BE-ja, gati t’i vendosë tarifa ShBA-së, nëse s’ka marrëveshje

14 korrik 2025 | 16:56

Bashkimi Evropian (BE) ka përgatitur një listë tarifash – në vlerë prej 21 miliardë eurosh – për mallrat amerikane, nëse dy palët nuk arrijnë marrëveshje tregtare, ka thënë ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se do të vendosë tarifa prej 30 për qind  për importet nga Meksika dhe Bashkimi Evropian (BE), nisur nga 1 gushti, pasi negociatat disajavore me partnerët kryesorë tregtarë të ShBA-së kanë dështuar të sjellin marrëveshje.

Duke folur për gazetën Il Messaggero, Tajani ka thënë gjithashtu se, për të ndihmuar ekonominë e Eurozonës, Banka Qendrore Evropiane duhet të shqyrtojë një program të ri për blerjen e bonove dhe ulje të reja të normave të interesit.

Nga Bashkimi Evropian (BE) kanë thënë se do të shtyjë marrjen e masave hakmarrëse kundër ShBA-së deri në fillim të gushtit, me shpresën se do të arrihet një marrëveshje përmes negociatave.

Tajani ka thënë se paketa prej 21 miliardë eurosh tarifa, që BE-ja ka përgatitur, mund të pasohet me një rund të dytë masash, nëse nuk ka marrëveshje me ShBA-në.

Megjithatë, ai ka thënë se beson se mund të ketë përparim në negociata.

“Tarifat i dëmtojnë të gjithë, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara. Nëse tregjet e aksioneve bien, një gjë e tillë do t’i vinte në rrezik pensionet dhe kursimet e amerikanëve”, ka thënë Tajani.

Sipas tij, qëllimi duhet të jetë “zero tarifa” dhe një treg i hapur mes Kanadasë, Shteteve të Bashkuara, Meksikës dhe Evropës.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka thënë të dielën se do të punojë në mënyrë intensive me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për të zgjidhur konfliktin tregtar me Shtetet e Bashkuara.

Te konflikti i tillë vjen kur dy ose më shumë vende vendosin tarifa ose barriera të tjera tregtare ndaj mallrave dhe shërbimeve që importohen nga njëri-tjetri, për të mbrojtur prodhimet vendore ose për të fituar avantazh ekonomik. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Katër persona kanë vdekur pasi një aeroplan i vogël është…