Bislimi s’do të duhej ta përfaqësonte Kosovën në dialog, se s‘ka mandat të rregullt

04 qershor 2025 | 08:47

Takimet bilaterale të palëve me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, i hapën rrugë një raundi të ri bisedimesh mes dy vendeve rrjedhimisht përgatitjeve për një takim mes tyre ndonëse ende nuk ka një datë konkrete nga ana e BE-së.

Pas takimit të djeshëm me zëvendëskryeministrin në detyrë Besnik Bisilmi, Sorensen u takua edhe me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq.

Ish-kryenegociatori, Avni Arifi, vlerëson se takimet e tilla në kuadër të dialogut nuk mund të jenë të suksesshme pasi sipas tij Kosova nuk ka një përfaqësues legjitim në këtë proces.

“S’do të duhej ta përfaqësonte Kosovën sepse s‘ka mandat të rregullt, Kosova s’ka qeveri dhe ai s’ka legjitimet të marrë pjesë në takime të tilla…dialogu po e pret qeverinë e re”, tha Arifi për RTV21.

Edhe në Grupin për Studime Juridike dhe Politike vlerësojnë se procesi i dialogut nuk mund të ketë përparim pa një qeveri të re në Kosovë. Sipas hulumtuesit, Besar Gërgi, Bislimi mund të shkojë në takime dialoguese por jo edhe të marr vendime.

Pas takimit të djeshëm me Sorensenin, zëvendëskryeministri në detyrë Bislimi i pyetur nga gazetarët për kuptimin e takimeve të tilla në kohën e vakumit institucional në Kosovë, pranoi vështirësitë, por tha se janë disa tema ku Kosova mund të përfitojë, nëse ka konstruktivitet nga ana e Serbisë.

“Nuk do të ishte në rregull nëse ne i humbim këto shanse për shkak se në Prishtinë ka pengesa në konstituimin e Kuvendit”, tha Bislimi.

Në përpjekje për të ringjallur dialogun mes dy vendeve, shefja për Politikë dhe Siguri e BE-së, Kaja Kallas muajin e kaluar qëndroi në Prishtinë dhe Beograd, duke bërë thirrje për përmirësim të raporteve në mënyrë që të dy vendet të kenë një të ardhme evropiane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Edi Rama ka ndarë mëngjesin e sotëm një video…