
Berisha: Kur i konvenon roli i viktimës, Kurti e shfrytëzon gjykatën, e për rezervat e shtetit e bën të fortin
Ish-deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka reaguar ndaj paraqitjes së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ndaj Faton Klinakut, i akuzuar për kanosje.
Berisha ka shkruar në “Facebook” se kur është fajtor, si në rastin e hetimeve për krim të organizuar në rezervat e shtetit nga Prokuroria Speciale, ai e bën të fortin: refuzon të shkojë në Prokurori, madje u dërgon “selam” prokurorëve – “unë nuk erdha, nëse guxoni ejani e më merrni”.
“Por, kur i konvenon roli i viktimës, e shfrytëzon gjykatën për t’u paraqitur si i kërcënuar dhe për të prodhuar krizë artificiale”, ka shkruar Berisha.
Postimi i plotë i tij:
Albin Kurti – viktimë e rreme pas tradhtisë ndaj vendit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ishte i pranishëm në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ndaj Faton Klinakut, i akuzuar për kanosje. Në vend se të paraqitet si burrë shteti, Kurti po shfaqet si viktimë e rreme, duke e përdorur këtë proces për të ushqyer militantizmin partiak dhe për të përfituar politikisht nga një situatë që e ka nxitur vetë.
Kur është fajtor, si në rastin e hetimeve për krim të organizuar në rezervat e shtetit nga Prokuroria Speciale, ai e bën të fortin: refuzon të shkojë në Prokurori, madje u dërgon “selam” prokurorëve – “unë nuk erdha, nëse guxoni ejani e më merrni”. Por, kur i konvenon roli i viktimës, e shfrytëzon gjykatën për t’u paraqitur si i kërcënuar dhe për të prodhuar krizë artificiale.
Pas tradhtisë që i bëri vendit me marrëveshjet antikushtetuese që cenojnë integritetin territorial dhe sovranitetin politik, Kurti tani po luan rolin e të “përndjekurit” nga organizatat e dala nga lufta. Pikërisht ai që i ka lënë jashtë ligjit dhe pa përkrahje kategoritë e luftës, që ka fyer dinjitetin e tyre dhe që përmes bashkëpunimit të eksponentëve të qeverisë, Kuvendit e partisë së tij me shërbimet sekrete dhe prokuroritë serbe e ruse, është bërë pjesë e sulmit frontal kundër UÇK-së.
I tërë stafi i tij qeveritar dhe shumica e deputetëve të partisë janë të përfshirë në procedura gjyqësore për dhunë dhe për organizimin e grupit terrorist “Syri i Popullit”. Ata e kanë kthyer sfidimin e institucioneve të drejtësisë në strategji politike, duke refuzuar ligjin, duke kërcënuar gjyqtarët dhe prokurorët dhe duke provokuar skena rrugësh për të nxjerrë në protesta masa të indoktrinuara, të varfra në vetëdije politike e qytetare.
Në këtë kontekst, paraqitja e Kurtit si “viktimë e kërcënuar” nga OVL/UÇK nuk është gjë tjetër veçse një vazhdimësi e projektit të tij për ta barazuar luftën çlirimtare me “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, siç përpiqet ta paraqesë përmes hulumtimeve pseudoshkencore dhe diskursit antikombëtar. Ky është mashtrimi i radhës i një pushteti që mbijeton vetëm duke krijuar kriza, duke e degraduar lirinë dhe duke e bërë shtetin peng të një ideologjie që e urren UÇK-në dhe vetë shtetësinë e Kosovës.