jetën e tij dhe të djalit të tij dhe, pasi i bindë suljotët të luftojnë e të mos dorëzohen, kthehet në burgun ku e kishte mbyllur Aliu, për ta mbajtur fjalën e dhënë. Aliu e liron udhëheqësin suljot, por jep urdhër që Suli të sulmohet me forca të mëdha.[67] Episodi final është si ai i “Rrethimit të Korinthit”, ndërsa disa episode të tjera t’i përkujtojnë disa pjesë të “Korsarit”.

Qytetarët struken në tempullin e fortesës të cilin Xhavella e hedh në ajër. Bajroni është aq i pranishëm saqë atij i dedikohet një himn i tërë:

O ti që Greqisë i dole zot

Atëherë kur shërbente

Gjëmonte e shpresonte

Agime të bardha, ditë të kthjellëta

Ti pishtar i lirisë greke,

Bajron hyjnor!

Dhe me këtë rast ankohet nga:

 

Vdekja, nën pushtetin e së cilës

S’u arrit gëzimi mortal.

 

Ndonëse, De Virgjili, pohon me bindje se:

 

Veprat dhe kujtimi yt janë eterne.[68]

 

Te “Konstatina” e Di Virgjilit sërish kemi të bëjmë me një temë bajroniane. Një francez dashuron një arabe. Ai e rrëmben të dashurën dhe e merr arratinë. Ai ka një rival mirëpo, kur ajo s’e mban fjalën, ai e vret atë. Të dy rivalët ndeshen me rastin e rrethimit të Kostandinopojës. Bëhet një dyluftim i tmerrshëm. Ishte një luftë mes gjarprit dhe luanit. Turku plandoset për dhe i vrarë, pikërisht ashtu sikundër vriten Hasani nga Gjauri. Kemi edhe disa elemente të tjera të “Gjaurit” të Bajronit: dashurinë, fenë, atdheun, ndjenjat madhështore dhe përshkrimet e bukura.[69]

“Epikardi” i De Virgjilit ta përkujton “Gecin e Fon Berlibingenti” të Getës dhe “Murin” e Shillerit, mirëpo në të spikaten edhe karakteristikat e heroit bajronian. Në të vërtetë, në të shfaqen disa karakteristika të “Larës” së Bajronit.

Epikardi dashuron një vajzë të cilën s’ia japin prindërit. Ai e rrëmben atë dhe e merr arratinë tok me të. Bëhet prijës i cubave. Shndërrohet në hakmarrës. Këtu shfaqen disa ngjashmëri edhe me “Korsarin” e Bajronit. Është shumë e qëlluar kënga e cubave dhe përshkrimi i jetës dhe visit ku jetojnë cubat me Pikardin. Feudalët e mëdhenj mblidhen dhe bashkohen për t’u rënë cubave e për t’i dërrmuar ata, mirëpo Pikardi i sulmon ata pa pritur në gosti, pikërisht si te “Korsari”. Me të jeton një pazh anonim, misterioz, por i dashur, silazhi i “Larës” së Bajronit.

Cubat jetojnë të ngushëlluar se edhe atyre do t’u vijë çasti i hakmarrjes. Vasha të cilën e dashuron Pikardi vritet dhe atëherë edhe ai, i zhgënjyer në jetë, pa të dashurën e tij, bën vetëvrasje.[70]

Ndikimet e Bajronit vërehen edhe në veprën “Kataldo”, “Para agonisë”, “I dënuari” dhe në një sërë lirikash të tjera të De Virgjilit. Në këto të fundit De Virgjili i përmbahet struk­turës, syzheut, idesë, formës dhe frymës së lirikave të Bajronit. Herë-herë, ndërkaq, poetët romantikë të Italisë së jugut nuk janë në gjendje ta interpretojnë dhe ta imitojnë Bajronin si duhet. Kështu, ka raste kur në poetët e sipërpërmendur kemi të bëjmë vetëm me imitimin e përshkrimeve të jashtme dhe me kopjimin e disa situatave.

Temat filohetenike, ngandonjëherë, s’janë të përshkruara me atë “zjarrin bajronian”. Ka raste kur bajronistët napoletanë dhe kalabrezë nuk janë në gjendje të penetrojnë në vlerën simbolike dhe shoqërore të heroit bajronian, ose s’janë të aftë ta kuptojnë frymën dhe rolin e posaçëm të heroit bajronian.[71]

Për këtë arsye, Da Porta vjen në përfundim se bajronizmi napolitan, si ai italian në përgjithësi, është nga një anë një dukuri mjaft e përhapur e romantizmit napolitan, por jo me vlerë të konsiderueshme artistike, me frymëzime jo gjithaq të qëlluara poetike, nga ana tjetër. Një përjashtim, sipas tij, do të mund të ishte De Virgjili i cili ia doli mbanë t’i përjetojë e t’i ngjallë të gjitha elementet intelektuale, individuale dhe praktike të Bajronit në veprat e tij.[72] Një bajronist tjetër interesant, sipas tij, është edhe Domenik Mauri, për të cilin do të bëjmë fjalë më tutje.

Në disa raste të tjera bajronistët italianë, ndonëse e admiruan, u orvatën ta imitojnë e të mësojnë prej tij, s’qenë në gjendje t’i afroheshin gjithaq gjeniut të tyre, kështu që veçoritë e mira të disa veprave të Bajronit, s’i zbërthyen dot, kurse ndonjë të metë të veprës së tij e interpretuan edhe më keq.[73]

Letërsia arbëreshe e Rilindjes sonë kombëtare, siç dihet, u zhvillua në kohën e përhapjes së romantizmit në letërsinë ita­liane, prandaj Shuteriqi me plot të drejtë shtron ndikimin e romantizmit italian në letërsinë e re arbëreshe. Sipas Shuteriqit, romantizmi italian nuk pati ndonjë ndikim të madh në letërsinë arbëreshe, meqë romantikët arbëreshë nuk e jetuan asnjëri fazën e diskutimeve që u ndez në Itali dhe as që ra nën ndikimin serioz të romantikëve të mëdhenj italianë si Montit, Foskolos, Leopardit apo Manconit.[74] Shuteriqi pohon se në veprat e poe­tëve arbëreshë kemi më shumë kujtimet e poezisë së madhe kalorësiake të Rilindjes italiane, të veprave të Ariostos dhe Tasos, sesa të romantikëve italianë. “Nuk duhet të harrojmë, – shkruan ai, – se letërsia arbëreshe duhej të kishte dhe e pati pro­cesin e vet origjinal të zhvillimit. Nuk duhet të harrojmë, po ashtu, prestigjin e veçantë që pati mbi arbëreshët, sikundër edhe mbi italianët, romantizmi i madh evropian, veçanërisht ai francez dhe anglez”.[75]

Edhe në historinë e letërsisë shqipe do të mësojmë se letërsia arbëreshe pati një sërë karakteristikash autentike dhe origjinale. Në saje të daljes së një plejade të mirë poetësh me talent të shquar, sidomos të De Radës, Serembes, Gavril Darës, Domenik Maurit, Santorit, Skiroit e të tjerëve, letërsia arbëreshe e sheku­llit XIX mori hov dhe shkoi përpara nga brendia dhe forma, duke i dhënë letërsisë shqipe disa nga veprat më të fuqishme dhe artistike më të përkryerat.[76]

Burimet kryesore të letërsisë arbëreshe qenë e kaluara e lavdi­shme e popullit shqiptar dhe jeta fshatarake. Në folklorin e tyre të pasur ishte ruajtur malli i atdheut dhe kujtimi i bëmave hero­ike të stërgjyshërve të tyre në kohën e Skënderbeut. Përmes artit romantikët arbëreshë bëjnë përpjekje për të ringjallur një per­iudhë të lavdishme të historisë shqiptare, për ta ndezur flakën e atdhedashurisë, urrejtjen ndaj skllavëruesit turk dhe për ta glorifikuar trimërinë shqiptare, bukurinë e racës e të gjuhës shqipe.[77]

Në letërsinë e arbëreshëve u zhvilluan gjini të ndryshme let­rare, por zotëroi poema me format e ndryshme të saj epike, epiko-lirike, lirike, lirike-dramatike. Morën hov poezia lirike, patriotike, erotike, satirike, refleksive e natyrës etj. Metoda krye­sore dhe zotëruese qëndroi – romantizmi, por shumë autorë arbëreshë, të ushqyer me kulturë klasike, si De Rada, Skiroi, Mauri, i përdorën edhe mjetet e klasicizmit, duke i gërshetuar me sukses me ato të romantizmit.[78]

Në historinë e letërsisë shqipe do të mësojmë se letërsia arbë­reshe ishte krijuar në atmosferën e nën ndikimin e roman­tizmit. Autorët e kësaj historie pohojnë se letërsia romantike italiane ishte bërë shprehëse e luftës për çlirimin dhe bashkimin kombëtar.[79] S’do mend se edhe letërsia romantike arbëreshe, nga ana e saj, ishte bërë shprehëse e luftës për glorifikimin, çlirimin dhe pavarësinë kombëtare. Megjithatë, Shuteriqi shton: “Ai që ne e quajtëm revolucion në letërsinë arbëreshe të vitit 1836, nuk ngjau vetëm kundër shekullit XVIII letrar arbë­resh, por solli edhe afirmimin e letërsisë arbëreshe e cila tani sheh jo vetëm përvojën italiane, por edhe përvojën evropiane të romantizmit”.[80]

Ndërkaq, duke bërë fjalë për romantikët arbëreshë, duhet të merren parasysh edhe disa rrethana të tjera. Duhet vënë në dukje, ndër të tjera, se poetët romantikë, hera-herë, e përkujto­nin faktin se ata ishin të mërguar në një atdhe tjetër, të dytë, prandaj, ndonëse edukoheshin dhe shkolloheshin në italishte dhe italishten e kishin gjuhë të arsimit, të komunikimit zyrtar dhe gjuhë intelektuale, ata askurrë s’donin të shqiteshin nga tradita e gjuhës, folklorit dhe letërsia e trashëguar.

Të paatdhe dhe të pakuptuar nga qarqet intelektuale italiane ashtu edhe nga qarqet zyrtare italiane, të papërkrahur në aspi­ratat e tyre të çlirimit të Shqipërisë, të rrezikuar vazhdimisht nga asimilimi, poetët arbëreshë, si të kishin pasur nevojë për udhëheqës dhe prijatarë shpirtërorë, të cilët, me fuqinë e fjalës së tyre të zjarrtë, do t’i zgjonin nga jeta që s’premton ideale, nga shpresa që përkufizohet e soset me iluzione.

Dhe është interesante se te disa poetë arbëreshë, sa më e zymtë që ravijëzohet e ardhmja e afërme, sa më i qartë del fakti se përpjekjet e tyre për çlirimin e vendit të stërgjyshërve po bëheshin të kota, aq më e thekshme bëhet ideja e sakrificës dhe e patriotizmit në poezitë e tyre. Këtu, ndoshta, duhet kërkuar referimin e disa poetëve romantikë arbëreshë që të shndërrohen në bartës të mesianizmit kombëtar, ose t’u japin heronjve të poemave të tyre cilësi të dukshme të mesianizmit kombëtar. Ky ishte, si të thuash, synimi më i shpeshtë poetik dhe moral i poetit romantik arbëresh, i cili, sikundër disa poetë të tjerë të romantizmit evropianë, ishte i prirë ta konsideronte veten profet të frymëzuar, prijës i lartë i kombit, predikues i kombit të shtypur e të katandisur në robëri.

Dhe kur arbëreshët, si banorë të Italisë së robëruar, s’patën si të luftojnë për Shqipërinë e tyre, ata luftuan për çlirimin e Italisë së Jugut, duke marrë pjesë në një varg kryengritjesh dhe revolucionesh në Sicili e Kalabri gjatë gjysmës së parë të shek. XIX. Kështu, kauzën e çlirimit kombëtar e lidhën me atë të çlirimit të popujve të tjerë dhe, duke i kënduar trimërisë së shqiptarit, i kënduan edhe luftës çlirimtare të popujve të tjerë, si Serembeja kryengritjes së Kretës, Kadikamo luftës së popullit të Transvalit kundër kolonialistëve anglezë, Mauri dhe Sqiroi luftës së popullit italian kundër pushtuesve austriakë etj.[81]

Për poetin romantik arbëresh arratia nga realiteti, përpjekja që në saje të imagjinatës së rrëmbyeshme poetike të harrohet realiteti i hidhur ashtu edhe vetëdija e të paplangut, të të mër­guarit dhe të njeriut të paatdhe, ishin të vërteta që, të shpeshtën e herës, shprehen si preokupim i tij i ndryshuar thellë. Së kën­dejmi, poeti arbëresh i romantizmit pëlqen ta marrë rolin e martirit politik, të luftëtarit të një kauze të humbur, por gjithnjë të aspiruar, ta shndërrojë disfatën në fitore shpirtërore e të jetë konsekuent në përpjekjet e tij për ta arritur idealin.

Një aspekt tjetër i romantizmit arbëresh, për të cilin është bërë fjalë mjaft nga studiuesit e letërsisë shqipe, është pasqyrimi vizionar i të kaluarës. Vëmendja e poetit romantik arbëresh përqendrohet dhe kthehet kryesisht në epokën e lavdishme të rezistencës shqiptare, në periudhën heroike dhe legjendare të Skënderbeut. Mirëpo, nuk mungojnë rastet e kthimit edhe në të kaluarën e afërme, sidomos në epokën e Ali Pashës.

Ndërkaq, ndjenja e realitetit, sipas të gjitha gjasave, është ana më e dobët e romantikëve arbëreshë. Mjafton të lexosh “Milosaon”, “Skënder­beun e pafanë” të De Radës, ose “këngën e Prapsme të Balës” të Gavril Darës (të Riut) ose edhe “Milin dhe Hajdhin” të Skiroit, që të fitosh përshtypjen e thellë se ke të bësh me botë individuale poetike, me botë vërtet madhështore, të larta, idi­like, fisnike por, në të njëjtën kohë, edhe me botë që kanë të bëjnë fare pak me realitetin politik dhe shoqëror të kohës së tyre. Janë këto më parë aspirata vizionare poetike dhe histo­rike, kridhje në vegime, bredhje plot përmallim në të kaluarën dhe në trojet e të parëve që s’u panë askurrë nga stërnipat sesa pasqyrime të qëlluara të realitetit arbëresh.

Një faktor tjetër që duhet pasur parasysh për ta kuptuar kthesën e madhe të letërsisë arbëreshe në shekullin XIX, kalimin e kësaj letërsie nga një letërsi didaktike, religjioze dhe folklorike në një letërsi artistike, është edhe rryma e re letrare e romantizmit, që nisi e u përhap në Evropë në fillim të atij shekulli, me karakteri­stikat që ajo mori në Itali, posaçërisht në Itali të jugut.

Ato karakteristika, siç u tha më lart, janë të konsiderueshme, përkundër faktit se letërsia arbëreshe e Rilindjes sonë Kombëtare ka qenë një dukuri autentike.

Bajronizmi i jugut italian, në një mënyrë apo në një tjetër, duhet të ketë ushtruar ndikim në disa poetë arbëreshë. Teke­fundit, poetët arbëreshë të shek. XIX krijuan dhe jetuan në kohën e përhapjes së vrullshme të bajronizmit në viset italiane ku ato jetonin. Së këndejmi, në atdheun e dytë të tyre, shkrim­tarët arbëreshë të Rilindjes, edhe pse mbështeteshin në një traditë tjetër kulturore, ishin në gjendje ta përcillnin letërsinë artistike kryesisht në italishte. Dhe kjo gjuhë e dytë e tyre, gjuha e shkollimit dhe formimit të tyre intelektual, u dha mundësi që t’i lexonin si autorët e shquar të letërsisë italiane, po ashtu edhe autorë të tjerë të letërsisë evropiane. Në italishte ata duhet të kenë lexuar për Bajronin, duhet t’i kenë lexuar veprat e tij dhe duhet t’i kenë përcjellë polemikat mes neoklasikëve dhe bajro­nistëve.

Tani mund të konstatojmë se suljotët, polikarët, Ali Pashë Tepelena, Xhavella, mesjeta, pushtimi osman, tirania e huaj, lufta kundër despoti­zmit, lufta për liri ndjenjash, aspirata për t’u shmangur konvencioneve dhe moralit shoqëror, hakmarrja, dashuria e zjarrtë dhe disa tema e motive të tjera, që më parë paraqiten si tema bajronistësh të jugut, Imbrianit, De Virgjilit, Soles, Malpikës etj., janë edhe temat e disa poetëve tanë arbë­reshë, atëherë s’kemi thënë asgjë të re, meqë poetët arbëreshë kishin edhe mjaft veçori të tjera krijuese që i bënin ata të dalloheshin nga krijuesit e tjerë italianë të asaj kohe. Mirëpo, sa dihet, bajronizmi i Italisë së jugut, i atdheut të dytë të arbëre­shëve tanë, u përhap shumë më parë se bajronizmi në letërsitë ballkanase në përgjithësi dhe në letërsinë e Rilindjes sonë kom­bëtare në veçanti.

 

Marrë nga numri 24 i revistës “Akademia”.

[1] C. Muoni, La Fama del Byron e il Byronismo in Italia, Milano, 1903

[2] Arturo Farinelli, Byron e il Byronismo, Bologna, 1924

[3] Max Simhart, Lord Byrons Einfluss auf die Italienische Literatur, Leipcig, 1909

[4] Antonio da Porta, Byronismo Italiano, Milano, 1924

[5] U. Bosco, Byronismo Italiano,La Cultura, 1924, f. III, 6

[6] C. P. Brand, Byron and the Italians,The Byron Journal, nr. 1, London, 1973, f. 14

[7] Antonio Da Porta, Byronismo Italiano, Milano, 1924, f. 249

[8] Aty f. 249

[9] Përbërja shoqërore politike e karbonarëve ishte shumë heterogjene. Qëllimi i tyre kryesor ishte që ta çlironin Italinë nga zgjedha e huaj, por ata s’ishin të lidhur me masat popullore.

[10] Antonio Da Porta, vep. e cit., f. 249

[11] Aty f. 249

[12] Historia e letërsisë shqipe, Prishtinë, 1968, f. 296

[13] Aty f. 296

[14] Antonio da Porta, vep. e cit., f. 250

[15] Aty f. 250

[16] Max Monier, Revue des Deux Mondes, 5 Avril, 1865

[17] Historia e letërsisë shqipe, vep. e cit., f. 296

[18] A. Stratico, Manuale di Letteratura Albanese, Milano, 1896, f. 277

[19] Historia e letërsisë shqipe, vep. e cit., f. 296

[20] Aty f. 296

[21] Arturo Farinelli, vep. e cit., f. 170

[22] Aty f. 171

[23] Aty f. 172

[24] Aty f. 172-175

[25] Aty f. 175

[26] Aty f. 176

[27] Aty f. 177

[28] Aty f. 177

[29] Aty f. 178

[30] Aty f. 179

[31] Giusseppe Chiarini, Lord Byron nella Politica e nella Letteratura della prima meta del secolo, Nuova Antologia, 1891

[32] Antonio da Porta, vep. e cit., f. 249

[33] Aty f. 249

[34] Po aty

[35] Po aty

[36] Dhimitër Shuteriqi, Mbi disa çështje të letërsisë shqipe të Rilindjes Kombëtare,Nëpër shekuj letrarë, Tiranë, 1973, f. 132

[37] Antonio da Porta, vep. e cit., f. 251

[38] De Sanctis, La Letterature Italiane del sec. XIX, Napoli, 1914, f. 22

[39] Antonio da Porta, vep. e cit., f. 251

[40] Galleti, L’Opera di V. Hugo in Italia, Giornale Storico Supplementario, f. 62, cituar sipas Antoni da Porta, f. 251

[41] Historia e letërsisë shqipe, vep. e cit., f. 297

[42] Antonio da Porta, vep. e cit., f. 252

[43] Aty f. 253

[44] Aty f. 257

[45] Aty f. 254

[46] Aty f. 257

[47] Aty f. 266

[48] Arturo Farinelli, vep. e cit., f. 95

[49] Antonio da Porta, vep. e cit., f. 269. Këto vargje na përkujtojnë vargjet bajroniane të Himnit grek. (Përktheu A. K.)

[50] Aty f. 270

[51] Aty f. 274

[52] Aty f. 278

[53] Aty f. 279

[54] Aty f. 279

[55] Aty f. 285

[56] Aty f. 285

[57] Aty f. 286. (Përktheu: A. K.)

[58] Aty f. 287

[59] Aty f. 295.

[60] De Sanctis, f. 116. Cituar sipas Antonio da Portas, f. 299

[61] Aty f. 300. (Përktheu: A. K.)

[62] Aty f. 314

[63] Aty f. 315

[64] Aty f. 319

[65] Aty f. 320

[66] Aty f. 320. (Përktheu: A. K.)

[67] Aty f. 321

[68] Aty f. 321. (Përktheu: A. K.)

[69] Aty f. 322

[70] Aty f. 323

[71] Aty f. 335

[72] Aty f. 335

[73] Aty f. 336

[74] Dhimitër S. Shuteriqi, vep. e cit., f. 131

[75] Aty f. 133

[76] Historia e letërsisë shqipe, vep. e cit., f. 300

[77] Aty f. 301

[78] Aty f. 301

[79] Aty f. 301

[80] Dhimitër S. Shuteriqi, vep. e cit., f. 133

[81] Historia e letërsisë shqipe, vep. e cit., f. 302

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
CHARLES BAUDELAIRE Duke shëtitur i vetmuar në një park të…