
Bllokada e radhës nga VV përmes Elbert Krasniqit e te Nenad Rashiqi: Paralajmërohet krizë e re kushtetuese
Pas dyqind ditësh që nga përfundimi i zgjedhjeve u bë njëri hap kyç drejt konstituimit të parlamentit: Dimal Basha u zgjodh Kryetar Kuvendi, i propozuar nga VV dhe i kaluar falë votave të Partisë Demokratike të Kosovës. Bllokada dyqind ditëshe, s’vonoi dy orë dhe u pasua nga një e re: Nënkryetarët nga radhët e pakicave. Vetëvendosje kaherë ka dhënë indikacione e shprehur eksplicit që nuk lejojnë Listën Serbe të ketë Nënkryetar Kuvendi, çka u takon komunitetit serb me Kushtetutë, përfaqësues politik të cilët janë ata nga 9 prej 10 ulëseve të rezervuara. Vetëvendosja përmes deputetit nga radhët e komunitetit egjiptian, Elbert Krasniqit, kërkoi ndarjen e votës nga praktika e kahershme e votimit në pako për Nënkryetarët e Kuvendit nga radhët e pakicave: një që i takon komunitetit serb dhe një komuniteteve jo-serbe. Çështja u bllokua aty. Lista Serbe s’i pati votat dhe çështja kaloi në ‘short’, dhe te i pranueshmi i Vetëvendosjes: Nenad Rashiqi, i cili i mori 55 vota. PDK abstenoi, LDK nuk mori pjesë në votim.
…
Kjo shkëputje nga praktika e votimit në ‘pako’ u pa menjëherë për antikushtetuese nga ekspertë juristë dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe politikanë. Ehat Miftaraj, jurist nga Institutiu Kosovar për Drejtësi, tha se “çka është tepër është tepër”. Ndërkohë Vetëvendosja në varg veçse ka nisur sulmet ndaj partive politike ish-opozitare për “shansin historik” të eliminimit të Listës Serbe nga posti i Nënkryetarit.
“Kryetar Dimal Basha, Lëvizje Vetvendosje. Lexone pikën 156 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të muajit gusht të vitit 2025.Mos boni filma, mos na dëshmoni sa jeni patriota se kush ka qenë patriot e trim e ka tregu veten në vitet 90. Dëshmonu bile se e doni vetem pak këtë Republikë dhe I respektoni vendimet e Gjyjatës Kushtetuese. Edhe Rregulloren e Kuvendit nenin 12 lexone. Vet e keni shkru, me vota tuaja u miratu. Tash edhe kete ceshtje doni me sjell punen me dergu ne kushtetuese dhe me vonu konstituimin edhe disa jave a muaj a? Mosni, se boll e keni vonu konstituimin. Çka eshte teper, eshte teper”, shkroi Miftaraj.
Albert Krasniqi nga Demokracia Plus gjithashtu konsideron se është antikushtetuese se si Vetëvendosja përmes Elbert Krasniqit ndau votimet për pakicat kombëtare rreth zgjedhjes së Nënkryetarëve të Kuvendit, dy të cilat u takojnë me Kushtetutë.
“Procedura për zgjedhjen e dy nënkryetarëve të Kuvendit që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë duhet të përsëritet, pasi mënyra e ndjekur nuk është në përputhje me Kushtetutën. Zgjedhja e tyre duhet të bëhet me një votim të vetëm, në bllok, për të dy kandidatët. Kandidati për nënkryetar nga komuniteti serb mund të propozohet vetëm nga Lista Serbe, e cila përfaqëson shumicën e deputetëve të këtij komuniteti, dhe jo nga subjekte të tjera politike”, tha ai.
“Aktivizimi i procedurës me short për përzgjedhjen e kandidatit mund të bëhet vetëm në rastet kur nuk ka propozime dhe gjithmonë në prani të deputetëve të komunitetit përkatës. Pa pjesëmarrjen e tyre, shorti nuk mund të zhvillohet. Gjithashtu, skenari për të shteruar kandidaturat e Listës Serbe me qëllim që pozita t’i kalojë ZSPO-së së Nenad Rashiqit, nuk mund të realizohet pa miratimin e shumicës së deputetëve të këtij komuniteti”, tha Albert Krasniqi.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tash parashikon krizë të re kushtetuese dhe se çështja mund të shkojë në interpretim të ri.
“Tash çështje konstitucionale, besoj që do të futmei në një krizë tjetër të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket vendeve të pakicave në RKS, pakicës sebre, e cila duhet të ketë qartësi sa i përket të drejtës për propozimit. Ne nuk marrin pjesë në procese që nuk i konsideorjmnë kushtetuese, është parimor. Tash të shohim si do të votojnë deputetët shumicë”, tha ai.