Besëlidhja e Lezhës bën bashkë shqiptarët nga Kosova, Shqipëria, Mali Zi, Maqedonia dhe Lugina

02 mars 2021 | 16:54

Besëlidhja e Lezhës të martën ka shënuar 577-vjetorin. Në këtë përvjetor ka marrë pjesë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deputeti shqiptar nga Lugina e Preshevës në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, Nik Gjeloshaj, kryetar i Tuzit në Mal të Zi, Ziadin Sela, kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe Oliana Moriseni, nënkryetare e Bashkisë së Lezhës.

Kryetari i LV-së, Albin Kurti para të pranishmëve u shpreh se Besëlidhja e Lezhës ishte akt politik, publik e kolektiv i lidhjes së shqiptarëve. “Sot teksa shënojmë përvjetorin e besëlidhjes, që është akt politik, publik e kolektiv i lidhjes së dëshirës së përbashkët me veprimin e secilit, ne duhet të mendojmë e veprojmë duke menduar sesi do të mendonin e vepronin nga Skënderbeu e deri tek rilindësit tanë e dëshmorët e luftës së fundit në Kosovë. Populli shqiptar duhet të faktorizohet”, ka thënë Kurti.

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se është nderë i veçantë që është i pranishëm në shënimin e këtij përvjetori. Është nderë i veçantë për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe për mua personalisht, që sot të marrë pjesë në shënimin e 577-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës. Si ngjarje themeltare e historisë sonë, Lidhja e Lezhës është padyshim referencë e sotme për të ardhmen. ​Para më se pesë shekuj, në këtë vend, menduan qëllime dhe morën vendime aktuale edhe sot. E kush më shumë se shqiptarët e Luginës së Preshevës, vuajnë sot më shumë nga mungesa e jetësimit të qëllimeve dhe idealeve të Besëlidhjes së Lezhës. Të shtypur dhe të diskriminuar nga shteti i Serbisë. Të harruar ose instrumentalizuar nga politikanët në Tiranë dhe në Prishtinë. Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk po trajtohen si shtetas dhe qytetarë të barabartë, megjithë procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian i cili i ka mbyllur sytë ndaj politikës autoritare, anti-minoritare dhe anti-shqiptare, të pushtetit absolut të Aleksandër Vuçiqit”, ka thënë Kamberi.

Ndërkaq kryetari i Tuzit, Nik Gjeloshaj, ka pohuar se kjo është një ngjarje historike. “Kam kënaqësi të veçantë që ndodhem në mesin tuaj. Kjo është një ngjarje historike, sepse kemi mbijetuar si popull. Gjuha, flamuri dhe kultura janë trimëria jonë e shenjtë dhe ato të ruhen me dinjitet. Ne së bashku kemi hapësirë të madhe për të ruajtur gjuhën dhe traditën tonë”, ka deklaruar Gjeloshaj.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Ziadin Sela, ka theksuar kjo ditë është shumë e rëndësishme. “Periudha për të cilën flasim ishte periudha e lavdisë së shqiptarëve, lavdi të cilën e ndërtoi me shumë mund e sakrificë, Skënderbeu, Gjergji ynë i dashur, Kuvendi i Lezhës është mesazhi që u la shqiptarëve për të ardhmen. Ishte ky Kuvend, ai i cili e ndërtoi edhe Lidhjen e Prizrenit dhe ishte Lidhja e Prizrenit, që hodhi gurthemelin dhe idetë themelore të një shteti shqiptar të mëvetësishëm”, ka thënë Sela.

Nënkryetarja e Bashkisë së Lezhës, Oliana Moriseni, ka thënë se Lezha është shtëpia e çdo shqiptari. “Lezha është shtëpia juaj dhe e çdo shqiptari. Qarku i Lezhës çdo vit mirëpret shqiptarë nga të gjitha trevat. Sot është ditë e Besëlidhjes së Lezhës, dhe pas kaq shumë shekujsh kemi nevojë për një besëlidhje kombëtare”, ka thënë Moriseni.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndeshja e javës së 23-të e Superligës ndërmjet Ballkanit dhe…