Beteja që turpëroi forcat e “Wagner”, si ushtria amerikane fshiu nga faqja e dheut 200 mercenarë rusë brenda pak minutash

03 shtator 2023 | 19:34

Ndoshta nuk keni dëgjuar kurrë për këtë betejë, por është një prej përballjeve të rralla të forcave ruse me ushtrinë amerikane, dhe përfundimi nuk ishte i mirë për mercenarët e grupit famëkeq “Wagner”.

Beteja është zhvilluar në Khasham të Sirisë, në shkurt të vitit 2018, dhe ka hyrë në histori si “shkurti i kuq” për shkak të gjakut të derdhur nga rusët që u shpartalluan në pak minuta.

Në Siri, në atë vit ndodheshin forcat ushtarake ruse të cilat ishin renditur krah regjimit të Assad-it dhe forcat amerikane të cilat përkrahnin forcat demokratike siriane. Ndonëse nuk konfrontoheshin me njëri-tjetrin, armiku i tyre ishte i përbashkët; terroristët e Shtetit Islamik.

Por teksa forcat speciale amerikane po mbronin një fortifikim pranë një fushe nafte, rreth 500 mercenarë të “Wagner” dhe trupa siriane menduan se do të ishte mirë t’i sulmonin për t’i ndjekur dhe marrë nën kontroll zonën naftëmbajtëse.

Teksa sulmi nisi me mjete të blinduara, tanke dhe “AFV”, amerikanët telefonuan komandën ruse, për t’i pyetur nëse ishin ata që po i sulmonin. Përgjigja ishte negative, rusët mohuan se ishin pjesë e sulmit.

Kaq i mjaftoi amerikanëve për t’i dhënë “ok” nisjes së një ofensive që do të rezultonte fatale për armikin. Dy dronë “Reaper” që ishin çuar në qiell sulmuan menjëherë karvanin e mjeteve armike, duke qëlluar mjetin e parë dhe të fundit në mënyrë që t’i bllokonin.

Për 10 minutat që vijuan, breshëria e superioritetit ajror amerikan do të rezultonte katastrofik për agresorët. Katër aeroplanë “Apache” u çuan në ajër dhe nisën breshërinë e mitralozave të komanduar me sensorë.

Në qiell u ngrit menjëherë edhe një bombardues AC-130 si dhe një B-52-sh amerikan. Bombat dhe raketat nuk pushonin së qëlluari mercenarët e “Wagner” dhe ata të qeverisë siriane, duke shkaktuar të paktën 200 të vdekur në minutat e para të sulmit.

Të çorientuar dhe pa kuptuar se nga vitne zjarri, mercenarët rusë nisën të largohen për të shpëtuar kokën, por sipas raportimeve të kohës, gjatë gjithë natës ata u ndoqën në strehat e tyre dhe u bombarduan nga avionët amerikanë F-22.

Disa minuta nga mesi i betejës, komanda ruse telefonoi atë amerikane, duke i kërkuar të ndërpriste sulmin, çka lë të nënkuptohet se ushtria ruse ka qenë në dijeni se mercenarët ishin përfshirë në betejë.

Bilanci ishte tragjik. Mbi 200 të vrarë nga mercenarët e “Wagner” dhe asnjë i vrarë apo i plagosur nga forcat speciale amerikane.

Po ashtu edhe mesazhi ishte i qartë, ushtria amerikane tregoi se nuk do të toleronte as edhe provokimin më të vogël ndaj trupave të tyre. Dhe se përgjigja në këtë rast do të ishte e shpejtë dhe e fortë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Barsaleta që kryeministri Edi Rama tregoi duke ironizuar me vdekjen…