
Bien në pranga dy kushërinjtë nga Vranjevci
Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.
Një aksion i Njësisë së Antidrogës ka rezultuar me arrestimin e dy persona të dyshuar për posedim të lëndëve narkotike në lagjen Vranjevc të Prishtinës.
Burime të sigurta të Sinjalit bëjnë me dije se në pranga kanë rënë Elham Beqiri dhe Xhemajl Beqiri, të cilët janë kushërinj dhe dyshohen se kanë qenë të përfshirë në shpërndarje të substancave narkotike.
Gjatë kontrollit të realizuar nga Policia në një lokacion në Vranjevc, është sekuestruar mbi gjysmë kilogrami marihuanë, e cila dyshohet se ishte e destinuar për tregun lokal.
Me urdhër të prokurorit kompetent, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur rrjetin e mundshëm të shpërndarjes dhe burimin e furnizimit me drogë.