BETEJA E LOXHËS, LUFTA E HUMBUR PAS LUFTE

06 korrik 2019 | 12:46

Naim Lushi

Pa Skender Çekun dhe pa forcat e komanduara prej tij, Beteja e Loxhës, vërtet do të rrezikonte që të kthehej në një betejë disa orëshe, prandaj përjashtimi ose minimizimi i rrolit të tij dhe forcave të UÇK-së të udhëhequra prej tij, është një kontribut i madh për ta bërë këtë betejë, një luftë të humbur pas lufte.

(Me rastin e përvjetorit të Betejës së Loxhës, në nderim të heroit të asaj beteje Gjeneral Skender Çeku, të dëshmorëve të saj dhe të gjithë atyre burrave dhe grave që luftuan heroikisht nën emblemën e lavdishme të UÇK-së)

Atë verë të vitit 1998 të mendoje për Loxhen ishte vështirë të shkoqisje nga mendja bubullimat shpërthyese të artilerisë, këmbësorisë dhe aviacionit luftarak serb që ishin koncentruar me ngulmim për ta thyer rezistencen kolosale të djemëve dhe vajzave të asaj vatre lufte që më përpjekje titanike po mbronin pozicionet, popullaten civile por edhe porten e parë të rrafshit të Dukagjinit të pa thyer dhe të pa hapur për depërtim të mëtutjeshëm të armikut në zonat më të thella të luftës. Sot kur e kujtoj atë kohë, më duket sikur e ndjejë, akoma, në mushkëritë e mia gjithë atë tym baroti i cili, atëherë, kishte aromen e luftës për liri, e sot godet me vrazhdësinë e pezmit për lirinë e keqpërdorur, për virtytin e braktisur të luftëtarit e heroizmin e vjedhur prej tij, për ta varur si gjerdan nderi në qafen e butë e të lakueshme të cilitdo profiter.

Beteja e Loxhës është një histori më vete, jo vetëm për faktin se ishte një ballafaqim spartanian i atyre pak luftëtarëve të vërtetë të saj, përballë një makinerie dhe force me tendencë e fuqi shfarosëse, në një terren lufte, ku përveç vullnetit dhe motivit për t’u flijuar, gjithçka tjetër ishte në favor të armikut. Beteja e Loxhës eshtë një histori më vete edhe për shkakun se është shëndrruar në luftë e cila është humbur pas lufte, duke mos u thënë asnjëherë e vërteta e plotë dhe e paanshme e saj. Janë krijuar ide, ekipe, simpatizant, ku secila prej atyre ideve ka krijuar një të vërtetë që është përfaqësuar nga një ekipë dhe është brohoritur nga një tufë simpatizantësh të cytur për ta plasuar si të vërtetën e vetme. Kjo betejë, deri me tani, është bërë kështu, një luftë e humbur pas lufte, sepse nga një e vërtetë historike që sdo të duhej të cenohej, është kthyer në një të vërtetë politike, me qëllim të përfitimit prej saj duke e degraduar skajshëm nga një luftë dymujore, e plrgatitje shumëmujore, në një përleshje disaorëshe siç e kanë bërë ekipa e krijuar me qëllim të paternalizimit në emër të kinse luftës së FARK-ut dhe të heroit të tyre ikanak Tahir Zemaj. Kjo ekipë donte që përmes kësaj, t’ia atribuonte vetvetës pjesmarrjen në luftën çlirimtare dhe suksesin e pakrahasueshëm gjoja nën udhëheqjën e saj, prandaj me qëllim dhe vetëdije negzlizhojnë dhe abstrahojnë gjithçka tjetër, përfshi edhe kohëzgjatjen e luftës brenda së cilës mungonte heroi i tyre me prejardhje e përgatitje profesionale ushtarake nga KOS-i i famshëm jugosllav.

Beteja e Loxhës u bë një luftë e humbur pas lufte edhe sepse eksponent të shtabit lokal të fshatit Loxhë, në përpjekje për të marr për vete gjithçka nga thesi i madh i meritave që ka krijuar heroizmi i kësaj beteje, në raste të caktuara, i dhanë asaj karakterin e një vetorganizimi për ta mbrojtur pragun e shtëpisë, duke e shkëputur atë, indirekt, nga shtrirja e luftës sipas organizimit dhe planit operativ të UÇK-së, gjegjësisht atij të Zonës Operative të Dukagjinit. Me lënien jashtë kësaj ombrelle, dhe duke ja bashkangjitur tendencën se, kinse, beteja e vërtetë e Loxhës ka ndodhur vetëm brenda atyre pak orëve ku disa ushtarë siç parapelqehet të quhen ushtarë të FARK-ut, kanë marrë pjesë, nënkuptimi është krejtësisht i qartë, dhe krejtësisht i sajuar.

Për të mos e dëmtuar këtë argument të sajuar, me një dinakëri të pashoqe anashkalohet rroli i njësive të UÇK-së të cilat kishin marrë urdhër nga Komandanti dhe Shtabi i ZOD-it për tu vendosur dhe për të operuar në fshatin Loxhë më qëllim të ndihmës në organizim dhe të udhëheqjës së luftës, ku kanë qëndruar nga dita e parë e deri në përfundim të betejës pothuajse dy mujore.

Vetëm shkarazi përmendet Gjenerali Skender Çeku, i cili ka qenë një komandant faktik i Betejës së Loxhës gjatë operacioneve luftarake, por edhe një bashkrëndues veprimesh nëmes të të gjitha pikave të mbrojtjes në fshatin Loxhë, sadoqe vendqendrimi i tij dhe i një pjese të forcave të UÇK-së të derguara nga Shtabi i ZOD-it, ishte në pikën 3, gjegjësisht në Lagjen e Morinve.

Bashkluftëtarët e tij as që zihën në gojë, sadoqe ka prej tyre të vrarë e të plagosur.

Pa Skender Çekun dhe pa forcat e komanduara prej tij, Beteja e Loxhës, vërtet do të rrezikonte që të kthehëj në një betejë disa orëshe, prandaj përjashtimi i rrolit të tij dhe forcave të udhëhequra prej tij është një kontribut i madh për ta bërë këtë betejë, një luftë të humbur pas lufte.

Këtë e vërteton fakti se pas plagosjes së Skender Çekut, si pasojë e të cilave plagë ai ndërroj jetë më vonë, të njejtën ditë rezistenca në Loxhë u thye, jo vetëm nga shkaku i intensitetit tejet të fuqishem të sulmeve armike me të gjithë arsenalin ushtarak që posedonin, përfshi këtu edhe aviacionin luftarak, por edhe nga fakti se mosprezenca e komandantit faktik dhe real në luftime, zbehu mjaft shumë moralin luftarak të ushtarët, që atë e shihnin si simbol të pathyeshmërisë së UÇK-së.

Lajmet për Skendën dhe kthimi i korrierëve me përgjigje negative për sjelljën e përforcimeve nga Prapaqani dhe nga Barani, ku ishin të stacionuar Tahir Zema dhe Nazif Ramabaja me ushtarët e tyre, i shou plotësisht shpresat, në kohën kur një ditë e gjatë luftimesh po përfundonte, e bashk me të edhe rezervat e fundit të municioneve.

Loxha u braktis po atë ditë, me 15 Gusht 1998 sepse braktisja u bë e pa shmangshme e rezistenca e pamundur, në kushtet kur numri i luftëtarëve nga minuta në minutë po zvogëlohej.

Mbase ishte edhe e planifikuar nga dikush për të dështuar, si fronti i fundit i UÇK-së në Dukagjin,  akoma i pa thyer nga ofanziva serbe e muajit Gusht, me qëllim për ta rikthyer përspektiven e varrosur të zgjidhjes me dialog, atëherë, nën patronatin e Shën Exhidios.

Megjithatë koha do të tregojë se Beteja e Loxhës, asnjëherë nuk do të mund të mbetet luftë e humbur pas lufte. E vërteta, mënëfund do ta mposht lakminë e lavdisë dhe kjo betejë do të fitojë.

Shkelqimi i kësaj beteje legjendare, gjithmonë do të mbetet njëra ndër rrezet më vezulluese në gjerdanin e artë të luftës së UÇK-së.

(Autori ka qenë pjesëmarrës në këtë betejë deri në momentet e fundit të saj)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka vizituar punimet në Qendrën…