BIK-u ka mision edukimin e drejtë të të rinjve

12 gusht 2019 | 11:19

Zëvendësmyftiu i Kosovës, Reshat ef. Mexhidi, ka deklaruar se është mision i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) që të angazhohet ta ruajë, ta udhëzojë dhe ta edukojë popullatën.

Me rastin e  festës së Kurban Bajramit, ai ka vlerësuar se është detyrë e të gjitha komuniteteve fetare në Kosovë të kujdesen sidomos për brezin e ri që të mos merret me dukuri negative.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Mexhidi ka bërë me dije se BIK-u do të vazhdojë të angazhohet maksimalisht në këtë mision. “Ne do të vazhdojmë të angazhohemi për edukimin e drejtë të të rinjve tanë. E kemi detyrë që të ruajmë e edukojmë drejt rininë dhe të ndërtojmë një shoqëri të shëndoshë, të arsimuar e të kulturuar, që njeh Zotin, respekton vlerat dhe ka ndjesinë humane e njerëzore”, ka thënë Mexhidi.

Ai ka vlerësuar si tepër shqetësuese rritjen e disa fenomeneve negative te rinia jonë. “Për ne është shqetësuese rritja e numrit të përdoruesve të lëndëve narkotike nga të rinjtë tanë, po ashtu është shqetësuese edhe rritja e aksidenteve me fatalitet në rrugët tona. Ne si Bashkësi Islame në vazhdimësi predikojmë largimin nga dukuritë negative, këtë e bëjmë nëpër institucionet tona siç janë xhamitë, pastaj shfrytëzojmë edhe praninë tonë kudo në radhët e xhematit që të flasim për këto dukuri”, është shprehur ai.

Në këtë intervistë Mexhidi ka folur edhe për rëndësinë e prerjes së Kurban Bajramit, duke shtuar se për besimtarët myslimanë – për ata që kanë mundësi – prerja e kurbanit është obligim. “Rëndësia e kurbanit është e shumëfishtë, sidomos për aspektin social, sepse prej qëllimeve të kurbanit është që përmes tij të kujdesemi më shumë për nevojtarët, jetimët e skamnorët. Mirëpo, duhet ditur se kurbani theret për Zotin e madhëruar në kohë të caktuar dhe me kritere të caktuara”, ka deklaruar ai.

Zëvendësmyftiu i Kosovës ka treguar se besimtarët mund edhe ta paguajnë në institucionet e BIK-ut prerjen e kurbanit. “Ftoj besimtarët tanë që kurbanin ta paguajnë në institucionet e BI-së që t’i ndihmojnë institucionet arsimore të BI-së, t’i ndihmojnë ata që kanë nevojë dhe të jenë të sigurt që kurbani i tyre do të theret në kushtet e kërkuara si të sheriatit ashtu edhe kushtet sanitare”, ka thënë Mexhidi.

“Epoka e re”: Si është gjendja e besimtarëve të Kosovës që kanë shkuar në Mekë për ta kryer haxhin, dhe a kanë filluar kryerjen e ibadeteve?
Mexhidi: Fillimisht më lejoni të them se besimtarët tanë që këtë vit kanë bërë nijet ta kryejnë haxhin tashmë veç janë në Mekën e bekuar, ku edhe janë akomoduar dhe kanë filluar kryerjen e ibadeteve që kërkohen për umre dhe haxh. Sivjet në organizim të Bashkësisë Islame të Kosovës për ta kryer haxhin kanë udhëtuar 1 080 besimtarë, të cilëve u prinë vetë myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava. Së bashku me besimtarët tanë është edhe grupi i udhëheqësve që u prinë besimtarëve për ta kryer haxhin, si dhe ekipi mjekësor që kujdeset për gjendjen shëndetësore të besimtarëve tanë. Ne jemi në kontakt të përditshëm me përgjegjësit e haxhit dhe mund t’ju informoj se besimtarët tanë janë të akomoduar në kushte të mira, duke përfshirë këtu edhe ushqimin dhe transportin brenda Mekës. Deri më tani nuk ka ndonjë besimtar që ka shfaqur probleme shëndetësore.

 “Epoka e re”: Jemi në prag të festës së Kurban Bajramit, ku besimtarët urdhërohen për therjen e një kafshe për hir të Zotit. Për një besimtar, cila është rëndësia e prerjes së kurbanit?
Mexhidi: Vetë festa në vigjilje të së cilës jemi vjen pas kryerës së haxhit dhe therjes së kurbanit. Therja e kurbanit për besimtarët myslimanë është obligim për ata që kanë mundësi. Ndërsa rëndësia e kurbanit është e shumëfishtë, sidomos për aspektin social, sepse prej qëllimeve të kubanit është që përmes tij të kujdesemi më shumë për nevojtarët, jetimët e skamnorët. Mirëpo, duhet ditur që kurbani theret për Zotin e madhëruar në kohë të caktuar dhe me kritere të caktuara.

“Epoka e re”: Këtë vit a organizon Bashkësia Islame e Kosovës therjen e kurbaneve dhe si mund ta kryejë këtë obligim një besimtar?
Mexhidi: Po, Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë organizimin e tubimit për therjen kolektive të kurbanit. Siç dihet, tashmë besimtarët tanë mund ta porosisin kurbanin duke paguar pranë selive të Këshillave të Bashkësisë Islame në të gjitha komunat e Kosovës nëpër xhamitë tona apo edhe pranë institucioneve të tjera të Bashkësisë Islame. Bashkësia Islame e Kosovës pastaj organizon therjen e kurbanit në kohë reale duke respektuar kushtet që parasheh sheriati, si dhe kushtet higjiene-sanitare me kritere të Bashkimit Evropian. Një sasi të mishit të kurbanit, Bashkësia Islame e ndal për nevoja të medreseve tona, ndërsa pjesën tjerët ua kthen njerëzve në nevojë, pra e shpërndan tek ajo pjesë e shoqërisë që është nevojtare. Andaj, ftoj besimtarët tanë që kurbanin ta paguajnë në institucionet e Bashkësisë Islame që t’i ndihmojnë institucionet arsimore të BI-së, t’i ndihmojnë ata që kanë nevojë dhe të jenë të sigurt që kurbani i tyre do të theret në kushtet e kërkuara si të sheriatit ashtu edhe me kushte sanitare. Dua të them edhe këtë, nuk është fare e pranueshme që dikush te ne ta organizojë therjen kolektive të kurbaneve pa kushtet e parapara për trajtimin, ruajtjen dhe shpërndarjen e mishit.

“Epoka e re”: Së fundi nëpër të gjitha xhamitë e Kosovës hytbet e xhumave ua kanë kushtuar ruajtjes së të rinjve nga përdorimi i lëndëve narkotike, kujdesit në trafik. Sa po ia del Bashkësia Islame e Kosovës për vetëdijesimin e shoqërisë në raport me fenomenet negative?
Mexhidi: Është mision i komuniteteve fetare, e në këtë rast i Bashkësisë Islame, që të angazhohet që ta ruajë, ta udhëzoj dhe ta edukoj popullatën, e sidomos brezin e ri, që të mos merret me dukuri negative. Për ne është shqetësuese rritja e numrit të përdoruesve të lëndëve narkotike nga të rinjtë tanë, po ashtu është shqetësuese edhe rritja e aksidenteve me vdekshmëri në rrugët tona. Ne si Bashkësi Islame në vazhdimësi predikojmë largimin nga dukuritë negative. Këtë e bëjmë nëpër institucionet tona siç janë xhamitë, pastaj shfrytëzojmë edhe praninë tonë kudo në radhët e xhematit që të flasim për këto dukuri. Mirëpo, kryesia e BIK-ut me nismën e myftiut ka vendosur që ditë më parë kësaj çështjeje t’i kushtohet vëmendje e shtuar, duke ia dedikuar hytben e xhumasë dëmit dhe pasojave që sjellin lëndët narkotike për shoqërinë, si dhe duke apeluar në hytben tjetër për kujdes në trafik. Hytbet janë pritur mirë nga besimtarët tanë. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi për edukimin e drejtë të të rinjve tanë. E kemi detyrë që të ruajmë e edukojmë drejt rininë dhe të ndërtojmë një shoqëri të shëndoshë, të arsimuar e të kulturuar që njeh Zotin, respekton vlerat dhe ka ndjesinë humane dhe njerëzore.

“Epoka e re”: Gjatë këtij muaji institucionet shtetërore kanë organizuar aktivitete të ndryshme për diasporën. BIK-u ka paraparë ndonjë aktivitet në këtë drejtim?
Mexhidi: Ne në vazhdimësi jemi në kontakt me diasporën tonë, përmes Drejtorisë për Diasporë që vepron në kuadër të kryesisë së BIK-ut. Gjatë tërë vitit ne vizitojmë qendrat tona në diasporë, përcjellim aktivitetet, rritjen dhe sfidat e tyre. Ndërsa tani gjatë muajve të pushimeve kemi një sërë takimesh me përfaqësuesit e diasporës. Kështu, ditë më parë, në kuadër të takimit me diasporën, kryesia e BIK-ut pati një takim pune me përfaqësuesit e qendrave islame shqiptare në diasporë. Takimi është mbajtur në Medresenë e Mesme “Alaudin”, ku qe i pranishëm edhe myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët. Takime të tilla kanë mbajtur edhe në nivel të Këshillave të Bashkësisë Islame.

 “Epoka e re”: Cili është mesazhi i BIK-ut për qytetarët e Kosovës me rastin e kësaj feste?
Mexhidi: Mesazhi i BIK-ut është: më shumë përkushtim për bamirësi, paqe, solidaritet, mbarësi dhe dashuri. Le të jetë kjo festë motiv që ta duam njëri-tjetrin më shumë, të respektojmë njëri-tjetrin më shumë, të angazhohemi për tolerancë, mirëkuptim dhe mirëbesim. Gëzuar festa!

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova jo vetëm pranon para në formë të remitencave nga…