
Berisha: Zgjedhjet e 11 Majit ishin farsë
Në samitin e IDU-së Kryetar i Partisë Demokratike e cilësoi farsë të parashikuar dhe realizuar në një klimë terrori politik procesin elektoral të 11 Majit.
“Këto zgjedhje u zhvilluan në një klimë terrori politik të paparë më parë, ku Kryeministri, i cili tani udhëheq një narkoshtet, i pari dhe i vetmi narkoshtet në Europë, për të siguruar mandatin e katërt, vuri në burg, në arrest shtëpie apo nën ndjekje penale, tre drejtues të partive kryesore të opozitës, u hoqi mandatet kryetarëve të bashkive dhe burgosi deputetë të opozitës”, shprehet Berisha.
“Si narkoshtet që është, Shqipëria u bë vegël e organizatave kriminale që u përdorën gjerësisht për të siguruar vota për Kryeministrin. Për të fituar, Kryeministri e ktheu të gjithë administratën dhe shtetin në një makineri të madhe elektorale. U përdorën mjete publike financiare për të blerë vota. Konkretisht, çdo pensionisti iu dhanë 100 Euro si “dhuratë” në mes të fushatës zgjedhore, si një dhuratë nga Kryeministri. Po ashtu, dy ditë para zgjedhjeve, Kryeministri shpalli një amnisti për të gjitha gjobat dhe interesat 10-vjeçare, me një total mbi 200 milionë Euro. Punonjësit e administratës publike u vunë nën presion, u kërkua që secili të siguronte 10 vota nga familja dhe rrethi i tij. Ata u përdorën si patronazhistë në një sistem të vjetër diktatorial stalinist, ku votuesit kontrolloheshin në çdo mënyrë dhe pranë qendrave të votimit u ngritën zyra për të ushtruar presion”, tha Berisha.
Sipas kryedemokratit bandat brenda dhe jashtë vendit prodhuan përmes pagesave dhe presioneve 28 deputetë të lidhur me grupe të krimit të organizuar.
“Në zyrën e tij ka një person që koordinon aktivitetin e organizatave kriminale shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Në këto zgjedhje, këta individë kishin për detyrë të sillnin në Parlament 28 deputetë përmes pagesave dhe terrorit. Në fakt, sot njerëzit më të votuar janë kandidatë anonimë të këtyre bandave dhe organizatave kriminale”, thekson kreu i demokratëve.
Censura e mediave dhe bllokimi i Tik Tokut për të parandaluar kritikat ndaj qeverisë, për Berishën ishin të tjera përpjekje për të kontrolluar informacionin dhe kufizuar lirinë e shprehjes.
“Kontroll i plotë u ushtrua mbi të katër mediat kombëtare. Ai bllokoi TikTok-un, u bë personi i tretë pas Habibullah të Kabulit dhe Ajatollahut të Teheranit që e bëri këtë, vetëm që të mos kritikohej”, shprehet Berisha.