Barcelona i frikësohet largimit të Yamal

23 maj 2025 | 11:01

Barcelona po shpreson të arrijë një marrëveshje të re afatgjatë me yllin e ri të skuadrës, Lamine Yamal, për ta nënshkruar sapo ai të mbushë 18 vjeç në korrik, por procesi nuk po shkon aq lehtë sa do të dëshironin drejtuesit katalanas.

Një para-marrëveshje ekziston mes Barcelonës dhe Lamine Yamal, që parashikon nënshkrimin e kontratës së re në ditëlindjen e tij të 18-të, por kushtet e saj ende nuk janë finalizuar. Komplikime dolën në sipërfaqe këtë javë, kur u raportua se adoleshenti kishte kërkuar të bëhej një nga lojtarët më të paguar të klubit.

Ky informacion u mohua nga drejtori sportiv Deco, por në klub thuhet se ekziston një ndjenjë pasigurie për situatën. Për këtë arsye, Barcelona dëshiron që negociatat të përfundojnë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Sipas të përditshmes Mundo Deportivo, Barcelona i ka vendosur një afat negociatave deri të hënën që vjen, më 26 maj, për të përmbyllur kushtet e kontratës me Lamine Yamal dhe përfaqësuesit e tij. Klubi e ka bërë të qartë se nuk dëshiron të presë deri në korrik për të rifilluar bisedimet, por synon që marrëveshja paraprake të formalizohet dhe të hyjë në fuqi më 13 korrik.

Raporti gjithashtu thotë se Barcelona ka frikë nga mundësia që të vijë një ofertë “stratosferike” që mund ta tundojë Lamine Yamal-in. PSG ka treguar prej kohësh interes për sulmuesin e ri dhe kjo është konfirmuar disa herë nga vetë Deco dhe presidenti Joan Laporta. Ka gjasa që ata të rikthehen me një ofertë gjatë verës, ndaj klubi dëshiron që gjithçka të mbyllet brenda fillimit të javës së ardhshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mark Zuckerberg, CEO i Meta, po i lë pas smartfonët…