Befasitë e Currajt të Epër

20 gusht 2021 | 23:18

Shkruan: Islam Lauka

Curraj i Epër ishte i vetmi fshat i Tropojës që më kishte mbetur pa e parë. Më së fundi, erdha edhe këtu. E dija që është një ndër mrëkullitë e rralla të natyrës shqiptare.

I vendosur në një lartësi, rreth 870 m mbi nivelin e detit, mes malesh kryelartë, mbi 2000 m, në zemër të Alpeve shqiptare, në një luginë, e cila përshkohet nga një lumë me ujë qelibar, ku mund të shihet lirisht trofta e rrallë me pika të kuqe (që të sjell ndërmend vargjet e një bohemi tropojan për vajzën malësore, “sikur troftë me pika të kuqe// e mirë çikë, po ma e mirë nuse”).

Vërtet, një mrekulli e natyrës, një amfiteatër në gjirin e saj. Por kjo nuk ishte e befasishme për mua. Këtë e prisja. Të tjera befasi të këndshme do të më ofronte Curraj i Epër:

1. Befasia e parë ishte lëvizja dhe gjallëria, në rritje, në rrugën automobilistike, gjithsesi të vështirë, që të çon në këtë fshat. Në “Përroin e Bardhë”, u takuam me Hysni Shatrin dhe Safet Blakajn, dy shqiptarë të Kosovës, të cilët kishin marrë rrugën për në Curraj të Epër. Në “Qafën e Mrrethit”, takova “bashkëluftëtarin” tim në protestat kundër ndërtimit të H/C në Valbonë, inxh. Abdulla Diku, i cili po shoqëronte një grup studentësh çekë, në një ekspeditë studimore të zonës. Po aty takuam edhe një grup të UNESCO-s, i cili, gjithashtu, kishte ardhur për një vizitë studimore. Befasi shumë e këndshme për mua ishte takimi në këtë Qafë me ish-nxënësin tim të klasës së gjashtë të shkollës në Gjonpepaj (1976), Pal Ulndreaj, i cili kishte ndërtuar këtu stanin e vet dhe një lokal për të sajdisur miqtë.

2. Në krye të Currajt të Epër, na kishte “zënë pritë”, Ndue Mitri (Prebibaj). Na tha se kishte një amanet nga biri i këtij fshati, biznesmeni dhe humanisti i mirënjohur, Skendër Perpepaj, (aktualisht me banim në Angli): kafen e mirëseardhjes në Curraj të Epër ta pimë në shtëpinë e tij. Amaneti, amanet, s`ke ç`i bën. Ai përpara me mushkë, ne pas tij me makinë, drejt e në shtëpinë e sapondërtuar të Skënderit. Por kafja na doli të ishte me “bisht”. Pas ujit akull te ftohtë, në tavolinë vërshoi rakia, djathi, flija, mjalti, revania etj, gjithçka e kuzhinës tradicionale, bio. Ndue Mitrin me të shoqen, Agim Perpepajn, Toninin, ishte hera e parë që po i takonim, por, gjithë çehre, po na bënin muhabet dhe me gjithë qënien e tyre po përpiqeshin që ne ta ndjejmë veten si në shtëpinë tonë. Mora vesh se Ndue Mitri u “zinte pritë” edhe vizitorëve të tjerë, në hyrje të fshatit, me, ose pa amanet.
Njerzillëku, bujaria, mikpritja, e rrënjosur në kodin gjenetik të këtyre njerëzve të mirë, ishte befasia më e këndëshme që na ofroi Curraj i Epër. Ato kishin mbetur të paprekura nga regjimi komunist, nga ekonomia e tregut dhe nga globalizmi.

3. Befasia e tretë, përsëri, ka të bëjë me njerëzit e Currajt të Epër dhe trashëgiminë e tyre kulturore dhe historike. Kisha e fshatit që mishëron besimin e tyre në Zot, u mbrojt me gjak kundër pushtuesve serbo-malazezë, në vitin 1915, ashtu siç u mbrojt në vitin 1967, nga vala shkatërrimtare e regjimit diktatorial, e drejtuar kundër besimeve fetare dhe objekteve të kultit.
Kulla e Ngujimit (e ndërtuar në vitet 1840-1850), megjithëse e dëmtuar, është njëra prej dy kullave të këtij lloji (tjetra është në Theth), që ende ruhet. Për të patën shfaqur interes albanologët Nopça e Durham, para më shumë se 100 vjetësh, por për shtetin e sotëm shqiptar nuk ka asnjë interes, duke e lënë atë në mëshirë të fatit. Në thelbin e vet, Kulla e Ngujimit ka patur qëllim human-mbrojtjen e jetës, në luftë me vdekjen. Mjafton ky argument që shteti shqiptar të shohë mundësinë e caktimit të një fondi për ta rindërtuar atë dhe për ta shpallur monument të kulturës. Gjithashtu, mendoj se shteti duhet të shohë mundësinë e përmirësimit të rrugës së tanishme (ndërtuar me kontributet e banorëve të zonës dhe të Bashkisë Tropojë), pse jo edhe asfaltimin e saj, me qëllim shkurtimin e kohës së udhëtimit për Curraj të Epër, sepse tani, nga qendra Lekbibaj, deri atje, duhen 2-3 orë.

Falenderoj të gjithë ata, të cilët bënë që ky udhëtim të kthehet në një ndër kujtimet tona më të bukura: mikun tonë Skënder Perpepaj, shoqëruesin Gjokë Rama, shoferin Duf Sokoli, mikpritësit tanë Nduen me bashkeshorten, Agimin dhe Toninin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputeti e biznesmeni pejan, Ramiz Kelmendi ka shprehë gatishmërinë e…