BERZh-i ndan 1.5 milion euro për ekonominë e gjelbër në Kosovë

17 janar 2018 | 14:13

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) ka siguruar një kredi deri në 1.5 milionë euro për Agjencinë e Financave në Kosovë, institucioni i katërt më i madh mikrofinanciar në vend për të rritur financimin e ekonomisë së gjelbër.

Fondet do të ofrohen për investime në teknologjitë e energjisë me performancë të lartë, materialet dhe zgjidhjet në ndërtesat e banimit.

“Qëllimi është zvogëlimi i intensitetit të energjisë dhe përmirësimi i efiçencës së energjisë në përputhje me qasjen e BERZH – Tranzicioni i Ekonomisë së Gjelbër. Me këto investime, ekonomitë familjare jo vetëm që do të bëhen më efikase për energji, por gjithashtu do të ulin emetimet e gazrave serrë, duke zvogëluar ndikimin e tyre në mjedis”, është thënë në njoftimin e BERZh-it.

Sipas këtij njoftimi, kredia është siguruar në kuadrin e Fondit të Financimit të Gjelbër të Ekonomisë (GEFF) për Ballkanin Perëndimor, një strukturë rajonale e cila është krijuar për të mbështetur investimet e banimit me efikasitet energjetik në Ballkanin Perëndimor.

Sipas BERZH, struktura mbështetet nga fondet e grantit nga Fondi i Përbashkët Evropian i Ballkanit Perëndimor në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian dhe Austria.
Drejtori menaxhues i institucioneve financiare të BERZh-it, Nick Tesseyman, ka thënë se kjo hua do të zgjerojë bazën për investimet e gjelbra.

Një pjesë e konsiderueshme e ndihmës së BE-së në Kosovë është investuar në rigjallërimin e sektorit të energjisë elektrike dhe më e rëndësishmja është shpenzuar mbi 20 milionë euro për rritjen e efiçiencës së energjisë.

Në kuadër të Programit Rajonal të Efiçiencës së Energjisë, i financuar nga BE dhe i zbatuar në partneritet me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, BERZh-i ka mbështetur Kosovën për të forcuar ligjet, politikat dhe standardet që krijojnë një treg të nxitur nga kërkesa për efikasitetin e energjisë në ndërtesa.

Kurse, shefi i seksionit të bashkëpunimit në zyrën e BE-së në Kosovë, Luigi Brusa, ka thënë se BE-ja synon të mbështesë Kosovën në përmirësimin e kuadrit ligjor dhe politik, në mënyrë që të tërheqë investime në efiçiencën e energjisë dhe energjinë e rinovueshme.

Në Kosovë, EBRD ka investuar më shumë se 300 milionë euro në 55 projekte deri tani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ragip SYLAJ Nëse sipas psikanalistëve, mitet janë riprodhim i ëndrrave,…