
Bajrush Xhemaili për ikjen në amshim të nënë Dinorës: Ti dhe gjithçka dhe nuk kërkove asgjë!
Fjalimi mortor i Bajrush Xhemailit i mbajtur në Maçitevë të Suharekës, me rastin e vdekjes së nënës Dinore, nënës së Fadil, Nexhmije, Miradie, Maliq, Naser, Valbona, Lumnije, Shqipe, Avni dhe Skender Ndrecaj që të gjithë të rreshtuar në frontin e luftës për liri.
Fjalimi i plotë:
Në rrethana normale, e tëra që një nënë dëshiron për fëmijët e vet, është që ata të jenë të lumtur. Sepse, nëna i lind fëmijët, jo nga detyrimi, por nga dashuria.
Sot, po ndahemi nga nëna Dinore. Është kjo një ndarje, që trazon thellë shpirtin e secilit prej nesh që e kemi njohur; që kemi ngrënë bukën e saj; që jemi ngrohur ngë fryma e saj; që jemi frymëzuar nga forca e saj; që jemi mrekulluar nga qëndresa e saj; që jemi motivuar nga thirrja e saj…
Sakrifica e nënës Dinore, për të rritur dhjetë femijë, në një varfëri, pothuaj të frikshme, por asnjëherë të shpërfaqur si gjendje e tillë, ishte shenja e parë se, kjo nënë, kishte diçka të veçantë, pothuaj qiellore brenda vetes.
Një familje e tërë, e rreshtuar aktivisht në çdo fazë e në çdo proces të përpjekjeve tona për çlirim, do ta kishte vështirë qëndrueshmërinë, nëse nuk do të kishte brenda vetes dhe në ballë të vet, një nënë e cila kapërcen dimensionin e natyrshëm të misionit amnor, për të kapur shkallët monumentale të dimensionit të një nëneje heroinë.
Dhjetë fëmijë, secili prej tyre me përjetime të veçanta të rënda, si të burgosur politikë, si të persekutuar e si luftëtarë të lirisë, vështirë se do të mund të ishin të tillë, pa pasur bekimin e një nëne, e cila dashurinë për femijët e vet, e kthen njëkohësisht në forcën për të përballuar dhembjen për mungesën e tyre, deri në frikën e humbjes së tyre.
Vajzat në burg e në luftë, djemtë në burg e në luftë, njëri djalë, madje edhe i dënuar me vdekje fillimisht…
Ç’lloj force duhet për ta përballuar një zezonë të tillë…?
Si ia doli nëna Dinore të mbetej e papërkulur, e pathyeshme ndaj dhembjeve të tilla…?
Adem Demaçi, i pyetur njëherë-në ndiente keqardhje që kishte humbur rininë në burgje, qe përgjigjur vendosmërisht: “Jo nuk ndiej keqardhje fare, sepse unë kam mundur ta përballoj, ndërsa ka pasur të tjerë që nuk kanë mundur!”
Po nëna Dinore…
Është shumë e qartë: duket si i ishte shkruar një fat hyjnor, që të përballej me të gjitha ato vuajtje e dhembje, jo sepse ajo ishte e detyruar t`i përballonte, por ishte zgjedhur sepse ajo-mund t`i përballonte të gjitha, me vullnetin e vet të plotë, me ndërgjegje të patrazuar, me vendosmëri e këmbëngulje të tejkohshme e të tejtrajtshme…
Më kujtohet si sot, kur në Burgun e Dubravës, i solli të birit të saj, Naserit një –FLI.
E shijuam të gjithë që ishim aty. Unë u thashë të tjerëve, se ajo ishte flia më e mirë që kisha ngrënë ndonjëherë dhe se e meritonte medaljen e artë.
Sot, kur e sjell në mendjen tuaj dhe timin këtë moment aq domethënës si kujtim, them se Nëna Dinore, jo vetëm që bënte flinë më të mirë, por ishte-FLI(jim) edhe vetë.
Dhe një rit tradicional që erdhi tek ne në burg, nëpërmjet një gateseje autentike shqiptare, në të vërtetë ishte një sinonim i vetë identitetit e personalitetit të devotshem të nënës Dinore. Siç ishte flia nje rit arberor flijimi për diellin, edhe Nëna Dinore ishte një grua e vecante, që e kishte kuptuar thellë misionin e vet, i cili simbolikisht do të thotë: ashtu siç duron dhimbjet e padurueshme një nënë për të ndier lumturinë e lindjes së një fëmije, duhet të durojë edhe dhembjen për sakrificën e fëmijëve të vet, kur ajo sakrificë është një shtatzëni për lindjen e lirisë!
Fadili, Nexhmija, Miradia, Maliqi, Naseri, Valbona, Lumnija, Shqipja, Avniu dhe Skenderi të rreshtuar gjithnjë në frontin e parë të luftës për liri, ishin jehonë e thirrjes dhe e frymëzimit të Nënë Dinores, e cila i qëndroi në krahë të qëndresës bashkëshortit-babait, Ymerit.
Sot kur po ndahemi nga nëna Dinore, jemi të vetëdijshëm se e kemi të vështirë t`i dalim hakut.
Na dha bukë, shtrojë e mlojë, dashuri, përqafime, zemër, frymëzim e forcë, që të përballemi dhe të dalim fitimtarë me armikun më të egër që njeh historia njerëzore.
Të gjitha nënat ishin luftëtare…
Por, nëna Dinore, me qëndrimin dhe forcën e saj mbinjerëzore, renditet në mesin e atyre grave të veçanta, kujtimi për të cilat, nuk mund të mbetet vetëm një zbrazje fjalësh në përvjetorë!
Nëna Dinore, meriton një momument që brezat pas nesh, jo vetëm ta kujtojnë, por edhe ta prekin dhe ta nderojnë soleminisht!
E dashura dhe e shtrenjta nëna Dinore,
Faleminterit për gjithçka që bëre për familjen, për miqtë, për secilin njëri në nevoje dhe veçanërisht, për kombin dhe atdheun!
E dashura dhe e shenjta nëna Dinore,
Ti dhe gjithcka dhe nuk kërkove asgjë!
Emri yt është një skalitje e devotshme dhe e dinjitetshme e virtyteve të njerëzores dhe atdhedashurisë!
Madhështorja nuk gjen prehje më besnike kund tjetër, më shumë sesa në portretin tënd të plotë!
Familje Ndrecaj, miqve, dashamirëve, bashkëluftëtarëve e bashkëluftëtareve të djemve e vajzave të nënës Dinore, ngushëllimet më të thella!
Nderim, mirënjohje, respekt, vlerësim dhe-lavdi, jetës dhe veprës heroike monumentale të nënës Dinore.
1983fc42-35d9-4dfb-911a-b6a2ee292a49