Bashkëshortja e Nanos: Fatosi ishte i vërtetë, s’dinte të shtirej dhe urrente populizmin
Xhoana Nano, bashkëshortja e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano është ndalë shpesh nga lotët gjatë fjalës lamtumirëse në ceremoninë mortore.
“Dita e sotme është për mua dita më e errët dhe e trishtuar e jetës. Po ndahem prej njeriut me të cilin kalova një çerek-shekulli jetë”. Kështu e nisi fjalën ajo.
Bashkëshortja e Nanos ka thënë se kishin “shumë ëndrra” dhe se “sot është një nga ato ditë që unë nuk do të dëshiroja ta jetoja kurrë”.
“Fatosi ishte shumë më tepër sesa një figurë publike. Shumë më tepër sesa ato që janë thënë dhe do të thuhen nëpër histori dhe në media. Fatosi ishte i vërtetë. Ai nuk dinte dhe nuk donte asnjëherë të shtirej. Ai nuk merrte poza. E urrente populizmin. Ai bënte atë që e besonte dhe besonte tek ajo që e bënte. Sepse ai besonte me shpirt te vlerat evropiane”.
“Siç ka thënë edhe vetë, ai eci mes baltës së politikës, pa u bërë pis prej saj”, ka thënë ndër tjerash Xhoana Nano.



