BISEDË

28 tetor 2020 | 09:22

DIBRAN DEMAKU

– E di se kjo që do ta them, e nuk ta them dot, është një çmenduri! – dhe e kishte shikuar drejt në sy.

– Po ti thuaje, sado e çmendur që të jetë ajo fjalë! – ia kishte kthyer ajo duke qeshur.

E qeshura e saj e çiltër atë e kishte trembur edhe më shumë. Mos vallë, pas kësaj të qeshure të çiltër, në pamje të parë fshihet ndonjë kurth, ndonjë ngatërresë? Jo, jo, jo. Unë nuk guxoj t’ia shfaq ndjenjat e mia! Nuk kam të drejtë! Mosha dhe vitet e mia nuk ma lejojnë një gjë të tillë.

– Thuaje të shkretën, çfarë të mundon? – e kishte nxitur ajo.

– Sikur të ishte aq e lehtë, siç mendon ti! – ia kishte kthyer ai.

– Një fjalë goje është, të shkretën! Nxirre atë fjalë dhe mos e mundo veten!

– Po sikur… po sikur… jo, jo, jo! – i iku gjaku dhe u zbardh në fytyrë.

– Njihemi kaq kohë bashkë dhe ti nuk e thua dot një fjalë? Një fjalë të thjeshtë?

– Sikur të ishte krejt ashtu siç thua ti!

– Ty të iku edhe zëri, o i shkretë! – ia bëri tjetra. – Nuk të kam parë asnjëherë kështu si sot. Çfarë po ndodh?

– Eh! – i ishte shkëputur nga gjoksi një ofshamë.

Ajo e kishte shikuar me habi dhe me një si tronditje rasti. Tek ai po ndodhte diçka e pazakontë. Diçka që ia ndryshonte ngjyrën e lëkurës. Diçka që ia ndryshonte ngjyrën e syve.

– Mos o zot, të ketë ndonjë sëmundje për të cilën nuk ka treguar asnjëherë!? – i ishte vetëtitur asaj në mendje.

Ai edhe më tutje po e shikonte disi dhimbshëm dhe me melankoli, po nuk i bëhej të fliste fare.

– Mos je gjë sëmurë? – e kishte pyetur ajo – Sesi je zverdhur në fytyrë?! Të ka ikur krejt gjaku!

– Jo, jo, nuk kam gjë.

– Po zonja, jote shoqe, si është? Është mirë me shëndet ajo?

– Mirë është ajo, mirë, por…

– Mos është i sëmurë ndonjëri nga fëmijët?

– Jo, jo! Edhe ata janë të gjithë shëndosh e mirë, por…

– Por… por… më thuaj se çfarë do të thuash me këto poret e tua se më çmende! – ia kishte përplasur ajo.

– Të thashë se atë që dua ta them, nuk e them dot.

– Është shumë e rëndë ajo fjalë për mua, apo…

– Mbase!

– Atëherë mos e thuaj! As unë nuk dua të dëgjoj ndonjë fjalë të rëndë.

– Në të vërtetë ajo që dua të them nuk është e rëndë për ty, por për mua!

– Përse, çfarë ka ndodhur Sedat? Çfarë ka ndodhur që ti nuk e tregon dot?

– Në të vërtetë nuk ka ndodhur asgjë! Vetëm fjalën që dua të ta them nuk mund ta them dot! E mbaj të ndrydhur në zemër tash sa kohë!

– Thuaje! Nxirre nga zemra atë që të mundon!

– Sikur të ishte aq e thjeshtë, Dritë e dashur! Do ta thosha atë fjalë, por… një frikë e pashpjeguar më pengon. Pastaj… mbase as nuk kam të drejtë të them diç të tillë! Mosha ime… vitet e mia…

– Çfarë moshe? Çfarë vitesh? Tash ma bëre mendjen çorbë, Sedat. Mos vallë ajo që do të ma thuash e nuk ma thua dot ka të bëj me mua, me familjen time? Apo… me tim shoq? Mos vallë di ndonjë gjë për të? Ndonjë lidhje intime të tij?

– Jo, jo, jo Drita! – ia kishte kthyer ai. – Ajo çfarë mbaj unë të ndrydhur në zemrën time nuk ka të bëj asgjë me familjen tënde! As me tët shoq. Por… si ta them? Nuk ta them dot këtu dhe sot.

– Atëherë, kur do të ma thuash, Sedat? Apo ke ndarë mendjen të më mundosh shpirtërisht? Pas gjithë kësaj bisede të mbështjellë me velin misterioz, domosdo që unë nuk do të jem e qetë.

– Të thashë, Dritë e dashur, se sot dhe këtu nuk ta them dot! Mbase ndonjë ditë tjetër!

Dritë e dashur, Dritë e dashur! Sesi i ishte vetëtitur asaj në mendje. Çfarë do të thotë ky me këtë?

Njiheshin gjatë dhe ai asnjëherë më parë nuk i kishte folur në këtë mënyrë. Në atë mes kishte diçka misterioze! Diçka që ajo duhej ta zbulonte patjetër.

– Dhe, kur do të jetë ajo dita tjetër?

– Nuk e di as unë.

– Kur nuk e di, atëherë përse e hape një bisedë të tillë, Sedat?

– E hapa këtë bisedë sepse mendova se kjo ditë, ky takim ishte çasti i përshtatshëm, por…

– Sërish por… por… kur do të përfundosh me këta porat e tu?

– Mbase asnjëherë!

– Më trego të vërtetën Sedat, e tërë kjo bisedë jona ka të bëjë me mua, apo…

– As këtë nuk ta them dot.

– Nuk ta them dot… nuk ta them dot. Atëherë përse më mundon kot? Apo ke gjetur vendin dhe kohën që të tallesh me mua?

– Jo, jo, jo e dashura ime! Unë nuk tallem me ty. Si të shkoi në mendje një mendim i tillë?

– Ti vërtetë se ç’paske sot?! – Ia kishte kthyer ajo. – Ke parë ndonjë ëndërr, apo çfarë ka ndodhur me ty?!

– Jo, jo, jo! As ëndërr kam parë, as më ka ndodhur gjë, por…

– Por, por, por… mos të është bërë mendja vapor? Vapor që lundron nëpër dete dhe oqeane dhe nuk ka të ndalur?

– Jo vetëm vapor, por edhe tren e avion që udhëton, udhëton e udhëton! Që ëndërron, ëndërron e ëndërron! Që shpreson, shpreson e shpreson…

– Ti qenke edhe një lloj ëndërruesi e krijuesi që unë nuk e paskam ditur! – ia bëri ajo.

– Jo vetëm ëndërrues e krijues, por edhe njeri i shpresës dhe i besës! – ia kishte kthyer ai.

– Njeri i shpresës dhe i besës? Çfarë do të thuash me këtë? Shpresa… besa… a shkojnë bashkë këto të dyja?

– Shpresa dhe besa janë një binom i pandarë, e dashura ime! Kur njeriu shpreson, ai edhe beson.

– Më falni, por këtë shprehjen e dashura ime sikur po e përdorni pak si shpesh! Çfarë doni të thoni me këtë?

– E përdora në mënyrë figurative, – ia kishte kthyer.

– Pak më parë e përdorët edhe shprehjen Dritë e dashur! Edhe atë e përdorët si shprehje figurative?

– Varet se si e pranon ti atë! – ia kishte kthyer ai dhe një e skuqur ia kishte përshkuar fytyrën.

Skuqja e fytyrës së tij tregonte gjithçka. Tregonte mendimet e tij! Tregonte ëndrrat e tij! Tregonte shpresat e tij! Tregonte dëshirat e tij! Tregonte marrëzitë e tij…

– Dhe? – kishte pyetur ajo.

– Dhe asgjë! – ishte përgjigjur ai.

– Prej asgjësë del asgjëja! – ia kishte këputur ajo.

– Mbetet shpresa! – ishte përgjigjur ai.

– E nëse shpresën e mbulon vesa? – kishte pyetur ajo.

– Ndrin dielli dhe e shkrin vesën! – ishte përgjigjur ai.

– E nëse retë e mbulojnë diellin?

– Bie shi e kaltëron qielli. Kaltëron shpresa e kaltëron besa.

– Bukur, ti po shihje ëndërr. Në pleqëri do të bëhesh dhëndër!?

Tjetri kishte ikur me bishtin nën shalë tek ëndërronte veten djalë.

 

(Marrë nga revista “Akademia”)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sadik Krasniqi Pas tri dite qëndrimi në hotel u tmerrova…