BE-ja t’i bëjë presion Serbisë, jo Kosovës

30 nëntor 2018 | 12:43

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, ka thënë se e mbështet vendimin e Qeverisë për vendosjen e taksës prej 100 përqindësh për produktet me prejardhje nga Serbia.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Grabovci ka vlerësuar se një vendim i tillë është dashur të merret më herët, duke pasur parasysh fushatën e egër të Serbisë ndaj Kosovës.

“Këto veprime është dashur të merren më herët dhe të analizohen në detaje. Kur është në pyetje Serbia, unë jam për reciprocitet të plotë me këtë shtet, i cili ka qasje armiqësore ndaj shtetit të Kosovës. Është e pandershme që Serbia në njërën anë të luftojë me të gjitha mjetet, në anën tjetër përfiton nga Kosova miliona euro në vit në emër të tregtisë”, ka thënë Grabovci.

Ndërsa sa iu përket reagimeve të zyrtarëve të Bashkimit Evropian (BE) për vendosjen e kësaj takse, Grabovci ka thënë se këto reagime janë të padrejta. Ai ka thënë se BE-ja do të duhej të reagonte ndaj veprimeve destruktive të Serbisë.

“BE-ja duhet të reagojë njëzëri dhe ashpër ndaj veprimeve destruktive të Serbisë, dhe jo ta tolerojë çdo veprim të saj. Ju i keni parë dhe dëgjuar thirrjet e liderëve serbë të cilat janë luftënxitëse dhe të papranueshme. Prandaj BE-ja në vend se të bëjë reagime të tilla, duhet ta disiplinojë Serbinë, e cila është duke shkelur çdo parim dhe marrëveshje në raport me Kosovën. BE-ja duhet t’i bëjë presion Serbisë për të pagjeturit, viktimat e dhunës seksuale të luftës, dëmet e luftës etj”, ka thënë Grabovci.

Më tutje, Grabovci ka komentuar edhe dorëheqjen e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës. Ai ka thënë se këto dorëheqje janë bërë me “izën” e Beogradit.

“Një veprim i tillë është i nxitur nga Beogradi, pra është bërë në koordinimin të plotë me drejtuesit e Serbisë, të cilët serbët e Kosovës i shohin vetëm si mjet kusuritje. Në këtë kontekst, Serbia nuk është e interesuar për zgjidhje të problemeve, por për thellimin e tyre dhe, rrjedhimisht, për destabilizim të Kosovës dhe rajonit në përgjithësi”, është shprehur ai.

Në këtë intervistë Grabovci ka folur edhe për procesin e dialogut me Serbinë dhe për zgjedhjet e brendshme në PDK. Sa iu përket zgjedhjeve brenda PDK-së, Grabovci ka thënë se nga ky proces kjo parti do të dalë më e konsoliduar dhe më e strukturuar.

“Epoka e re”: Z. Grabovci, si e vlerësoni vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës prej 100 përqindësh ndaj produkteve të Serbisë?
Grabovci: Personalisht e mbështes vendosjen e taksës ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Pavarësisht prej kësaj, mendoj se këto masa janë paksa të vonuara dhe të paanalizuara mirë. Këto veprime është dashur të merren më herët dhe të analizohen në detaje. Kur është në pyetje Serbia unë jam për reciprocitet të plotë me këtë shtet, i cili ka qasje armiqësore ndaj shtetit të Kosovës. Është e pandershme që Serbia në njërën anë të luftojë me të gjitha mjetet, në anën tjetër përfiton nga Kosova miliona euro në vit në emër të tregtisë. Kjo është e pandershme dhe nuk duhet të tolerohet.

“Epoka e re”: Ky vendim ka marrë mbështetje popullore, por ka pasur reagime të ashpra nga Bashkimi Evropian (BE).
Grabovci: Reagimet e zyrtarëve të Bashkimit Evropian (BE) janë të padrejta. BE-ja duhet të reagojë njëzëri dhe ashpër ndaj veprimeve destruktive të Serbisë, dhe jo ta tolerojë çdo veprim të saj. Ju i keni parë dhe dëgjuar thirrjet e liderëve serbë të cilat janë luftënxitëse dhe të papranueshme. Prandaj BE-ja në vend të bëjë reagime të tilla, duhet ta disiplinojë Serbinë, e cila është duke shkelur çdo parim dhe marrëveshje në raport me Kosovën. BE-ja duhet t’i bëjë presion Serbisë për të pagjeturit, viktimat e dhunës seksuale të luftës, dëmet e luftës etj. Si duket, BE-ja ka harruar se Serbia ka qenë agresorja, ndërsa Kosova viktima e saj. Po ashtu, BE-ja duhet ta dijë se Kosova çdoherë ka qenë dhe është e gatshme t’i përgjigjet drejtësisë ndërkombëtare, derisa në Serbi kriminelët e luftës sillen të lirë, madje bashkëpunëtorët kryesorë të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçit, janë në krye të shtetit serb. Prandaj, BE-ja duhet të tregohet më e ashpër ndaj Serbisë, e cila nuk është e interesuar për zgjidhjen e problemeve me Kosovën, por për themelimin e tyre.

“Epoka e re”: Sipas jush, a ka ndikuar kjo taksë në dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave në veri të Kosovës?
Grabovci: Vendimi i kryetarëve serbë të komunave në veri të Republikës së Kosovës për dorëheqje është i pamatur, joracional dhe kundër interesave të qytetarëve serbë atje. Një veprim i tillë është i nxitur nga Beogradi, pra është bërë në koordinimin të plotë me drejtuesit e Serbisë, të cilët serbët e Kosovës i shohin vetëm si mjet kusuritje. Në këtë kontekst, Serbia nuk është e interesuar për zgjidhje të problemeve, por për thellimin e tyre dhe, rrjedhimisht, për destabilizim të Kosovës dhe rajonit në përgjithësi. Është momenti i fundit që bashkësia ndërkombëtare të merret seriozisht me Serbinë. Po ashtu, është momenti i fundit që edhe faktori politik në Kosovë të jetë i unifikuar në proceset nëpër të cilat është duke kaluar Kosova.

“Epoka e re”: Duke e parë këtë situatë, ia vlen të dialogohet me Serbinë?
Grabovci: E para, dialogu është i paalternativë. Republika e Kosovës nuk ka arsye ta refuzojë dialogun si mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Serbinë. E dyta, Kosova duhet të insistojë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, pasi Serbia është duke e shkelur çdo marrëveshje. Ju e keni parë qasjen e Serbisë në raport me Interpolin, ku veprimet e saj janë në kundërshtim të plotë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Në anën tjetër, kur është në pyetje përballja me Serbinë, partitë politike në Kosovë, pozitë dhe opozitë, duhet të bashkohen dhe të flasin me një zë. Nuk është koha për ndarje, por për bashkim të forcave. Këtë e them kur shoh parti politike që më shumë bëjnë zhurmë pse presidenti Hashim Thaçi është duke kërkuar unifikim të spektrit politik sesa kundër qasjes destruktive të Serbisë në raport me Kosovën. Vlerësoj se angazhimet e presidentit Thaçi janë në përputhje të plotë me interesin shtetëror dhe qytetar. Takimet e tij të fundit me liderët botërorë në Paris apo Uashington e dëshmojnë këtë. Në këtë aspekt, veprimet e Thaçit nuk bien ndesh me interesat nacionale. Është e papranueshme për mua kur dëgjoj zëra të llojit ‘ta mbrojmë Kosovën nga presidenti’, kur dihet fare mirë angazhimi i Thaçit në të gjitha proceset historike, nga periudha ilegale, angazhimi në UÇK, Rambuje, Vjenë, shpalljen e Kosovës shtet dhe në procesin e konsolidimit dhe të shtetndërtimit. Dhe, e treta, BE-ja nuk duhet t’i mbyllë sytë përballë politikës shoviniste të Serbisë karshi Kosovës. Pra, BE-ja duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë, se politika e saj karshi Kosovës nuk dërgon kah paqja, por kah destabiliteti rajonal. Në këtë kontekst, besoj fuqishëm se pa përfshirjen e ShBA-së nuk mund të ketë dialog të suksesshëm. Pra, përfshirja e Amerikës në këtë proces dhe fazë është e domosdoshme.

“Epoka e re”: Z. Grabovci, PDK-ja është në proces të brendshëm zgjedhor. Si është duke shkuar ky proces, dhe cilat janë pritjet e juaja?
Grabovci: Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është parti e dëshmuar në shtetndërtimin dhe në zhvillimin e vendit. Të gjitha proceset e rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar Kosova mbajnë vulën e PDK-së. Për dikë kanë qenë të pakapshme projektet që janë realizuar nën qeverisjen e PDK-së siç janë: autostrada, infrastruktura rrugore, ndërtimi i shkollave etj. Ju e dini se infrastruktura është bazamenti i ekonomisë së lirë të tregut. Tani kur jemi te zgjedhjet e brendshme, pritjet e mia janë që PDK-ja do të dalë më e strukturuar dhe më e organizuar. Më herët PDK-ja ka përmbyllur suksesshëm zgjedhjet në rininë demokratike. Nga ai proces ka dalë një lidership rinor shumë i konsoliduar, me një përfshirje të gjerë. Zgjedhjet në rininë demokratike kanë dëshmuar se PDK-ja është parti e hapur dhe se u jep hapësirë të gjithëve. Në këtë drejtim, besoj fuqishëm se PDK-ja do të dalë më e fuqishme se kurrë nga procesi zgjedhor për organet drejtuese. Këto e shoh çdo ditë nga kontaktet që kam me votues dhe qytetarë anekënd vendit. PDK-ja ka nevojë për energji të re dhe personalitete të reja të cilat do ta pasuronin edhe më shumë këtë parti. Po ashtu, PDK-ja është duke punuar që të aktivizohen të gjithë ata burra dhe gra që janë pasivizuar, me apo pa te drejtë, në mënyrë që ta japin kontributin e tyre për shfuqizimin e PDK-së, por edhe të Kosovës. Me fjalë të tjera, nga ky proces zgjedhor pres që autoritetet e dëshmuara të PDK-së, apo themeluesit e kësaj partie të bashkudhëtojnë së bashku me gjeneratat e reja për një PDK më të fuqishme.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtarët e grupit muzikor “NRG Band”, të cilët njëkohësisht janë…