BERZh-i ndan 17.6 milionë euro për hekurudhën Fushë Kosovë-Mitrovicë

04 dhjetor 2018 | 14:36

Ministri i Financave, Bedri Hamza, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, si dhe drejtoresha e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për sektorin e Transportit, Sue Barrett, kanë nënshkruar marrëveshjen grant për fazën 2 për projektin rehabilitimin e linjës 10 hekurudhore.

17.6 milionë euro do të kushtojë faza e dytë e projektit për rehabilitimin e linjës 10 hekurudhore, segmenti Fushë Kosovë-Mitrovicë.

Shefja e Zyrës së BE-së dhe përfaqësuesja Speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se BE-ja do vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në financimin e projekteve të ndryshme që e ndihmojnë zhvillimin ekonomik.

“Nënshkrimi i kësaj marrëveshje që përfundonte pjesën e parë dhe pas 10 muajsh jemi në pjesën e dytë me financimin e sigurt, shohim përpara që të filloj puna në dy seksionet e projektit, do të rehabilitohen rreth 100 kilometra hekurudhë dhe do të bëhet ngritja e pesë stacioneve në seksionin në kufi Maqedoni dhe Fushë-Kosovë në Mitrovicë”, u shpreh ajo.

Apostolova më tutje ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjes për pjesën e parë ka qenë e arritur e rëndësishme për rehabilitimin e rrjetit të hekurudhave që lidh pjesën e lindjes me pjesën tjetër evropiane.

“Rehabilitimi i këtij seksioni do të filloj në muajt në vijim. BE-ja ka siguruar 17.6 milionë euro grant. Dua të falënderoj BERZh-in për bashkëpunimin në investimet në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ajo, duke shtuar se ky projekt do të përmirësojë sigurinë dhe efikasitetin e sigurt hekurudhor për gjysmën e popullatës të Kosovës, si dhe do të krijojë 160 vende të punës gjatë ndërtimit dhe veprimtarisë së përmbajtjes.

Drejtoresha e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për sektorin e Transportit, Sue Barrett, ka thënë se është e kënaqur që me rezultatet e këtij projekti po thellojnë bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor.

“BE-në dua ta falënderoj për bashkëpunimin dhe për bashkëfinancimin e këtyre projekteve. Ne jemi të zotuar të vazhdojmë të investojmë në transportin e Kosovës dhe të mundësojmë ndërlidhjet e Kosovës me BE-në. Marrëveshja që nënshkruam sot do plotësoj huat nga BERZh-i rreth 80 milionë euro që do ta lidh Maqedoninë në jug dhe Serbinë në veri”, ka thënë Barrett.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se Kosova ka marrë një lajm të mirë ku nga taksapaguesit evropianë ka marrë 17.6 milionë euro falas në mënyrë që të ndihmohet në rehabilitimin e linjave hekurudhore.

“Marrëveshja që nënshkruam është grant kontribut financiar pa kthim, para falas që ka vlerën 17.6 milionë euro dhe do të përdoren për financim, pra për rehabilitimin e linjës hekurudhore prej Fushë Kosovës deri në Mitrovicë”, ka thënë Hamza, duke shtuar se shumë shpejt presin që të fillojë me negociata të tjera për segmentin prej Mitrovicës deri te kufiri i Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Taksa doganore prej 100 për qind që Qeveria e Kosovës…