
Belgin “Gabelit”
Nga Ramë Lahaj
I miri Belgin, këto ditë t’kam përcjellë me shumë vemendje. Edhe pse m’erdhi shumë keq për sjelljet e kqija ndaj teje, u gëzova kur n’zanin tand ndjeva forcën e nji ylli n’ardhje. Si rrallëherë n’kto vitet e fundit, pashë nji fmi plot andrra, plot jetë, forcë, talent e mençuni.
Ofendimet që t’i bajnë ku do që shkon, ti the se i kthen n’forcë për nji performancë edhe ma t’mirë.
Belgin, këto janë tipare të personaliteteve të forta me nji të ardhme t’sigurt. Sporti don karaktere t’tilla.
Na e bon hallall Belgin, se n’këtë udhëtim të vështirë si komb, kena humbë e anashkalue shumë procese edukimi e civilizimi, e kjo po na kushton n’çdo sferë të zhvillimit.
Si shoqni, para krejt tjerash, paragjykimin, nënçmimin e bullizmin i kemi n’maje t’gjuhës, por kjo kurrë s’mundet me i mposhtë talentet e mdhaj si ti.
Kur e nisa rrugën teme n’profesion, n’fillim u paragjykova se isha “katunar”.
Mandej, pse s’kisha pasë ku me mësu për artin n’zonen ku jam rritë, u cilësova si i pa ditun e i pa talentuem prej disave që e quejnë veten profesorë.
Krejt ato m’banë veç edhe ma të fortë.
Belgin, nuk e di si ndihesh ti kur t’thirrin “Gabel”, por për mu gjithmonë ka kenë nji emër përkdhelës.
“Gabel” m’ka thirrë nana gjithë jetën, prej dashnisë që kishte për mu.
N’mbështetje t’talentit tand, due me t’thanë që përkrahja duhet me ardhë kur asht e nevojshme, pa dallim feje, ngjyre a prejardhje.