Bashkëpunimi pozitë-opozitë për dialogun me Serbinë s’ka alternativë

17 korrik 16:33

Shefi i grupit parlamentar i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka bërë me dije se bashkëpunimi i pozitës dhe opozitës për fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë nuk ka alternativë.

Ai ka thënë se hyrja në këtë proces pa një unitet të brendshëm do t’i dëmtonte rëndë interesat afatgjata të Kosovës. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Sherifi ka vlerësuar se vetëm krijimi i një ekipi të unitetit në mes të pozitës dhe opozitës do të ishte adekuat përballë sfidave që e presin Kosovën në këtë fazë të fundit të dialogut. “Bashkëpunimi i pozitës dhe opozitës nuk ka alternativë. Dialogu me Serbinë nuk është çështje e një legjislature, as edhe e një qeverie, por ka të bëjë me fatin e vendit tonë në dekadat e ardhshme. Prandaj futja në një proces të tillë pa një unitet të brendshëm do t’i dëmtonte rëndë interesat afatgjata të Kosovës. Vetëm një ekip i unitetit pozitë-opozitë do të ishte adekuat përballë sfidave që e presin Kosovën në këtë fazë të fundit të dialogut”, ka thënë Sherifi.

Ai ka treguar se faza e konsultimeve mes partive politike ende nuk ka përfunduar, duke shtuar se ende beson se do të arrihet të gjendet një formulë e përbashkët pozitë-opozitë për platformën dhe për formatin e procesit.

Sherifi ka deklaruar se Nisma insiston në ndërtim të platformës së përbashkët për dialog dhe një përfshirje sa më të gjerë të forcave politike në këtë proces. “Nuk kemi ndryshuar qëndrim. Ne vazhdojmë të insistojmë në ndërtim të platformës së përbashkët për dialog dhe një përfshirje sa më të gjerë të forcave politike në këtë proces. Çdo rrugë tjetër është e gabuar dhe, si e tillë, nuk do të mbështetet nga Nisma Socialdemokrate!”, është shprehur ai.

Më tej, Sherifi ka treguar edhe në takimin e kësaj të mërkure liderët shtetërorë do ta informojnë Mogherinin për përpjekjet rreth arritjes së konsensusit për këtë çështje. “Arsyeja tjetër e takimit ka të bëjë edhe me fazën e fundit të bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Zonja Mogherini do të njoftohet me përpjekjet që janë duke u bërë nga ana e Kosovës për harmonizim të platformës dhe për formatin në fazën e fundit të dialogut. Prandaj mund të them se ende nuk ka përfunduar harmonizimi as për platformën e as për formatin, as brenda koalicionit dhe as me partitë opozitare”, ka thënë Sherifi.

“Epoka e re”: Z. Sherifi, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës të mërkurën do ta takojnë përfaqësuesen e lartë të BE-së, Frederica Mogherini, në Bruksel, lidhur me çështjen e dialogut me Serbinë dhe disa çështje të tjera. A ka qëndrim unik koalicioni qeverisës për këtë çështje?
Sherifi:
Më lejoni së pari të sqaroj një gjë. Kosova nuk e ka asnjë arsye të vetme që të mos shkojë në takime ndërkombëtare kurdo dhe nga kushdo që ajo ftohet. Shkuarjen në Bruksel me ftesë të Mogherinit e shoh nga ky këndvështrim. Takimi i të mërkurës ka për qëllim që përmes znj. Mogherini të informohet BE-ja se Kosova i ka kryer të gjitha detyrimet e veta sa i përket liberalizimit të vizave dhe tani me të drejtë pret që BE-ja të veprojë konform premtimeve që i ka dhënë gjatë këtyre viteve. Pra, BE-ja është para alternativës: Ose ta caktojë datën për liberalizim të vizave ose t’i tregojë arsyet e vërteta të shtyrjes së vendimit për liberalizim të vizave. Arsyeja tjetër e takimit ka të bëjë edhe me fazën e fundit të bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Znj. Mogherini do të njoftohet me përpjekjet që janë duke u bërë nga ana e Kosovës për harmonizim të platformës dhe për formatin në fazën e fundit të dialogut. Prandaj mund të them se ende nuk ka përfunduar harmonizimi as për platformën e as për formatin, as brenda koalicionit dhe as me partitë opozitare.

“Epoka e re”: Deri më tani Nisma Socialdemokrate për fazën përfundimtare të dialogut ka pasur një qëndrim pak më ndryshe se subjektet e tjera të koalicionit. Cili pritet të jetë qëndrimi përfundimtar i këtij subjekti politik?
Sherifi: Nuk kemi ndryshuar qëndrim. Ne vazhdojmë të insistojmë në ndërtim të platformës së përbashkët për dialog dhe një përfshirje sa më të gjerë të forcave politike në këtë proces. Çdo rrugë tjetër është e gabuar dhe, si e tillë, nuk do të mbështetet nga Nisma Socialdemokrate.

“Epoka e re”: Si duhet të jetë përfaqësimi i Kosovës në këtë fazë të dialogut. Është përmendur edhe formati i ekipit të unitetit?
Sherifi: Sikur që thashë më parë, bashkëpunimi i pozitës dhe opozitës nuk ka alternativë. Dialogu me Serbinë nuk është çështje e një legjislature as edhe e një qeverie, por ka të bëjë me fatin e vendit tonë në dekadat e ardhshme. Prandaj futja në një proces të tillë, pa një unitet të brendshëm, do t’i dëmtonte rëndë interesat afatgjata të Kosovës. Vetëm një ekip i unitetit pozitë-opozitë do të ishte adekuat përballë sfidave që e presin Kosovën në këtë fazë të fundit të dialogut.

“Epoka e re”: Cili do të duhej të ishte roli Kuvendit të Kosovës në këtë fazë të dialogut?
Sherifi:
Roli i Kuvendit është ai që ia garanton edhe Kushtetuta jonë, ratifikues i marrëveshjeve. Mirëpo për shkak të rëndësisë që ka dialogu me Serbinë, mendoj se Kuvendi i Kosovës duhet të përfshihet në mënyrë të drejtë për drejtë dhe shumë aktive.

“Epoka e re”: Deri më tani opozita ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë proces. Mospjesëmarrja e ndonjë subjekti opozitar në fazën finale mund ta zbehë procesin dialogues?
Sherifi: Faza e konsultimeve mes partive politike ende nuk ka përfunduar, prandaj ende besoj se do të arrijmë të gjejmë një formulë të përbashkët pozitë-opozitë edhe për platformën, edhe për formatin.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Prishtina’, përkatësisht Departamenti për Konsumatorë njofton…