Bilanci i politikës në Kosovë gjatë vitit 2025

06 janar 2026 | 16:02

Shkruan: Hisen Berisha

Viti 2025 ishte një vit i mbrapsht për Kosovën dhe pritjet për vitin pasues mbeten po aq shqetësuese.

Nuk ishte vit reformash apo konsolidimi shtetëror, por vit i tensioneve politike, krizës institucionale, polarizimit të thellë shoqëror dhe izolimit ndërkombëtar.

Ishte një vit ku politika prodhoi më shumë krizë sesa zgjidhje, më shumë përplasje sesa stabilitet dhe më shumë pasoja sesa rezultate.

Në rrafshin e brendshëm, qeverisja Kurti u karakterizua nga centralizim i pushtetit, përplasje të vazhdueshme me opozitën dhe përdorim i institucioneve si instrument për konflikt politik, e jo për ndërtim konsensusi.

Në vend të reformave reale, prodhoi përjashtim politik, bllokim institucional dhe dobësim të funksionimit të shtetit.

Bllokada institucionale, gjatë vitit 2025, ishte e paprecedent, një vit i humbur për shtetin e popullin, përmes moskonstituimit të institucioneve dhe zvarritjes së krijimit të qeverisë së re. Një moratorium i pa shpallur as kërkuar për ndonjë arsye strategjike siç ishte ai amerikan pas Marrëveshjes së Uashingtonit.

Kjo ishte një veprim i koordinuar në shërbim të status quo-së që i shërben interesave serbo-ruse në rajon. DASh-i ka paralajmëruar për ketë.

Qeverisja në detyrë u penalizua ligjërisht, me Gjykatën Supreme që konstatoi shkelje dhe kufizoi veprimtarinë e saj. Mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese cenoi drejtpërdrejt rendin kushtetues dhe parimin e ndarjes së pushteteve, duke minuar besimin e qytetarëve në rendin juridik dhe duke e ekspozuar Kosovën ndaj presioneve të jashtme.

Vendimmarrja u udhëhoq kryesisht nga kalkulime partiake dhe jo nga interesi shtetëror, çka e mbajti vendin peng të interesave të ngushta të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në vend të lidershipit shtetformues, u pa një qasje bllokuese, përjashtuese dhe shpesh arrogante ndaj institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Opozita, veproi në kushte të një presioni të vazhdueshëm politik dhe institucional. Aksionet e saj ishin kryesisht mbrojtëse ndaj rendit kushtetues, duke mbajtur gjallë debatin institucional, duke ngritur zërin kundër shkeljeve të ligjit dhe kapjes së institucioneve, si dhe duke kërkuar kthim në normalitet institucional.

Tërheqjet “taktike” në momente të caktuara nuk ishin pasivitet, por refuzim për të legjitimuar procese të dizajnuara për dominim politik dhe jo për demokraci funksionale.

Në një klimë të rënduar politike, opozita ishte faktor stabiliteti dhe balancimi. Ani se është gjykuar për butësinë opozitare, dhe është penaliziar me refuzim të daljes në votim për shkak të mosveprimit më agresiv opozitar.

Në planin ndërkombëtar, Kosova humbi terren ndjeshëm.

Viti 2025 ishte një nga vitet më të vështira në raport me partnerët strategjikë.

Masat sanksionuese të Bashkimit Evropian vazhduan, duke goditur zhvillimin ekonomik dhe kredibilitetin politik të vendit, ndërsa pezullimi i dialogut strategjik nga Shtetet e Bashkuara ishte sinjal serioz i humbjes së besimit në qeverisje. Dialogu me Serbinë u zhvillua pa transparencë dhe pa mandat të qartë qytetar, duke vënë në diskutim qartësinë e statusit të Kosovës dhe duke prodhuar pasiguri politike e diplomatike.

Vendimet që e lehtësuan përkohësisht pozitën e Kosovës ishin kryesisht ato që lidhen me shmangien e përshkallëzimit të sigurisë dhe ruajtjen e stabilitetit minimal të brendshëm.

Në anën tjetër, vendimet që e rënduan situatën ishin ato që e izoluan Kosovën nga partnerët euroatlantikë, veçanërisht nga ShBA-ja, dhe e futën vendin në një kurs konfrontues pa strategji afatgjate.

Pasojat e krizës politike u reflektuan drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, ku patëm ngadalësim ekonomik, pasiguri për investime, humbje fondesh ndërkombëtare, rritje të çmimeve, inflacion të lartë të pakontrolluar, kosto të rritura të energjisë dhe varfërim të shportës familjare.

Gjuha konfliktuale e qeveritarëve dhe tensionimi i marrëdhënieve me aleatët ndikuan edhe në dobësimin e pozicionit të sigurisë dhe në pengimin e zhvillimit të kapaciteteve të plota operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës sipas Planit të Tranzicionit.

Zgjedhjet e shkurtit të vitit 2025 nuk e zgjidhën krizën politike; përkundrazi, ato u përdorën si instrument për konsolidim pushteti dhe jo si mekanizëm demokratik për dalje nga kriza. Proceset që pasuan dëshmuan se pa kulturë kompromisi dhe pa respekt për Kushtetutën, as vota nuk prodhon stabilitet dhe çdo mandat mbetet i kontestueshëm politikisht.

Procesi zgjedhor i vitit 2025, në vend që të shërbej si mekanizëm për dalje nga kriza, duket se do hap një kapitull të ri kontestimesh serioze politike dhe institucionale. Rezultatet e shpallura, veçanërisht në votimin jashtë vendit dhe në përfaqësitë diplomatike, krijojnë dyshime të thella mbi integritetin e procesit, duke prodhuar perceptim të gjerë për manipulim teknik, ndikim të paligjshëm dhe deformim të vullnetit të lirë të votuesve.

Diskrepancat ekstreme në rezultate, të panjohura për standardet demokratike të Kosovës që nga fillimi i pluralizmit politik, po e rikthejnë vendin në kujtesën e praktikave që lidhen më shumë me regjime autoritare sesa me demokraci funksionale.

Në këtë kontekst, kontestimi i rezultatit nuk duhet parë si akt destabilizues, por si reagim qytetar dhe politik për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe për evitimin e një kolapsi të rrezikshëm të besimit në procesin demokratik.

Për herë të parë pas dekadash përpjekjesh për zgjedhje të lira, u vu në pikëpyetje jo vetëm gara ndërmjet partive, por edhe legjitimiteti i përfaqësimit politik brenda vetë subjekteve përmes votes klienteliste, duke e thelluar krizën e besimit dhe duke e zhvendosur Kosovën në një zonë gri të demokracisë së kontestuar.

Në këtë kontekst të një krize të thellë legjitimiteti, të theksuar nga aleatët dhe raportet ndërkombëtare, përgjegjësia politike e subjekteve opozitare, nuk duhet të lidhet me pjesëmarrjen formale në procese të kontestuara, por me refuzimin për t’u bërë pjesë e tyre. Mospjesëmarrja në votimin për Presidentin, përfshirë edhe refuzimin për të marrë pjesë në seancë, nuk do të përbënte bllokadë institucionale, por akt politik për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe për shmangien e legjitimimit të një pushteti të dalë nga procese të diskutueshme. Në rrethana të tilla, tërheqja nga një proces i komprometuar është qëndrim shtetformues, jo ikje nga përgjegjësia, dhe mund të shërbejë si mekanizëm presioni demokratik për rikthimin e normalitetit institucional dhe besimit qytetar.

Bilanci i vitit 2025 është i qartë tashmë, ky vit nuk e forcoi Kosovën, por e lodhi atë. Nuk prodhoi konsensus, por polarizim; nuk solli avancim, por stagnim.

Përgjegjësia kryesore bie mbi qeverisjen aktuale, e cila dështoi ta kuptojë se pushteti nuk është pronë partie, por përgjegjësi shtetërore.

Viti 2026 pritet të jetë vendimtar.  Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Kosova, ose kthehet në normalitet institucional, partneritet ndërkombëtar dhe qeverisje me përgjegjësi, ose rrezikon të thellojë krizën dhe izolimin. Neutralitet nuk ka më.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë…