Besiana Mehmedi, artistët më të mirët e kombit dhe komuna e Bujanocit me koncert të paharruar për Komandant Lleshin

27 maj 2025 | 21:26

Me datën 25 maj, në Pallatin e Kulturës në Bujanoc është mbajtur koncert homazh përkujtmor dedikuar Ridvan Qazimit- komandant Lleshit në përvjetorin e rënies së tij! Organizator i këtij aktiviteti ishte Komuna e Bujanocit dhe kryetari z.Arbër Pajaziti i cili në fjalimin e tij kujtoi heroizmin e pashoq të Komandant Lleshit në shumë luftëra posaqërisht në udhëheqjen brilante të Brigadës 112 Sherif Jonuzi e Enver Bajrami në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc!

Kësaj radhe pas 24 vitesh ishte planifikuar që komandanti të kujtohet ndryshe përmes koncertit të parë klasik në Bujanoc, ku të pranishëm ishin emrat e mëdhenjë të artit:Zhani Ciko- Mjeshtër i madh, Mariana Leka- primadona e operës së Shqipërisë- Mjeshtër i Madh, Rudina Ciko- pianiste- profesoreshë në Akademinë e Arteve në Tiranë, Xhevat Limani- aktor karriere, grupi koral i studentëve të Universitetit të Tetovës! Moderimi i ngjarjes dhe pikat qëndrore artistike i takuan profesoreshës Besiana Mehmedi- mezosoprano ndërkaq tërë barrën artistike e barti drejtori artistik Shkodran Tolaj të cilin publiku i Bujanocit që kishte mbushur përplot sallën me mbi 800 ulëse e falenderuan duke u ngritur në këmbë e duke e duartrokitur parreshtur pas mbarimit të koncertit!
Koncerti nisi me intonimin e himnit kombëtar interpretuar nga grupi koral për të vazhduar me me një minutë heshtje në kujtim të jetës dhe veprës së Komandantit! Më pas fjalë rasti mbajti kryetari i OVLUÇK- Bejtulla Bejtullahu i cili bëri thirrje për unitet e bashkim si e vetmja mënyrë për të ecur shqiptarët përpara! Në këtë frymë u interpretua “Për mëmëdhenë” nga grupi koral ndërkaq në emër të komunës së Bujanocit fjalë rasti mbajtën Driton Rexhepi- kryetar i kuvendit dhe kryetari i komunës së Bujanocit i cili shprehu falenderime të përzemërta për publikun, artistët e në veçanti z.Tolaj që ka bërë të mundur nderimin e komandantit në nivelin që ai meriton!
Pas këtij fjalimi Besiana Mehmedi kishte përgatitur një monolog premierë “Shkëndijë lirie” me përcjellje në piano nga Rudina Ciko dialog që emocionoi tërë sallën dhe e bëri me lot në sy! Ajo kujtoi fëmijët e komandantit: Albulenën, Kaltrinën, Leventin, Liridonin, nipin që ka trashëguar emrin e tij Ridvanin, bashkëshorten shembullore Shejzije, babain e ndjerë Isenin e nënën Ilfete që në shpirtin e tij kishin mbjellur pafund dashuri të shenjtë për atdheun! Në këtë monolog u kujtua rënia tek “Gurët e buajve” më 24 maj 2001, marrëveshja e Konçulit më 20 maj 2001, muzeu me kujtime i ngritur në Tërnoc të madh më 26 nëntor 2012, lapidari i cili u ngrit në vitin 2002 por dhe momente të veçanta si ngritja e flamurit kombëtar më 31 dhjetor 2000 në mesin e mijëra qytetarëve që e donin dhe adhuronin aq fort komandantin duke e shpalosur kështu dimensionin e tij si figura më emblematike e Luginës dhe si njeri të guximshëm vizionar, strateg si njeri paqësor që rezistencën e luftën e kishte të domosdoshme për të mbrojtur popullin e tij kundrejt shtypjes e okupimit nga agresori serb!
Pas këtyre emocioneve në skenë u ngjit Levent Qazimi- djali i komandant Lleshit që aktualisht është nënkryetar i komunës së Bujanocit!
Një pikë tjetër premierë ishte kompozimi i Sami Piraj me tekst nga Shkodran Tolaj që u duartrokit disa herë gjatë interpretimit brilant të Besiana Mehmedit!
Në skenë u mirëprit Mariana Leka me veprat “Unë biri yt Kosovë” dhe “Agimet shqiptare” për të kulmuar me mjeshtrinë e aktorit Xhevat Limani i cili vargjet e Nolit “Mbahu nën’ o mos ke frikë” i solli si kurrë më parë në atë skenë!
Pas këtij interpretimi Besiana Mehmedi, Xhevat Limani, grupi koral dhe Rudina Ciko sollën “Ai është i gjallë” dedikuar komandantit Adem Jashari, Ushtarëve e komandantëve tanë duke pasqyruar lidhjen e Ridvan Qazimit me Adem Jasharin- fotografinë e së cilit e mbante në shtabin e përgjithshëm të luftës së Luginës në Konçul!
Pas kësah vepre tejet dramatike, në skenë u interpretuan dy duete që i këndojnë jetës dhe së ardhmes “Këngë moj” dhe “Valsi i lumturisë” ku Besiana Mehmedi e Mariana Leka përçuan dëshirën e komandantit që jetën ta jetojmë e gëzojmë pavarësisht të gjitha sfidave!
Pas këtyre pikave u përshëndet me duartrokitje të gjata maestro Zhani Ciko duke e falenderuar për pjesëmarrjen e tij në Bujanoc! Maestro Zhani Ciko në shenjë nderimi për komandantin dirigjoi Himnin e Evropës interpretuar nga dy solistet dhe kori duke përcjellur mesazhin se komandant Lleshi luftoi që shqiptarët të jenë pjesë e Evropës pa kufinjë!
Në fund të koncertit të pranishmit i përshëndeti drejtori artistik Shkodran Tolaj i cili u duartrokit fuqishëm nga e gjithë salla si falenderim për angazhimin e tij të parezervë në shumë koncerte dhe pjesëmarrjen në çdo moment sfide e proteste në Luginë- aty ku akoma kërkohen të drejtat e domosdoshme që u takojnë shqiptarëve!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prej disa ditësh, rrjetet sociale dhe mediat online janë pushtuar…