Bayerni kërkon përmbysjen ndaj Interit, Arsenali ta ruajë rezultatin kundër Realit 

16 prill 2025 | 11:04

Sonte kompletohen katër skuadrat gjysmfinalistë në Ligën e Kampionëve. Bayern Munchen pësoi në ndeshjen e parë (1-2) ndaj Interit, por sulmuesi Harry Kane shpreh optimizëm se mund ta përmbysin këtë rezultat dhe të kualifikohen tutje.

“Ishte një pikë e mirë ndaj një ekipi të fortë. Mendoj se pamë gjendjen para sfidës me Interin. Tani duhet t’i marrim ndeshjet një nga një, të japim gjithçka dhe më pas do të shohim se deri ku mund të shkojmë. Jemi gati për sfidën në ‘San Siro’. Duhet të jemi solidë, të bëjmë një ndeshje intensive dhe të krijojmë sa më shumë para portës. Interi ka një avantazh të lehtë, por mund t’i përmbysim dhe të kualifikohemi”, ka thënë Kane.

Në anën tjetër trajneri Simone Inzaghi shpreh optimizëm, gjithashtu është i kujdesshëm për përballjen ndaj një kundërshtari shumë të fortë siç është Bayerni. “Nuk ka tension, por më shumë krenari për atë që po bëjmë këtë sezon. Në ndeshjen e parë kemi bërë një paraqitje të shkëlqyer dhe duam ta përsërisim atë edhe në ‘San Siro’, megjithatë e dimë që do të jetë edhe më e vështirë. Bayerni nuk ka vetëm anësorë të fortë, por gjithë ekipin. Kanë një trajner të cilin e kam respektuar shumë edhe si lojtar, ndërsa në një kohë të shkurtër i ka dhënë skuadrës parimet e tij të lojës. Duhet të luajmë mirë teknikisht, për ta mbajtur sa më shumë topin. Ndeshja e parë u interpretua shumë mirë, por duhet të jemi të kujdesshëm. Nuk ishte një finale, por pjesa e parë e një sfide të dyfishtë”, ka thënë Inzaghi.

Në ndeshjen tjetër që zhvillohet në Madrid, Reali e pret Arsenalin që ka një epërsi të madhe nga ndeshja e parë (0-3). Kampionët në fuqi do të tentojnë ta përmbysin këtë rezultat, derisa Arsenali ta ruajë dhe të kualifikohet në gjysmëfinale. Të dyja ndeshjet fillojnë në orën 21:00.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vazhduar kritikat ndaj PDK-së,…