Betohen 10 asamblistët e PDK-së në Kuvendin e Lipjanit, Buja: Ju priftë e mbara në këtë përgjegjësi të rëndësishme institucionale
Kryetari i degës së PDK-së në Lipjan, Shukri Buja, ka njoftuar se sot janë betuar 10 asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët do të përfaqësojnë këtë subjekt politik në Kuvendin e Komunës së Lipjanit.
Në njoftimin e tij, Buja ka theksuar se asamblistët marrin përsipër një përgjegjësi të rëndësishme institucionale, që kërkon profesionalizëm, transparencë dhe përkushtim ndaj interesit publik. Ai ka theksuar se përfaqësuesit e PDK-së do të veprojnë në përputhje me ligjin, duke mbrojtur parimet e demokracisë, zhvillimit dhe llogaridhënies, si dhe duke përfaqësuar me dinjitet vlerat programore të partisë.
“Qëllimi ynë mbetet i qartë: shërbim i drejtë, i barabartë dhe i përgjegjshëm për të gjithë qytetarët e Komunës së Lipjanit”, ka shkruar Buja. Ai ka shtuar se ceremonia e betimit, e cila u zhvillua duke nderuar figurën e Komandantit Legjendar Adem Jashari, shënon fillimin e një mandati të ri, ku prioritet do të jenë puna, serioziteti dhe respektimi i ligjshmërisë. “Urojmë që angazhimi juaj të jetë i mbarë dhe i suksesshëm, në shërbim të qytetarëve dhe të interesit të përgjithshëm. Ju priftë e mbara në këtë përgjegjësi të rëndësishme institucionale”, ka përfunduar Buja.



