
Bayerni pas largimit të Mullerit: Thomas është unik, ikonë dhe legjendë
Pas humbjes 2-0 ndaj PSG-së në çerekfinalet e Kupës së Botës për Klube, përfundon zyrtarisht një epokë e madhe në historinë e Bayern Munich. Thomas Muller, një nga figurat më emblematike të klubit bavarez, largohet pas 25 vitesh me fanellën e gjermanë. Një ditë pas ndeshjes, Bayerni publikoi në faqen zyrtare një letër emocionuese lamtumire kushtuar lojtarit të tij legjendar.
“Nuk është e vështirë të gjesh qindra Thomas Muller në vendet gjermanofolëse. Nga më shumë se 400 mijë anëtarë të klubit, 90 quhen Thomas Muller. Por vetëm një prej tyre ka kënaqur tifozët në fushë për 25 vjet. Ai është në të njëjtin nivel me legjendat e mëdha të klubit si Beckenbauer, Gerd Muller, Maier, Hoeneß dhe Rummenigge. Thomas Muller është unik, ikonë, legjendë dhe gjithmonë njëri prej nesh”.
Në letër theksohet se karriera e Muller nuk ndiqte shabllonet klasike. Nuk ishte as teknik si Messi dhe as fizik si Ronaldo, por ishte mishërimi i efikasitetit në fushë. Ai shënonte gola të pamundshëm dhe bënte diferencën në mënyra të pazakonta, duke u shndërruar në motorin e skuadrës.
Gjatë karrierës, Muller fitoi gjithçka: dy herë tripletën, Kupën e Botës dhe 13 tituj të Bundesligës – një rekord absolut. Legjenda e klubit Karl-Heinz Rummenigge ka thënë: “Thomas i ka shfrytëzuar në maksimum të gjitha aftësitë e tij”. Ndërsa zbuluesi i tij, Hermann Gerland, ka shtuar: “Askush nuk e kishte parashikuar këtë karrierë. Kushdo që thotë se e kishte parë që në fillim, gënjen”.