Bardhi: Po vlerësojmë çdo mundësi për të patur një bashkim të PD-së

31 janar 2024 | 22:29

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike në Shqipëri, Gazment Bardhi thotë se po bëhen përpjekje për bashkim të kësaj force politike, pasi përçarja e deritanishme sipas tij, e ka bërë opozitën jo funksionale.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai tha se po vlerësohet çdo mundësi “për një projekt të përbashkët politik, një projekt të përbashkët të përballjes edhe jashtë parlamentit me qeverinë e korruptuar të Edi Ramës”.

Ai nuk dha një përgjigje direkte kur u pyet nëse do të njihte Sali Berishën, si kryetar të PD-së, në rast bashkimi. “Ka zero rëndësi fakti se kush njeh kë tashmë në Partinë Demokratike sa kohë çështja e legjitimitetit të institucioneve të Partisë Demokratike është një çështje që sot që flasim ndodhet në gjykatë”, u shpreh ai.

Bardhi, tha se ai edhe deputetët që e përkrahnin do të vazhdojnë të kërkojnë ndryshimin e përbërjes së komisionit të reformës zgjedhore ndërsa kritikoi sërish shumicën për bllokim të ngritjes së komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mori sot pjesë në ceremoninë…