Blerim Gashi aderon në Guxo, kandidat për deputet
Kryetarja e Guxo-s, Donika Grërvalla, ka thënë se rrugëtimit të tyre politik i bashkohet Blerim Gashi, jurist dhe politolog.
Ajo ka thënë se Blerim Gashi është një emër i njohur i përballjes pa kompromis kundër propagandës dhe dezinformimit si dhe për qasjen e qartë, të argumentuar dhe profesionale në debatin publik e politik.
“Me përvojë të gjatë në hartimin e politikave publike dhe komunikimin strategjik, Blerim Gashi ka dëshmuar se guximi intelektual dhe integriteti personal janë themeli i qeverisjes së mirë. Angazhimi i tij për transparencë, llogaridhënie dhe përfshirje qytetare e ka bërë një zë të besueshëm dhe të respektuar në hapësirën publike kosovare. Analizat e tij të drejtpërdrejta, shkrimet e guximshme dhe paraqitjet publike me qëndrime të qarta, kanë kontribuar në forcimin e kulturës demokratike dhe në promovimin e një shteti që u shërben qytetarëve, jo interesave të ngushta. Me Blerim Gashin në listën e koalicionit Vetëvendosje – Guxo – Alternativa – PShDK, bashkë me profesionistë të tjerë të dëshmuar, vazhdojmë punën e angazhimin tonë për qeverisje të përgjegjshme dhe zhvillimore, në shërbim të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, me orientim të qartë drejt integrimit euroatlantik. Mirë se erdhe, Blerim!”, ka shkruar në “Facebook” Gërvalla.



