
BE-ja kërkon konsensus pozitë-opozitë për dialogun: Duhet të arrihet marrëveshja me Serbinë
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të angazhohet në arritjen e një konsensusi të gjerë me partitë opozitare lidhur me çështjen e dialogut me Serbinë.
Gjatë takimit të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE – Kosovë në Kuvend, Szunyog ka thënë se nevojitet konsensus dhe përkushtim për të arritur progres në dialogun Kosovë-Serbi.
“Një konsensus i gjerë politik dhe përkushtimi nevojiten për të arritur progres në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë Szunyogu.
Ai ka thënë se Kosova duhet t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani dhe më pas të angazhohet për arritjen e një marrëveshjeje finale me Serbinë.
“Ju duhet t’i zbatoni të gjitha marrëveshjet që i keni nënshkruar në të kaluarën dhe duhet të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që është obligative në mes të Kosovës dhe Serbisë, për arsye se vetëm në këtë mënyrë Kosova mund të ec përpara drejt rrugës për integrim evropian”, ka thënë shefi i BE-së në Kosovë.
Szunyogu me theks të veçantë ka folur për reformat që Kosova duhet t’i bëjë në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Ai ka përmendur edhe arritjen e një marrëveshjeje më të gjerë rajonale, që përfshinë edhe krijimin e një tregu të përbashkët.