Bardhyl Mahmuti: Vendi i Fatmir Limajt është në PDK!

02 dhjetor 2025 | 20:45

Në një reagim publik, njëri nga bashkëthemeluesit e Partisë Demokratike të Kosovës, Bardhyl Mahmuti, ka bërë thirrje për uljen e tensioneve politike dhe për krijimin e një klime bashkëpunimi në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.

Mahmuti theksoi se sfidat me të cilat po përballet Kosova kërkojnë “konsensus minimal për çështjet jetike” dhe u bëri apel drejtuesve të partive që të anashkalojnë inatet personale në interes të vendit.

Ai kërkoi që udhëheqja e PDK-së të tregojë gatishmëri për bashkëpunim të gjerë, duke hapur dyert për të gjithë ata që dëshirojnë të rikthehen ose të bashkërendojnë veprimtarinë politike me partinë — veçanërisht për figurat historike që kanë kontribuar në themelimin e saj.

Mahmuti shprehu shqetësimin për zërat se Fatmir Limajt, ish-komandant i UÇK-së dhe një nga themeluesit e PDK-së, mund t’i jetë mohuar mundësia për t’u bërë pjesë e listës së përbashkët për zgjedhjet e ardhshme.

“Sikur këto spekulime të ishin të vërteta, atëherë ata që i fryjnë idesë për t’ia mbyllur dyert Fatmir Limajt, nuk ia duan të mirën as PDK-së, as Kosovës,” tha Mahmuti. Ai shtoi se PDK-ja ka nevojë për çdo anëtar, e aq më tepër për një luftëtar lirie dhe figurë themeluese si Limaj.

Në fund, Mahmuti uroi që drejtuesit legjitimë të PDK-së të përballen me dinjitet me sfidat aktuale, përfshirë edhe procesin gjyqësor në Hagë, të cilin ai e quajti “padrejtësi shekullore”.

“Dalshi faqebardhë në këto rrethana,” përmbylli Mahmuti mesazhin e tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Industria e automjeteve elektrike në Kinë ka marrë gjysmën e…