Bideni bisedon me mbretin saudit për të drejtat e njeriut

26 shkurt 2021 | 11:29

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka biseduar në telefon me mbretin Salman të Arabisë Saudite.

Bideni ka vënë në pah rëndësinë që ShBA-ja u kushton të drejtave universale të njeriut dhe sundimit të ligjit, tha Shtëpia e Bardhë.

Bideni ka bërë telefonatën pasi ka lexuar një raport të ShBA-së për vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, kritik i udhëheqjes saudite.

Raporti, që do të publikohet së shpejti, pritet të implikojë në vrasje djalin e mbretit, princin e kurorës, Mohammed bin Salman.

Paraardhësi i Bidenit, Donald Trump, ka ndjekur lidhje më të ngushta me Arabinë Saudite.

Administrata e tij ka refuzuar një kërkesë ligjore për ta lëshuar raportin në formë të deklasifikuar, ndërsa Biden pritet të marrë një qëndrim më të ashpër.

Gjatë vrasjes brenda konsullatës saudite në Stamboll, në vitin 2018, trupi i Khashoggit është copëtuar. Princi i kurorës e ka mohuar përfshirjen.

Autoritetet saudite kanë fajësuar një grup agjentësh për vrasjen dhe kanë dënuar pesë individë me 20 vjet burgim, shtatorin e kaluar.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Biden dhe mbreti Salman diskutuan edhe për “partneritetin e gjatë midis Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite”, si dhe për kërcënimin që i kanoset Arabisë Saudite nga grupet pro-iraniane.

“Presidenti i tha mbretit Salman se ai do të punojë për ta bërë marrëdhënien dypalëshe sa më të fortë dhe sa më transparente”, është thënë në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Forcat e sigurisë në Jangon, qytetin më të madh të…