Ballkani shkëputet në krye, Drita merr barazim në Klinë, Malisheva fiton në shtëpi
Albi Mall Superliga e Kosovës dhuroi emocione dhe gola këtë të shtunë, me tri ndeshje interesante të xhiros së 16-të. Ballkani e përforcoi pozitën e parë në renditje, me fitore bindëse para tifozëve të vet ndaj Prishtinës së Re, me shifrat 6:1. Almir Kryeziu, Walid Hamidi dhe Valentin Serebe u shndërruan në protagonistët e takimit, duke shënuar nga dy gola secili. Ndërkaq, golin e vetëm për mysafirët e realizoi Astrit Berisha. Pas kësaj fitoreje, Ballkani kryeson tabelën me 29 pikë, ndërsa Prishtina e Re mbetet e fundit me 14 pikë.
Një dramë e vërtet u zhvillua në stadiumin “13 Qershori” në Klinë. Dukagjini ishte pranë fitores, por Drita barazoi në fund falë golit të Besnik Krasniqit në minutën e 94-t. Më herët Dienit Isufi e kaloi Dukagjinin në epërsi në minutën e 53-të me një goditje me kokë. Me këtë barazim, Dukagjini ngjitet përkohësisht në vendin e dytë me 27 pikë, ndërsa Drita bie në pozitën e pestë me 24 pikë, duke pasur ende një ndeshje më pak të zhvilluar.
Malisheva ka vazhduar me formë të mirë, duke realizuar fitoren e katërt radhazi. Kësaj radhe duke e mposhtur Drenicën në “Liman Gegaj”, 2:0.
Të dy golat i shënoi mbrojtësi i krahut të majtë, Arlind Veliu (2’, 10’). Drenica e mbylli ndeshjen me dhjetë lojtarë, pasi portieri Kenan Haxhihamza u ndëshkua me karton të kuq në kohën shtesë.
Malisheva mban vendin e katërt me 25 pikë, ndërsa Drenica mbetet në zonën e barazhit, në vendin e tetë me 17 pikë.



