Barometri i BKS-së: FSK-ja, institucioni më i besueshëm nga qytetarët, qeveria më e korruptuara

24 nëntor 2020 | 11:34

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar edicionin e dhjetë të Barometrit Kosovar të Sigurisë (BKS).

Barometri Kosovar i Sigurisë është një mjet i QKSS-së përmes të cilit maten perceptimet publike në Kosovë në lidhje me besimin e qytetarëve në institucione dhe çështje të ndryshme që lidhen me sigurinë.

Në edicionin e tij të dhjetë, BKS-ja ka marrë një shtrirje rajonale dhe është zhvilluar paralelisht në Kosovë dhe Serbi duke shënuar edicionin e parë të Barometrit të Sigurisë në Ballkanin Perëndimor (BSBP), raporton “Epoka e re”.

Edicioni i BKS-së, raporti për Kosovën, përbëhet nga tre kapituj.

Kapitulli i parë paraqet perceptimet e qytetarëve lidhur me besueshmërinë në institucionet e sigurisë, drejtësisë, si dhe në institucione e nivelit qendror dhe lokal. Në anën tjetër, kapitulli i dytë interpreton perceptimet e qytetarëve lidhur me korrupsionin në këto institucione. Së fundmi, në kapitullin e tretë reflektojnë të gjeturat e raportit për kontaktin e drejtpërdrejtë të qytetarëve me këto institucione në 12 muaj e fundit.

Teksa në kapitujt e lartpërmendur ky raport ofron një pasqyrë të përgjithshme të perceptimeve të qytetarëve, ai gjithashtu paraqet zbërthimin e të dhënave sipas gjinisë, rajonit, zonës (urbane/rurale), moshës (18-35/36+) dhe përkatësisë etnike të të anketuarve. Për më tepër, raporti ofron analiza shtesë për arsyet pse ekzistojnë perceptime të tilla të qytetarëve në lidhje me çështjet e paraqitura në raport.

Gjetjet kyçe të edicionit të dhjetë të BKS-së janë si më poshtë: Të anketuarit e Barometrit Kosovar të Sigurisë vazhdojnë të kenë besim më të lartë në institucionet e sigurisë krahasuar me institucionet qendrore dhe të drejtësisë; Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) vazhdon të jetë institucioni më i besuar, me 81 për qind të të anketuarve që kanë besim ose besim të plotë në të; Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës janë institucionet e sigurisë më pak të besuara; Në përgjithësi, institucionet e sigurisë perceptohen si më pak të korruptuara nga qytetarët, krahasuar me institucionet e drejtësisë dhe qendrore; Institucionet e drejtësisë, përkatësisht gjykatat dhe prokuroria, vazhdojnë të perceptohen si të korruptuara. Mbi 40 për qind e të anketuarve besojnë se këto institucione janë të korruptuara ose shumë të korruptuara; Qeveria e Kosovës konsiderohet institucioni më i korruptuar, me 72 për qind të të anketuarve që deklarojnë se qeveria është e korruptuar ose shumë e korruptuar; Në përgjithësi, qytetarët kanë kontakt të drejtpërdrejt të ulët me institucionet në Kosovë; Komunat janë institucionet me të cilat qytetarët kanë pasur më së shumti kontakt të drejtpërdrejtë në 12 muajt e fundit; dhe në raport theksohet se Qeveria është institucioni me të cilin qytetarët kanë pasur më së paku kontakt të drejtpërdrejtë në 12 muajt e fundit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të dhënat krahasuese nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) tregojnë se…