Biden u bën thirrje kompanive të karburantit të ndalen së përfituari nga lufta

01 nëntor 2022 | 11:35

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA),  Joe Biden u ka bërë thirrje të hënën kompanive të karburantit dhe gazit që të përdorin fitimet e tyre në nivele rekord për të ulur kostot për amerikanët, si dhe të rrisin prodhimin, ose të paguajnë një nivel më të lartë taksash. Deklarata e tij vjen derisa vazhdon përballja me çmime të larta të karburanit dhe ndërsa votimet janë vetëm një javë larg.

Në fjalimin në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Biden ka kritikuar kompanitë e kryesore të naftës që po nxjerrin fitime të mëdha, ndërsa amerikanët, të lodhur nga inflacioni, po paguajnë shuma të konsiderueshme për të furnizuar makinat e tyre.

Industria e naftës “nuk e ka përmbushur zotimin e saj për të investuar në Amerikë dhe për të mbështetur popullin amerikan”, ka thënë ai.

Ata nuk po nxjerrin thjesht fitimet që u takojnë, ka thënë ai, ata po bëjnë “fitime aq të larta sa është e vështirë të besohet”.

“Fitimet e tyre janë një përfitim i papritur i luftës”, ka thënë ai, duke iu referuar konfliktit që po shkatërron Ukrainën dhe duke shtuar se ata kanë përgjegjësinë për të vepruar.

“Unë mendoj se është revoltuese”, ka thënë ai. Nëse do t’i kalonin ato fitime te konsumatorët, çmimet e benzinës do të uleshin me rreth 50 centë, ka thënë presidenti amerikan.

“Nëse nuk e bëjnë, ata do të paguajnë një taksë më të lartë mbi fitimet e tyre të tepërta dhe do të përballen me kufizime të tjera”, ka thënë ai.

Shtëpia e Bardhë do të punojë me Kongresin për të shqyrtuar këto opsione dhe të tjera. “Është koha që këto kompani të ndalin përfitimin nga lufta”, ka thënë Bideni.

Presidenti Biden ka thënë se kompanitë e naftës dhe gazit duhet të investojnë fitimet e tyre për uljen e kostove për amerikanët dhe rritjen e prodhimit dhe se nëse nuk e bëjnë këtë, ai do t’i kërkojë Kongresit të shqyrtojë mundësinë e detyrimit të kompanive të naftës që të paguajnë gjoba tatimore dhe të përballen me kufizime të tjera.

Presidenti e ka mbajtur fjalimin vetëm një javë përpara se amerikanët të vendosin nëse demokratët e partisë së tij do të vazhdojnë të kenë kontrollin e Kongresit. Republikanët duket se janë favoritët për të marrë shumicën e Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa për Senatin nuk është e qartë.

Gjigantët globalë të energjisë, përfshirë kompanitë “Exxon Mobil Corp.” dhe “Chevron Corp.”, kanë publikuar një tjetër raund fitimesh të mëdha tremujore, duke përfituar nga rritja e çmimeve të gazit natyror dhe karburantit që kanë nxitur inflacionin në mbarë botën dhe kanë shkaktuar thirrje të reja për taksimin e mëtejshëm të këtij sektorit. /VOA

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Modelja e njohur, Kejvina Kthella, ka zgjedhur të maskohet si…