Beqiri: Ludogoretsi favorit, por Shkëndija do të luftojë për sukses

20 gusht 2025 | 16:30

Trajneri i kuqezinjve beson se ekipi i tij mund të arrijë rezultat pozitiv në përballjen e parë të “play-off”-it të Ligës së Evropës në Shkup.

Kampioni i Maqedonisë së Veriut, Shkëndija, nesër mbrëma (ora 20:00) në Arenën Kombëtare “Todor Proeski” pret Ludogoretsin në ndeshjen e parë të “play-off”-it për Ligën e Evropës. Trajneri Jeton Beqiri e pranon se përfaqësuesi bullgar është favorit në letër, por thekson se skuadra e tij do të japë gjithçka për të arritur sukses.

“Këto janë ndeshje të rëndësishme evropiane me kundërshtarë cilësorë. Përveç ndoshta TNS-s, në fillim, të gjithë rivalët tjerë kanë qenë ekipe shumë të forta dhe nga secili mund të mësosh shumë. Jam i kënaqur me paraqitjen e Shkëndijës, përjashtim ndoshta bën ndeshja në transfertë kundër Qarabagut. Por në këtë nivel nuk ke të drejtë të gabosh, sepse çdo pakujdesi dhe gabim paguhen shtrenjtë. Sa i përket Ludogoretsit, i kemi analizuar, por edhe ata kanë shumë ndryshime në përbërje. Në çdo rast, të jeni të sigurt se Shkëndija do të bëjë gjithçka që mundet për të dalë me rezultat pozitiv,” u shpreh trajneri Beqiri.

Nga ana tjetër, mesfushori Reshat Ramadani theksoi se ekipi është plotësisht i gatshëm për të përballuar sfidën.

“Mendoj se jemi të përgatitur. Dëshira është maksimale dhe me siguri do të japim më shumë se maksimumi. E kemi analizuar Ludogoretsin dhe jemi të gatshëm për lojë të hapur”, tha Ramadani.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Viviana Mazza - Corriere della Sera Marco Rubio do të…