
Bllokada institucionale – strategji e Kurtit dhe Listës Serbe për kontroll mbi Kosovën
Shkruan: Hisen Berisha
Kriza e bllokimit të institucioneve nuk është një incident i izoluar, por pjesë e një strategjie të koordinuar ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe. Sot, Lista Serbe po e përdor të njëjtën metodë që Vetëvendosje e ka ushtruar më herët për të mbajtur peng Kuvendin: imponimin e kandidatit të vetëm për kryetar dhe refuzimin e çdo emri tjetër. Kandidati i saj është Goran Simiq, dhe çdo alternativë tjetër është e papranueshme.
Në këtë mënyrë, Kuvendi mbahet i paralizuar – njësoj siç ndodhi kur Vetëvendosje, për mbi 52 seanca me radhë, pengoi konstituimin derisa prodhoi një kryetar “aksidental” pa legjitimitet.
Nuk qëndron aspak teza se deputetët nuk po duan ta konstituojnë Kuvendin. E vërteta është se Lista Serbe nuk ka refuzuar kandidaturën – përkundrazi, ajo ka ofruar një emër dhe po e shndërron atë në instrument bllokimi.
Ky është i njëjti model obstruksioni politik që më parë e ka përdorur Vetëvendosje, por tani ai zbatohet përmes një koordinimi të hapur ndërmjet dy palëve.
Ky koordinim nuk ka të bëjë vetëm me ngërçin aktual. Përmes manipulimeve juridike dhe dhunimit të Kushtetutës – duke interpretuar “qëllimin” e saj e jo autenticitetin e germës kushtetuese – po bënë që kjo bllokadë të zvarritet përtej zgjedhjeve lokale të shtatorit dhe tetorit 2025, për t’u bartur kështu si proces kontestues deri në zgjedhjen e presidentit në prill 2026.
Në këtë kuadër, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese jo vetëm që nuk po ofrojnë rrugëdalje, por po e vendosin gjithë Kuvendin në shkelje të Kushtetutës.
Edhe masat ndaluese vetëm sa po prodhojnë statusquo të re, duke e bërë krizën pjesë të një strategjie të qëllimshme politike të Kutit, koalicionit fitues dhe Lustës serbe.
Kjo bartje e krizës ka edhe një dimension tjetër: ajo po përdoret nga partia në pushtet për të kalkuluar ndarjen e posteve më të larta të shtetit – Presidentit dhe Kryeministrit – me ndonjërën nga partitë e tjera, duke e pamundësuar fitoren dhe qeverisjen e plotë sipas standardit normativ kushtetues. Pra, bllokada nuk është vetëm mjet mbijetese politike, por edhe instrument për pazare të ardhshme politike.
Që nga ardhja në pushtet, Vetëvendosje dhe Lista Serbe kanë bashkëpunuar jo vetëm në ligjvënie brenda Kuvendit, por edhe në politikat qeverisëse. Bllokada aktuale është vetëm faza e fundit e këtij bashkëveprimi, që ka për qëllim të mbajë të paralizuar Kosovën, të dobësojë institucionet dhe të shndërrojë krizën në mekanizëm të përhershëm për kontroll të pushtetit.
Prandaj, rrugëdalja e vetme është që Gjykata Kushtetuese të konstatojë se institucionet nuk janë legjitimuar dhe, mbi këtë bazë, presidentja e Republikës të shpallë menjëherë zgjedhje të reja.
Çdo përpjekje për ta mbajtur peng këtë proces, qoftë përmes interpretimeve të shtrembëruara apo manovrave juridike, është shërbim ndaj kësaj strategjie të përbashkët që po e dëmton rëndë shtetin, demokracinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës.