Bardh Frangu, pjesë e edicionit të pestë të “Fiction Fest”-it
Shkrimtari dhe publicisti i njohur Bardh Frangu do të jetë pjesë e edicionit të pestë të Festivalit të Prozës Artistike “Fiction Fest” që do të organizohet nga Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi”. Ai është një nga krijuesit dhe intelektualët më në zë të letërsisë dhe kulturës së sotme shqipe në Kosovë.
Shënime për autorin
Bardh Frangu lindi më 1956 në Sllatinë të Vitisë. Ka mbaruar studimet në Fakultetin Filozofik (tani filologjik), Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, në Prishtinë. Ka punuar në disa gazeta dhe revista si gazetar dhe kolumnist, si redaktor dhe kryeredaktor. Jeton dhe vepron në Ferizaj.
Anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve është që nga viti 1989, përkatësisht kryetar i Degës së Shkrimtarëve për rajonin e Ferizajt. Fitues i disa shpërblimeve letrare. Autor i disa veprave letrare si romane, drama dhe poezi. I përfshirë në disa antologji brenda dhe jashtë vendit. Autor i shumë vështrimeve letrare dhe teatrore, të botuara në gazeta dhe revista të vendit.
Veprat e botuara: “Ora e shtëpisë”, poezi, botoi “Rilindja”, Prishtinë, 1989, “Kohë të kauçukta”, roman, botoi “Rilindja”, Prishtinë, 1993, “Fluturimi dhe rënia e Ben Balës”, roman, botoi shtëpia botuese “Rozafa”, Prishtinë, 2010, “Laviret e duan atdheun më shumë”, poezi, botoi shtëpia botuese OM, Prishtinë, 2013, “Çelësi i zonjës Meri”, roman i përzgjedhur nga Ministria e Kulturës dhe i botuar nga shtëpia botuese OM, më 2019, dramat: “Udhëtim në përjetësi”, e përzgjedhur nëpërmjet një konkursi nga teatri i Pejës “Istref Begolli”, i cili edhe e inskenoi në vitin 20017, “Në sheshin e krenarisë”, dramë e shpërblyer si teksti më i mirë në Festivalin Kombëtar të Teatrove në Ferizaj, në vitin 2006 dhe “Duke pritur trenat”, dramë e inskenuar nga teatri i qytetit “Adriana Abdullahu”, në Ferizaj, në vitin 2016.
Bardh Frangu do të jetë pjesë e edicionit të pestë të “Fiction Fest”-it në natën e dytë të këtij festivali (05.11.2025, ora 18:00).
Ndihmëtare e “Fiction Fest”-it, edicionit të pestë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.



