BBC: Rusia ka humbur 27 jetë për çdo kilometër të fituar në Ukrainë

05 maj 2025 | 15:50

Që nga fillimi i pushtimit në Ukrainë, duket se viti 2024 ishte më vdekjeprurësi për forcat ruse, ku raportohet se brenda vitit janë vrarë 45,287 persona – gati tre herë më shumë sesa humbjet gjatë vitit të parë të pushtimit.

Sipas kërkimeve të BBC-së, në bashkëpunim me median e pavarur Mediazona dhe disa vullnetarë, në fillim të pushtimit rus në Ukrainë humbjet me të mëdha ndodhnin gjatë betejave në vendet kyçe, mirëpo në vitin 2024 është parë një rritje e vazhdueshme e viktimave nga muaji në muaj, kurse linja e frontit ka bërë përparime të ngadalshme. Sipas të dhënave të nxjerra nga burimet, mbështetur te varrezat ruse, memorialet ushtarake dhe nekrologjitë është përcaktuar se Rusia ka humbur 27 jetë për çdo kilometër të kapur të territoreve ukrainase.

Në artikullin e BBC-së, thuhet se gjatë pushtimit të plotë të Ukrainës janë identifikuar emrat e 106,745 ushtarëve rusë të vdekur, ndërkohë që thuhet se numri mund të jetë shumë më i lartë. Ekspertët ushtarakë kanë vlerësuar se numri mbulon midis 45% dhe 65% të viktimave që do të thotë se numri mund të jetë nga 164,223 deri në 237,211 persona të vdekur.

Sipas llogaritjeve në vitin e parë të pushtimit, Rusia ka humbur të paktën 17,890 ushtarë, kurse në vitin 2023 ky numër është rritur në 37,633.

Megjithatë, sipas analistit të njohur ushtarak amerikan Michael Kofman humbjet më të rënda në përgjithësi kanë ndodhur gjatë avancimit të ngadaltë rus në lindje mes muajit shtator dhe nëntor 2024. Ndërkohë, gjatë kësaj kohe, sipas vlerësimeve të Institutit Amerikan për Studimin e Luftës forcat ruse kanë kapur rreth 2,356 kilometra katrorë të Ukrainës. Përgjithësisht sipas këtij instituti në 2024 Rusia ka marrë 4,168 kilometër katrorë tokë, që i bie se për çdo kilometër janë vrarë 27 rusë dhe këtu nuk përfshihet numri i të plagosurve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku i ka dalë…