Beyonce bëhet miliardere, hyn në klubin elitë të pesë muzikantëve më të pasur në botë
Beyonce ka hyrë zyrtarisht në klubin e miliarderëve, duke u bërë muzikantja e pestë në histori që arrin këtë status.
Sipas Forbes, superylli 44-vjeçar i bashkohet një liste shumë ekskluzive ku bëjnë pjesë Jay-Z, Taylor Swift, Bruce Springsteen dhe Rihanna.

Ky sukses vjen pas një periudhe jashtëzakonisht të fortë në karrierën e saj. Turneu botëror Renaissance në vitin 2023 arkëtoi afro 600 milionë dollarë (afërsisht 550 milionë euro), duke u renditur ndër turnetë më fitimprurëse të të gjitha kohërave, shkruan DailyMail.
Ndërkohë, në vitin 2024 Beyonce surprizoi publikun me albumin country Cowboy Carter, i cili hapi horizonte të reja artistike dhe komerciale, përfshirë një performancë madhore në NFL dhe turneun më fitimprurës të vitit 2025.
Forbes thekson se rritja e pasurisë së saj lidhet ngushtë me vendimet e zgjuara të biznesit. Që nga themelimi i Parkwood Entertainment në vitin 2010, Beyonce ka marrë kontrollin e plotë të karrierës së saj, duke ruajtur pronësinë e muzikës dhe duke maksimizuar fitimet nga turnetë globale.

Edhe pse ka investuar në disa sipërmarrje të tjera, burimi kryesor i pasurisë së saj mbetet muzika.
Me këtë arritje, Beyonce jo vetëm që forcon statusin e saj si ikonë globale, por edhe si një nga gratë më të fuqishme në industrinë e argëtimit.



