
Berlini, Teheranit: Jo vetëm me Evropën, pa negociata me ShBA nuk ka zgjidhje
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, në takimin që po mbahet në Bruksel për Ukrainën dhe Lindjen e Mesme, ka deklaruar se negociatorët evropianë i kanë thënë Iranit se një parakusht për zgjidhjen e konfliktit është gatishmëria për negocim të drejtpërdrejtë më SHBA-të.
“Irani thotë se dëshiron të negociojë vetëm me Evropën dhe ne e shohim këtë si një shenjë pozitive, por gjithashtu i themi se kjo nuk është e mjaftueshme. Ne duam të shohim përfshirjen e Shteteve të Bashkuara”, ka thënë ministri.
Ai poashtu ka nënvizuar se, “Irani duhet ta dijë se bota nuk do të pranojë që ai të armatoset me armë bërthamore”.
Ndërkohë, duke folur tutje ai ka shtuar se ministrat “do të diskutojnë situatën e mëtejshme në Lindjen e Mesme,” duke theksuar veçanërisht se “Rripi i Gazës mbetet një çështje që duhet të trajtohet, pasi situata humanitare atje është ende e papranueshme”.
Megjithatë, sipas The Guardian ai ka thënë se Gjermania “nuk beson se marrëveshja e asociimit mes BE-së dhe Izraelit duhet të pezullohet,” sepse sipas tij, blloku “ka nevojë për marrëdhënie të mira me Izraelin.”