Berisha largohet nga Australia, mendon rikthimin në Evropë

26 gusht 2021 | 12:39

Besart Berisha i ka dhënë fund përvojës në futbollin australian. Sulmuesi nga Kosova e mbylli përvojën dyvjeçare me ekipin Western United pasi i skadoi kontrata. 36-vjeçari spekulohej se mund të rikthehej në Melbourne Victory, me të cilin e kishte fituar titullin e kampionit dy herë por, në fund, ky transferim nuk u realizua.

Tash, ish-përfaqësuesi i Kosovës nuk e ka përjashtuar mundësinë që në fund të karrierës të luajë në futbollin evropian, me shumë gjasë në atë gjerman. “Unë jam 36 vjeç, por ndiej se mund të luaj edhe një sezon. Unë bisedova me klube, por në fund nuk ndodhi asgjë. Kështu që, mua më duhet të mendoj për të ardhmen”, ka deklaruar Berisha për “The Age”.

“Ka mundësi të shkoj jashtë shtetit (Australisë) dhe nëse kjo mund të realizohet, do të doja shumë që kjo të ndodhë. Ta luaj sezonin tim të fundit aty ku nisa gjithçka (në Gjermani), për mua do të ishte speciale”, ka shtuar sulmuesi veteran.

Berisha i kaloi rreth 10 vjet në futbollin australian, ndërsa e pati një përvojë të shkurtër në Japoni. Ai kishte shkuar në Australi në vitin 2011 dhe i kishte kaluar tre sezone në Brisbane Roar. Berisha e kishte ndihmuar këtë klub të shpallej dy herë kampion dhe kishte shënuar në dy finalet e mëdha më 2012 dhe 2014. Më pas i ishte bashkuar klubit Melbourne Victory ku, po ashtu, kishte shënuar në finalen e madhe ndaj Sydneyt në vitin 2015. Berisha e kishte fituar titullin e katërt të kampionit në Australi në vitin 2018 para se t’i bashkohej klubit japonez Sanfrecce Hiroshima. Më pas u rikthye në futbollin australian në ekipin Western në vitin 2019, duke i realizuar 26 gola në 50 paraqitje në A-League.

Berisha do të largohet si golashënuesi më i mirë në histori të futbollit australian. Ai i ka realizuar 142 gola, 38 më shumë se rivali më i afërt, Jamie Maclaren. Krahas katër titujve të kampionit, Berisha ka fituar edhe trofe individualë gjatë përvojës së tij në Australi. Ai u shpall dy herë golashënuesi më i mirë i ligës. Berisha ka luajtur për kombëtaren shqiptare dhe për Kosovën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Speciale ka bërë me dije se kryetarja e Dhomave…