Basketboll, ndeshjet kthyese të Kupës së Kosovës luhen të mërkurën dhe të enjten
Të mërkurën dhe të enjten, do të zhvillohen ndeshjet kthyese të çerekfinaleve të Kupës së Kosovës në basketboll, ku do të përcaktohen katër skuadrat që avancojnë në gjysmëfinale.
Dy ndeshje do të luhen të mërkurën dhe dy të tjera të enjten, të gjitha nga ora 18:45 dhe priten përballje interesante pasi të gjitha, tetë skuadrat janë në garë për t’u kualifikuar tutje.
Pas ndeshjeve të parë që u luajtën në fillim të muajit, rezultatin më të thellë e ka arritur skuadra e Sigal Prishtinës, e cila në udhëtim mposhti Vëllaznimin.
Prishtina triumfoi 82:68 dhe ndeshjen e kthimit e luan të enjten në kryeqytet, me Vëllaznimin që synon përmbysjen por që javët e fundit ka treguar formë të dobët.
Të enjten luhet edhe ndeshja ndërmjet Pejës e Bashkimit në palestrën “Karagaçi”, me ekipin nga Prizreni që është në avantazh 96:90 pas duelit të parë.
Ndërkohë, të mërkurën, Golden Eagle Ylli që këtë muaj i ka fituar të gjitha ndeshjet, synon ta eliminojë Trepçën që është fituese e Kupës në fuqi, në Suharekë pasi në Mitrovicë, e fitoi ndeshjen e parë 102:99.
Përballja tjetër është ajo ndërmjet Rahovecit dhe Borës, gjithashtu të mërkurën, me ekipin nga Prishtina që ndeshjen e parë e ka fituar në kryeqytet 79:70.



