
Bideni i shkruan Osmanit: Marrëveshja me Serbinë duhet të përqendrohet në njohjen reciproke
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letër urimi nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Joe Biden, i cili e ka uruar në emër të popullit amerikan për zgjedhjen në krye të shtetit.
Bideni ka përmendur marrëdhëniet e mira ndërmjet të dy shteteve dhe partneritetin e gjatë të rrënjosur në vlerat e përbashkëta duke përmendur edhe raportin personal të familjes Biden me Kosovën.
Presidenti amerikan ka përmendur të birin e tij, Beau, i cili ka shërbyer në Kosovë në kuadër të forcave paqeruajtëse amerikane siç thuhet në letër për “avancimin e paqes, si dhe sundimit të rendit e ligjit”.
I pari i shtetit amerikan ka theksuar se do të punojë me presidenten Osmani në prioritetet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe bashkësive fetare, rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë Covid-19, zhvillimin ekonomik si dhe sigurimin e të ardhmes së qëndrueshme energjetike.
Bideni i është përgjigjur edhe kërkesës së presidentes kosovare që ShBA-ja të ndihmojnë me vaksina, bazuar në letrën e saj të 19 marsit.
Ai ka potencuar se me shtimin e sasisë së vaksinave, ShBA-ja do të punojnë me partnerët për shpërndarjen e tyre dhe se ekipi i tij do të jetë ne kontakt me presidenten Osmani për realizimin e synimit të tillë.
Në letrën e presidentit Biden është theksuar se ShBA-ja mbështet vazhdimin e dialogut me Serbinë.
“ShBA-ja do të vazhdojnë t’i mbështesë përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe dialogut produktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimisht marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim e cila besojmë se do të duhej të përqendrohej në njohjen reciproke”, është thënë në letrën e Biden dërguar Osmanit.
Letra e plotë e presidentit amerikan, Joe Biden: